Shkup, 1 prill 2022 – Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka shprehur dyshime në rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, duke e kontestuar numrin e popullsisë bullgare.
Sipas rezultateve të Entit të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 3,504 bullgarë.
“Si është e mundur që të ketë një dallim të madh mes atyre që janë deklaruar si bullgarë (3,504) dhe numrit prej mbi 100.000 shtetasve maqedonas, të cilët janë të pajisur me shtetësi bullgare. Objekt i analizës serioze është fakti se 7.2% e qytetarëve të shtetit fqinj nuk janë të numëruar aktivisht. Sipas informacioneve, të dhënat për ta janë mbledhur nga një bazë e duhur informative, por pa u theksuar përkatësia e tyre etnike dhe fetare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Rezultatet e regjistrimit i kontestuan të premten edhe Partia Demokratike e Serbëve dhe komuniteti serb në Maqedoni.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 26 mijë serbë apo 1.3 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Edhe pakica turke ka thënë se nuk i pranon rezultatet e regjistrimit, duke pretenduar se turq ka më shumë se sa shifrës zyrtare – rreth 75 mijë persona apo 3.84 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Por, Komisioni Evropian vlerëson se regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është realizuar sipas të gjitha standardeve evropiane.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha të premten se “ligji dhe metodologjia në të cilën bazohet përgatitja, organizimi dhe zbatimi i regjistrimit ishin në përgjithësi në përputhje me standardet përkatëse të përcaktuara me legjislacionin statistikor të Bashkimit Evropian”.
Bazuar në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, të publikuara më 30 mars, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1,836,713 banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002. Maqedonasit përbëjnë 58.44 për qind të popullsisë së përgjithshme, kurse shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind.
(Sipas REL)