Sofje, 18 shkurt 2023 – Prokurorët bullgarë kanë ngritur akuza ndaj gjashtë personave për trafikim të qenieve njerëzore, pasi 18 emigrantë afganë u gjetën të vdekur të enjten brenda një kamioni të braktisur në një rrugë të prishur, pranë kryeqytetit të vendit, Sofje.
Pesë nga të akuzuarit ndodhen në paraburgim, ndërsa një nga trafikantët e dyshuar, i cili kishte arritur të largohej nga vendngjarja, është në kërkim dhe ndaj tij është shpallur një urdhër arresti ndërkombëtar.
Prokurorët thanë se shoferi i kamionit dhe shoqëruesi i tij janë ndër personat që akuzohen lidhur me vdekjen e imigramtëve afganë.
“Pavarësisht goditjeve të forta dhe të zgjatura nga ana e imigratëve, shoferi ka refuzuar të ndalonte kamionin më herët”, ka thënë kreu i Shërbimit Hetimor Kombëtar dhe zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov.
Ata thanë se kamioni u braktis pranë fshatit Lokorsko, pasi shoferi dhe shoqëruesi zbuluan se disa prej migrantëve që gjendeshin në kamion kishin vdekur.
Gjendja shëndetësore e 34 emigrantëve të tjerë, të cilët u dërguan me urgjencë në spital, është e qëndrueshme, thanë zyrtarët.
Ngjarja ka tronditur Bullgarinë, dhe është cilësuar si një nga incidentet më të rënda të këtij lloji që ka ndodhur në korridorin tokësor nga Ballkani për në Evropë.
Bullgaria është përpjekur të përballojë një fluks në rritje të emigrantëve që vijnë nga Turqia.
Prokurorët thanë se rrjeti kishte trafikuar emigrantë nga kufiri me Turqinë përmes Bullgarisë për në Serbi, e duke vazhduar më tutje, kryesisht për në Britani, Gjermani dhe Francë.
(r.m.)