Bullgaria e pengon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Luksemburg, 22 qershor 2021 – Problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë sërish pengesë për një vendimarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, nga njëra anë, dhe Bashkimit Europian, nga ana tjetër, që do të shënonte edhe nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e këtyre dy vendeve.

“Me gjithë angazhimin e madh, nuk u bë e mundur që të arrihet në një marrëveshje për kornizën e bisedimeve, e për pasojë nuk qe e mundur që të nisnim me konfernzën ndërqeveritare me këto dy vende kandidate”, deklaroi të martën pasdite Ana Paula Zacarias, Sekretare e Shtetit për Çështjet europiane e Portugalisë, vendi i cili e ka presidencën e BE-së.

Deklarata e saj u bë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, e zhvilluar sot në Luksemburg. Gjithshka të të spostohet tanimë në shtator, kur presidencën e radhës do ta ketë Sllovenia. “Presidenca Slovene është angazhuar për të çuar përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje”, bëri të ditur zonja Zacarias.

Për Shqipërinë ka një konsensus të pranuar nga të gjitha shtetet për t’i hapur dritën jeshile përparimit të mëtejshëm në rrugën e integrimit. Së fundmi, edhe Holanda, një ndër vendet më skeptike, ra dakort me vlerësimin e Komisionit Evropian për ecurinë pozitive të Shqipërisë.

Për Maqedoninë e Veriut mbetet problem vetoja e Bullgarisë, e cila nuk lëshon pe, ndonëse shumë vende anëtare po kërkojnë që problemet bilaterale të mos bëhen pengesë për procesin e integrimit.

Mosmarrëveshjet mes Sofies dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, duke thënë se ajo rrjedh nga bullgarishtja.

Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra-tjetra në këtë fazë.

(r.m.)