Bullgaria nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut

Sofje,12maj 2021 – Qeveria e përkohshme e Bullgarisë e përjashtoi mundësinë e tërheqjes së vetos ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Qëndrimi i Bullgarisë u pranua me konsensus midis të gjitha partive politike në parlamentin bullgar. Si qeveri e përkohshme, ne nuk kemi asnjë autorizim për ta ndryshuar atë,” u tha të mërkurën gazetarëve ministri i ri i jashtëm bullgar, Svetlan Stoev, citon Zëri i Amerikës.

“Më tej gjithçka është në duart e zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e dinë shumë mirë pozicionin bullgar dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në dy ose tre muajt e ardhshëm, ndërsa kjo qeveri e përkohshme është në detyrë,” tha ai.

Në nëntor tëvitit të kaluar Bullgaria e bllokoi fillimin e negociatave me fqinjin e saj, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën maqedonase. 

Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t’i japë fund retorikës anti-bullgare.

Por, autoritetet e Maqedonisë së Veriut thonë se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë tema të hapura për diskutim.

Qëndrimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut e preku edhe Shqipërinë, për shkak se Bashkimi Evropian i trajton në një pako të dy vendet.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se duhet çuar përpara procesin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por “asnjëherë nuk ka pasur synim për veçimin e tyre në këtë proces”.

Komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerimin, Oliver Varhelyi, la të hapur mundësinë që Shqipëria të veçohet nga Maqedonia e Veriut.

(r.m.)