Bumçi: Marrëveshja historike me Serbinë, i hap rrugë njohjes së Kosovës

Intervistë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Aldo Bumçi dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Bisedoi: Denion Ndrenika

 

-Zoti Bumçi fillimisht u falenderoj për kohën që po gjeni për të ndarë disa mendime me gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Si e vlerësoni zoti Bumçi?

 -Aldo Bumçi: “Një ngjarje historike, një moment që ndan historinë e Ballkanit. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, më shumë se një shekull, i cili mbyllet dhe fillon një marrëdhënie tërësisht e re. Kjo është një ngjarje që mbyll një periudhë historike dhe fillon një tjetër. Nuk bëhet fjalë vetëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e tyre, për njohjen e Kosovës, për hapjen e një perspektive të jashtëzakonshme përpara shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe për normalizimin e marrëdhënieve të të gjithë vendeve të rajonit, për një normalizim të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve kudo ku janë, për hapjen e një perspektive të re të bashkëpunimit rajonal, që do të çlirojë energji në fushën ekonomike, politike dhe do të përshpejtojë integrimin europian. Hapin një kapitull të ri. Fillon një epokë me mundësi të jashtëzakonshme për rajonin tonë.

Ne po jetojmë në një periudhë, po jetojmë ngjarje të jashtëzakonshme historike”.

 

-Ju zoti Bumçi besoni se me këtë marrëveshje, do të kemi një shans më të madh që pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën, ta hedhin këtë hap, pra ta bëjnë njohjen e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejtë në raportet e shtetit të ri në të gjithë rajonin?

 

-Aldo Bumçi: “Absolutisht! Ne kemi tashmë sinjale. Nga Rumania kanë ardhur sinjale drejt njohjes. Greqia ka njohur dokumentat e shtetit të Kosovës, ka ndërmarrë hapa për të lehtësuar komunikimin. Gjithashtu edhe nga Sllovakia ka sinjale drejt hapave që i përgjigjen edhe rezolutës së Parlamentit Europian, që ishte një ngjarje shumë e rëndësishme. Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian i kërkonte pesë shteteve anëtare që të njihnin Kosovës, të ndërmerrnin hapa drejt lehtësimint të komunikimit, heqjes së fusnotës, pra një perspektivë krejtësisht e re për marrëdhëniet e saj me vendet anëtare dhe me Bashkimin Europian.

Unë dëshiroj të përgëzoj autoritetet e Kosovës, qeverinë, kryeministrin Hashim Thaçi, ekipin e tij, parlamentin e Kosovës, që i ka dhënë mbështetje. Një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën, për të gjithë ne, për rajonin e Ballkanit”.

 

-Zoti ministër, Serbia si thuajse kurrë më parë nuk është treguar shumë “fitimtare” në deklarimet e kohës pas firmosjes së marrëveshjes. Serbia rrallë e ka bërë këtë, pasi shpesh e ka shitur çdo marrëveshje si sukses të saj. Ajo ndonëse me kryeministrin Ivica Daçiç u mundua të tregojë se nuk do të ketë ndonjë heshtje përsa i përket antarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, Ju besoni se kjo është një çështje që Serbia tanimë e ka pranuar të vërtetën e madhe të rajonit?

 

-Aldo Bumçi: “Ne jemi në një moment të jashtëzakonshëm dhe duhet t’i shikojmë gjërat pozitivisht. Është një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet me Serbinë si një shtet fqinj. I hap rrugë njohjes së Kosovës, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe një perspektive tjetër të zhvillimit ekonomik, sepse ka qenë e ndërlidhur njohja e Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve me mundësitë për investimet e huaja dhe për zhvillimin ekonomik. Hapet një perspektivë tjetër, kjo është një epokë tjetër. Mua më vjen shumë mirë që autoritetet serbe kanë gjetur kurajon, vullnetin për të arritur në njohjen e zhvillimeve, të cilat ishin të pakthyeshme. Dhe, më vjen mirë që edhe ata derisa e nënshkruan, e kanë gjykuar në interes të tyre, duke marrë parasysh zhvillimet në terren, njohjet ndërkombëtare të Kosovës, ecurinë e kësaj njohjeje, sepse shumë shtete të rëndësishme në botë kishin ndërmarrë hapa drejt kësaj njohjejeje dhe ishin në mbështetje të Kosovës, si edhe rezolutat e parlamentit të Bashkimit Europian.

Pra, nuk duhet ta shikojmë si humbje për palën tjetër, por duhet ta përgëzojmë që ndërmori këtë hap që çon drejt normalizimit. Kjo është një fitore e jashtëzakonshme për Kosovën, për qytetarët e saj, për Serbinë, së cilës i hapet gjithashtu perspektiva e integrimit europian, marrëdhënieve rajonale shumë të rëndësishme për prosperitetin e të gjithë vendeve të rajonit dhe perspektiva europiane tashmë do të vijë në një energji të re. Do të kemi një angazhim të ri në perspektivën europiane të të gjithë rajonit.

Dëshiroj të falenderoj edhe Baroneshën Eshton (Ketrin, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme e Siguri), e cila ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lehtësimin e këtij dialogu.

Kur ky dialog filloi, pritshmëritë nuk ishin të mëdha dhe kishte shumë skeptikë (mosbesues), por falë drejtimit, kornizës, në të cilën u zhvillua, frymës, patjetër që një rol i jashtëzakonshëm, një përgëzim i madh i shkon Baroneshës Eshton dhe në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbështetën këtë dialog, një mbështetje vendimtare për arritjen e marrëveshjes”.

 

-Megjithatë zoti Bumçi, këtu besoj se ka një rol të rëndësishëm edhe garancia që ka dhënë Aleanca Veriatlantike, pra NATO, për këtë marrëveshje. Pajtoheni me këtë?

 

-Aldo Bumçi: “Absolutisht po! NATO është në rolin e saj, KFOR-i (trupat paqeruajtëse në Kosovë) është në rolin e tij në Kosovë dhe ajo garanci që ka dhënë është brenda detyrave që NATO kryen në Kosovës. Absolutisht është një shenjë e beismit tashmë e Serbisë te NATO për të kryer këtë funksion. Por, NATO është brenda funksionit të saj në Kosovë, nuk është se po ndërmerr një funksion të ri. Brenda funksionit të saj të natyrshëm që ka kryer deri tani në Kosovë. Kemi një zhvillim, ku pala serbe shikon garancinë te roli i NATO-s. Dhe, ky është një zhvillim shumë pozitiv”.

 

-A mendoni zoti ministër, se me këtë marrëveshje pothuajse u jepet fund diskutimeve, apo po themi debateve dhe hamendësive për rishikim të kufijve si dhe për shkëmbim të territoreve?

 

-Aldo Bumçi: “Absolutisht nuk ka asnjë diskutim për shkëmbime territoresh dhe kufijsh. Këto janë çështje që nuk i takojnë më asnjë tryeze për t’u diskutuar, asnjë emisioni as televiziv dhe nuk janë dinjitoze që të shtrohen më!

Njihet Kosova me integritetin territorial, me kufijtë e saj. Policia, sistemi i drejtësisë, doganor, janë tërësisht pjesë integrale e shtetit të Kosovës. Patjetër, duke njohur dhe respektuar edhe përbërjen etnike të veriut, duke respektuar edhe pjesëmarrjen e popullsisë serbe siç duhet të jetë në strukturat policore, në ato të gjykatave, me degën që do të ketë Gjykata e Apelit në veri.

Nuk ka më vend për diskutime të tilla. Çdo debat i tillë do të ishte qesharak dhe i padenjë për asnjë lloj tryeze”.

 

-Qeveria e Shqipërisë, zoti Bumçi, si edhe ministria e Jashtme gjithashtu shpesh janë treguar të vëmendshme dhe të kujdesshme për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Mirëpo, disa kritikë thonë që Lugina e Preshevës mund të përfshihej në këtë dialog. A keni bërë përpjekje Ju si ministri e Jashtme dhe në tërësi si Qeveri në Tiranë që kjo të përfshihet?

 

-Aldo Bumçi: “Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është një lajm që normalizon marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Patjetër që do të ketë një jehonë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Absolutisht do të hapë edhe atje një kapitull të ri, një trajtim tjetër, që mendoj se do të ndihet si pjesë e jehonës së kësaj marrëveshjeje.

Nuk ka pasur vend dhe nuk ka qenë në interesin e Kosovës, në interesin e qytetarëve të saj, të shqiptarëve dhe të të gjithë rajonit që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihej në këtë marrëveshje.

Absolutisht përfshirja do të kishte pasur një qëllim tërësisht tjetër dhe nuk do të kishte qenë në interesin e askujt, as të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Janë në diskutim dy shtete sovrane që kanë normalizuar marrëdhëniet e tyre. Çdo përfshirje tjetër do të kishte qenë joproduktive dhe jo në interes të kësaj marrëveshjeje. Në këtë format marrëveshja ka arritur produktin më të mirë në interes të të gjithëve. Përfshirja e Luginës së Preshevës në këtë kornizë nuk do t’i kishte shërbyer absolutisht këtij interesi”.

 

-A besoni se kjo marrëveshje duhet të shërbejë edhe si një udhërrëfyes që edhe shqiptarët në Malin e Zi dhe në shtetin maqedonas të rrisin më tej të drejtat e tyre në këto shtete?

 

-Aldo Bumçi: “Unë mendoj që ne nuk duhet të ngatërrojmë marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si marrëveshje ndërmjet dy vendeve fqinje me kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi për më shumë të drejta, për më shumë përfaqësim. Janë dy çështje tërësisht të ndara! Shqiptarët në këto dy shtete kanë përmirësuar ndjeshëm statusin e tyre krahasuar me vitin 1990. Po të kthehemi mbrapa 20 vjet më parë, do të shikojmë që ishin tërësisht të papërfaqësuar në nivelet e administratës, politikbërjes, komunitete të margjinalizuara dhe sot janë të përfaqësuar në qeveri me ministra, në administratën qendrore, kryetarë komunash dhe bashkish, ambasadorë, kanë përfaqqësuesit e tyre, kanë qasjet e tyre politike që përfaqësojnë interesat e tyre.

Kërkesat për më shumë përfaqësim dhe për më shumë të drejta zhvillohen brenda institucioneve demokratike të këtyre vendeve, janë pjesë e një procesi demokratik që ndodh kudo; Diskutimi, pjesëmarrja në zgjedhje, ndërtime koalicionesh, negociatash. Ky është një proces i natyrshëm që ndodh brenda vendeve demokratike dhe që vjen si pasojë e angazhimit. Dhe, absolutisht ka vend për përmirësim, por nuk ka vend për të krahasuar me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme”.

 

-Më lejoni t’u bëj pyetjen e fundit zoti Bumçi, që padyshim përbën interes si çështje kur Shqipëria përgatitet për procesin e saj zgjedhor, me rëndësi të veçantë për integrimin. A përbën Shqipëria një faktor të rëndësishëm, të pandryshueshëm të paqes dhe të sigurisë në rajon?

 

-Aldo Bumçi: “Ju keni dy pyetje këtu. Pyetjen për Shqipërinë si faktor në rajon dhe pyetja për zhvillimin elektoral të 23 qershorit. Për pyetjen e parë, nëse ka një konstante të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, është roli i Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe i stabilitetit në rajon. Kjo ka ardhur nga një politikë e jashtme e matur, e cila ka qenë emërues i përbashkët i të gjitha forcave politike, pavarësisht se kush ka qenë në qeverisje.

Integrimi i Shqipërisë në NATO, afrimi i saj në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, absolutisht i ka shërbyer stabilitetit në rajon. Një shtet, i cili për shkak edhe të pranisë së konsiderueshme të shqiptarëve në vendet fqinje siç është Maqedonia, Kosova, shteti i dytë i shqiptarëve në rajon, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi, kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe ne mendojmë se i kemi shërbyer avancimit të interesave të shqiptarëve duke i kontribuuar në të njejtën kohë edhe stabilitetit rajonal. Pra, i kemi shërbyer interesit më madhor të shqiptarëve që është avancimi i të drejtave të tyre në bashkëpunim dhe brenda këtij rendi të ri botëror që u ndërtua pas rënies së komunizmit, ku shqiptarët si komb, vendet tona, kanë avancuar si asnjëherë tjetër.

Nëse gjatë komunizmit nuk kishte komb që të kishte vuajtur më shumë se shqiptarët, me rënien e komunizmit, nuk ka komb në Europën Lindore që të ketë përfituar më shumë se shqiptarët. Ky rend i ri i ndërtuar mbi NATO-n dhe Bashkimin Europian. Këto janë themelet e rendit të ri, që kanë ndihmuar shqiptarët më shumë se çdo rend tjetër botëror.

Në lidhje me zgjedhjet. Zgjedhjet dhe demokracia janë të pandashme. Çdo dy vjet kemi o zgjedhje lokale, pra vendore, o zgjedhje të përgjithëshme. Dhe, ky është takimi i radhës ku qytetarët dëgjojnë alternativat ndërmjet partive politike, diskutimet, ofertat e ndryshme për zgjidhje për çëhstjet që u interesojnë atyre,  nga ekonomia tek arsimi, shëndetësia, bujqësia.

Është një periudhë e mrekullueshme, që ndjen një energji të jashtëzakonshme, që lëviz interesin publik për të ndryshuar, për të vijuar më tej me projektet e ndryshimit.

Ne jemi të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme! Ky është një qëndrim i qartë dhe i pandryshueshëm! Ndaj, jam i sigurtë që zgjedhjet do të jenë një moment i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë”.