Berlin, 27 janar 2022 – “Antisemitizmi është mes nesh”, tha presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, gjatë seancës përkujtimore të Bundestagut për viktimat e nacionalsocializmit në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
“Ne kujtojmë miliona njerëz që u përndoqën, u vodhën, u poshtëruan, iu morën të drejtat, u torturuan dhe iu dorëzuan vdekjes. Sepse ata mendonin ndryshe, besonin ndryshe, dashuronin ndryshe, apo sepse jeta e tyre ishte “e pa vlerë” për nacionalsocialistët”, tha Bas, citon DW.
“Gjenocidi ndaj hebrenjve të Europës ishte një krim gjerman, por në të njëjtën kohë është një e kaluar që lidhet me të gjithë”, tha ajo, duke bërë thirrje për vigjilencë kundër antisemitizmit.
“Antisemitizmi është mes nesh”, tha Bas.
Në seancën përkujtimore të viktimave të Holokaustit në Bundestag foli edhe e mbijetuara e Holokaustit, 87 vjeçarja,Inge Auerbacher. Në fjalën e saj, ajo rrëfeu se në vitin 1942, kur ishte 7 vjeçe, u dërgua në kampin e përqëndrimit Terezienshtat. Pas lirimit nga kampi, familja e saj u vendos në Shtutgart, kurse në vitin 1946 emigroi në SHBA.
“E kam akoma në kujtesë atë kohë të tmerrit dhe urrejtjen ndaj hebrenjve”, tha Auerbacher.
“E shkuara nuk duhet të harrohet kurrë. Së bashku le të lutemi për unitet në këtë tokë”, theksoi ajo
Por, zonja Auerbacher bëri thirrje për pajtim.
“Urrejtja ndaj njerëzve është diçka e tmerrshme. Ne të gjithë kemi lindur si vëllezër dhe si motra. Dëshira ime më e thellë është pajtimi i të gjithë njerëzve”, theksoi ajo.
Në seancën përkujtimore të viktimave të Holokaustit në Bundestag morën pjesë edhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kancelari Olaf Scholz, presidenti i Këshillit Federal, Bodo Ramelow dhe Presidenti Gjykatës Kushtetuese, Stephan Harbarth.
Bundestagu i kujton viktimat e Holokaustit në seancë përkujtimore që nga viti 1996. Idenë e shpalljes së ditës të çlirimit të kampit Auzhvic si ditë përkujtimore në Bundestag e kishte dhënë Presidenti i atëhershëm, Roman Herzog,
Seanca përkujtimore në Bundestag zhvillohet edhe me shoqërim muzikor.
Në vitin 2005, Organizata e Kombeve të Bashkuara e shpalli 27 Janarin Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
(r.m.)