Burime brenda BE-së: Në takimet Kurti-Vuçiq ka pasur progres, por jo rezultat konkret

Bruksel, 18 gusht 2022 – Ndonëse Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe në takimet e zhvilluara të enjten, më 18 gusht, zyrtarë të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se janë optimistë se një marrëveshje mund të arrihet në ditët në vijim.

Disa zyrtarë të BE-së që kanë folur në kushte anonime kanë thënë se “ky raund i takimeve nuk do të konsiderohet i përfunduar pa u arritur marrëveshja”.

Sipas tyre, edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të enjten në mbrëmje.

Escobar ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, disa herë gjatë këtyre dy ditëve në Bruksel.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se edhe disa liderë perëndimorë i kanë kontaktuar gjatë ditëve të fundit Kurtin dhe Vuçiqin, për t’i inkurajuar për arritjen e një marrëveshjeje dhe për evitimin e përshkallëzimit të situatës. Sipas burimeve, në mesin e tyre ishin edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Shumë liderë ndërkombëtarë kanë shprehur pritjet e tyre nga takimet e këtyre dy liderëve. Këtë e kanë kuptuar edhe vetë liderët. Edhe pse nuk patëm marrëveshje për rrugën finale sesi të adresohet çështja, procesi po vazhdon”, kanë thënë burimet brenda BE-së.

Takimi i së enjtes shënon herën e tretë që Kurti e Vuçiq kanë realizuar takime në Bruksel, në kuadër të dialogut.

Sipas burimeve të REL-it, procesi i dialogut po vazhdon dhe se i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka vazhduar kontaktet me dy liderët edhe pas përfundimit të takimeve.

Sipas tyre, “pas takimeve ndjenjat janë të përziera, në njërën anë ka elemente inkurajuese, e në anën tjetër palët kanë mbajtur qëndrime kundërshtuese për shumë pika”.

Burimet diplomatike kanë treguar se takimet e së enjtes janë ndarë në dy pjesë, dhe se fillimisht është diskutuar për të ardhmen e raporteve mes dy vendeve.

“Liderët diskutuan se si i shohin raportet në të ardhmen dhe si të mbërrihet deri te normalizimi. Ishte diskutim i mirë, por do të ishte naive të pritej marrëveshje tani. Ata më shumë nuk u pajtuan, sesa u pajtuan. Por ishte diskutimi i tyre më i mirë deri më tani. Dhe u pajtuan se do të kenë takime të rregullta. U pajtuan se do të kenë diskutime një herë në muaj”, ka thënë ky burim.

Në pjesën e dytë është diskutuar për mospajtimet aktuale.

Sipas burimeve të BE-së, diskutimi ka qenë i fokusuar edhe janë bërë propozime të ndryshme.

“U diskutua edhe çështja e energjisë. Ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit, por kjo mund të përmirësohet shumë shpejt. Kemi identifikuar se çfarë hapat të rinj duhet të merren. Nuk ka elemente që nuk mund të zbatohen. Por na duhet përkushtim nga të dyja palët” kanë thënë burimet brenda bllokut evropian.

Sipas tyre, Serbia e ka ngritur çështjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit. Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Burimet e REL-it kanë thënë se negociatat e ardhshme mund të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve dhe se mund të rritet presioni për të gjetur zgjidhje, ashtu që të shmanget përshkallëzimi i situatës më 1 shtator.

“Nuk duam të shohim më 30 gusht apo 1 shtator, situatën që pamë më 31 korrik dhe 1 gusht”, kanë thënë zyrtarë të BE-së.

(REL)