Tiranë, 7 mars 2024 – Busti i atdhetarit dhe kontributorit të Normales së Elbasanit, Hasan Prishtina, është vendosur sot në shkollën “Luigj Gurakuqi”, ish-Shkollën Normale të Elbasanit.
Në ceremoninë e organizuar në kuadër edhe të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, kanë marrë pjesë mësues, kryetari i bashkisë Gledian Llatja e drejtues lokalë, si edhe Mehmet Prishtina, stërnip i Hasan Prishtinës dhe Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, i cili është edhe donator i bustit.
Në fjalën e tij, Llatja e vlerësoi kontributin e madh të Hasan Prishtinës për Normalen e Elbasanit.
“Ne kemi pasur shumë patriotë të nderuar të të gjithë trevave shqiptare dhe Hasan Prishtina është një nga ata që ka shkrirë pasurinë e tij për gjuhën shqipe, për kombin shqiptar. Ne nuk duhet të harrojmë që më 1 dhjetor të vitit 1909, kur ka rënë zilja e parë e Normales për të filluar mësimi, ka rënë me orën e dhuruar nga Hasan Prishtina”, tha Llatja, cuton Balkanweb.
Ai e vlerësoi Hasan Prishtinën edhe për mbështetjen financiare të nxënësve të Normales nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
“Kanë qenë mbi 21 nxënës të ardhur nga Kosova për të mësuar në Normalen e Elbasanit, me mbështetjen financiare të Hasan Prishtinës, për t’u arsimuar dhe për t’u rikthyer sërish në Kosovë, për të dhënë më të mirën e tyre për edukimin e fëmijëve në të gjithë trevat shqiptare. Por, Hasan Prishtina nuk i ka mbështetur vetëm nxënësit e Kosovës, por edhe të rinjtë dhe fëmijët nga Maqedonia e Veriut, nga trevat në Mal të Zi, nga Lugina e Preshevës, për të mos humbur rrënjët e tyre shqiptare, të kenë identitetin e tyre të lidhur fort me arsimin dhe me gjuhën shqipe”, theksoi Llatja.
“Respekte pa fund për të gjithë patriotët, të cilët kanë dhënë gjithçka për çështjen kombëtare, për arsimin shqiptar dhe për të çuar përpara kulturën dhe dijen në gjuhën shqipe. Respekte dhe për Hasan Pristhinën dhe për pasardhësin e tij, i cili vazhdon me kaq vullnet kauzën e nisur nga ai”, u shpreh Llatja.
Gjatë ceremonisë u nderuan me mirënjohje ish-nxënësit e Normalës, mësuesit: Tomorr Arianiti, Minerva Himci, Panjot Lena dhe Bleta Dervina, “për kontributin e dhënë në sistemin arsimor shqiptar dhe në edukimin e brezave të rinj”.
(r.m.)