Nga Ruben Avxhiu
Buta Biberaj, prokurorja e parë shqiptaro-amerikane e Kamënuelthit në Kontenë Loudoun, doli fituese në zgjedhjet brenda Partisë Demokrate, ditën e martë.
Biberaj fitoi me 54% të votave, duke mposhtur një rivale të cilën e akuzoi se përfaqësonte më shumë pikëpamjet e republikanëve sesa të demokratëve në emër të të cilëve po kandidonte.
Fitorja e saj ishte shembull i qëndresës së rrymës progresiste në Partinë Demokrate. Të paktën tre prokurorë afër kryeqytetit amerikan u sfiduan nga kandidatë brenda partisë, në një përpjekje për ta zhvendosur partinë më afër qendrës si përgjigje ndaj rritjes së kriminalitetit dhe debateve kulturore e sociale që kanë përfshirë çështjet e rendit dhe të ligjvënies. Mirëpo, që të tre prokurorët rifituan besimin e demokratëve.
Buta Biberaj është një ndër tetë fëmijët e një familjeje shqiptare që emigroi në SHBA më shumë se gjysëmshekulli më parë. Një prej vëllezërve të saj është Drejtori i njohur i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj. Ajo e tregoi historinë e jetës dhe familjes së saj gjatë një interviste ekskluzive me gazetën “Illyria” (Nëse nuk keni pasur mundësinë ta lexoni, mund ta gjeni Intervistën këtu: https://www.illyria.com/buta-biberaj-an-extraordinary-journey-from-albania-to-becoming-the-first-female-commonwealths-attorney-for-loudoun-county-in-virginia/)
Intervista mobilizoi komunitetin shqiptaro-amerikan të zonës për t’i ardhur në ndihmë kandidates në një garë që mund të ishte akoma edhe më e ngushtë. Garat lokale nuk përfshijnë shumë votues dhe Biberaj fitoi vetëm me më pak se 3,000 vota diferencë. Pra, angazhimi i komunitetit pati potencialin që të bëhej faktor vendimtar në këtë rast.
Prokurorja shqiptaro-amerikane pret tani sfidën e nëntorit përpara kandidatit të Partisë Republikane.
Në mesazhin e saj për gazetën “Illyria”, me rastin e fitores në zgjedhjet paraprake, ajo u shpreh se ndjehej e nderuar dhe e pranonte me përulësi emërimin si Kandidate e Partisë Demokrate për Prokurore të Komonuelthit të Qarkut Loudoun. “Angazhimi im është të vazhdoj të garantimin e sigurisë dhe drejtësisë të sujtdo që e gjen veten të përfshirë në sistemet e gjykatave”, tha ajo. “Jam mirënjohëse për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan. Shpresoj t’ju bëj krenarë”.