Çanak: Për skenarin e zhvendosjes së serbëve të Kosovës në Sanxhak kemi mësuar nga më shumë burime

Beograd, 3 shtator 2024 – Ish-kryetari i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka treguar se ai dhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, janë informuar nga më shumë burime për skenarin e zhvendosjes së serbëve nga pjesa veriore e Kosovës në rajonin e Sanxhakut, në Serbi.

“Unë dhe Sonja Biserko morëm informacione për zhvendosjen e mundshme të serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak nga disa burime. Kemi vlerësuar se nuk duhet të lejojmë që kjo të kalojë pa u vënë re dhe të fillojë hedhja e fajit nga njëra palë te tjetra, siç ka ndodhur më parë në histori. Kemi vlerësuar se këtë informacion duhet ta ndajmë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sepse ai e ka obligim të kujdeset për sigurinë e serbëve në Kosovë”, ka thënë Çanak, në një intervistë për gazetën beogradase “Danas”.

Çanak ka thënë se këto nuk janë vetëm indicie, sepse kaq shumë elemente që kompletojnë tablonë, prandaj zonja Biserko dhe ai e kanë vlerësuar të nevojshme ta informojnë kryeministrin Kurti.

“Nëse ka elemente që përputhen, nëse ka ndërtime të objekteve të caktuara në Sanxhak, nëse ka përgatitje me intensitet të lartë, heqje të universitetit në veri të Kosovës dhe zhvendosje, atëherë është e qartë se ku shpie kjo. Që të mos ketë surpriza më vonë, ne vlerësuam se Kurti duhet të informohet me kohë. Aq më tepër që në veri ka aksione të Qeverisë së Kosovës dhe përmbyllje të pavarësisë, e cila po zhvillohet pa kurrfarë koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare dhe me autoritetet në Serbi. Ne vlerësuam se veprimet e tilla mund të shkaktojnë një përshkallëzim të ri”, ka shpjeguar ai.

“Kjo është e tëra. Nuk ka asgjë më shumë në paralajmërimin tonë për zhvendosjen e mundshme [të serbëve nga veriu i Kosovës], ka theksuar ai.

Çanak ka thënë se ai dhe zonja Biserko nuk e kanë ndarë këtë informacion me autoritetet në Serbi, për shkak se askush nuk do të flasë me ta për këtë çështje.

“Çështja është se askush në Serbi nuk do të flasë me ne për këtë. Nëse i keni vënë re njoftimet e partive opozitare pak a shumë shpërfillen. Unë personalisht kam paralajmëruar mijëra herë për shkatërrimin e paligjshëm të parkut Frushka Gora dhe askush nuk ka reaguar. Çfarë duhet të ndodhë që dikush nga autoritetet të reagojë? Kështu ia dolëm të nxjerrim në dritë një gjë të rëndësishme dhe shpresoj se kjo do ta ketë efektin e dëshiruar dhe efekt i dëshiruar është parandalimi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, taz trajtonte seriozisht çështjen, të cilën e ka cilësuar si “cirk”.

“Do të ishte shumë e rëndësishme që rezultat i kësaj që po e paralajmërojmë Sonja dhe unë të jetë mbnrojtja e interesit të qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë”, është shprehur ai.

Çanak ka thënë se çështja që e kanë ngritur Sonja Biserko dhe ai konsiderohet si gënjështër në Serbi dhe se pushteti e mashtron opinionin serb se Kosova do të mbetet në Serbi.

“Papritmas askush nuk e shtron pyetjen nëse kjo që po themi është e vërtetë, por konstatohet se kjo është gënjeshtër dhe se serbët do të mbeten në Kosovë dhe se Kosova do të mbetet Serbi. Serbia nuk është në Kosovë. Ejani vetë në Kosovë, shikoni dhe do të shihni. E gjitha kjo është propagandë për të mashtruar një pjesë të opinionit publik populist”, ka thënë ai.

(r.m.)