Cani: Kemi refuzuar miratimin e projektit për inceneratorin e Elbasanit, sepse procedura nuk ishte në përputhje me ligjin

Tiranë, 21 shkurt 2022 – Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka dëshmuar sot në Komisionin Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me procedurat që janë ndjekur për miratimin e projektit për inceneratorin e Elbasanit.

Cani ka deklaruar se ai nuk e kishte miratuar këtë projekt, prandaj ishte kërkuar që të miratohej me procedurë të veçantë.

“Ne kemi refuzuar, mbështetur në kërkesat dhe aktet ligjore dhe nënligjore. Është normale që ne të kryenim kështu. Ndërkohë ka ardhur edhe një projekt vendim ku kërkohej që të zbatohej një procedurë e veçante lidhur me djegësin e mbeturinave ose inceneratorin”, ka thënë ai.

Ish-ministri Cani ka pranuar korrespondencat me ish-kolegun e tij, Lefter Koka. Ai ka thënë se ka kërkuar informacion për kompaninë së cilës I jepej koncesioni.

“Ministria e Financave duhet të jetë në dijeni nëse kompania ka kapacitete financiare apo jo”, është shprehur ai.

Pjesë nga dëshmia e z. Cani (sipas Panorama):

Tabaku: Zoti Cani kemi bërë prezantimin e inceneratorit të Elbasanit dhe kemi prezantuar një material të gjatë, unë kam lexuar disa përgjigje tuajat si ministër i Financave dhe përgjigjet e ish ministrit Koka, ju kujtohet kjo procedurë?

Cani: Mirëdita dhe punë të mbarë, të dy palët jemi me një qëllim. Duam të nxjerrin të vërtetën. Në fakt do ta kisha të vështirë që pas 7-8 vjetësh të kujtoja gjithçka, por më keni ndihmuar me materialet që keni nxjerrë dhe unë e kam të qartë se si ka rrjedhur procedura. Besoj që koha e bën të vetën dhe e venit kujtesën. Kështu që po e kujtoj, por jo me detaje.

Tabaku: Procedura ka nisur me një kërkese të Lefter Kokës drejtuar jush. Ju, me korrektesë i jeni përgjigjur që ky projekt nuk ka asnjë gjë të nevojshme për të nuk janë plotësuar kushtet dhe kriteret. Zoti Koka ka vazhduar me të njëjtat pyetje. Në gjykim tim nuk është një miratim final për procedurën.

Cani: Po ashtu është. Kemi një korrespondencë që bazohet në ligjin përkatës të kohës dhe VKM-së, nenin 19 i VKM, i cili kërkon një set dokumentesh që duhen plotësuar në mënyrë që Ministria e Financave të bëjë shqyrtimin dhe më pas të veprojë me alokimin e fondeve. Ne kemi refuzuar, mbështetur në kërkesat dhe aktet ligjore dhe nënligjore. Është normale që ne të kryenim kështu. Ndërkohë ka ardhur edhe një projekt-vendim ku kërkohej që të zbatohej një procedurë e veçantë lidhur me djegësin e mbeturinave ose inceneratorin. Kjo procedurë ka marrë përgjigje nga ne se nuk përputhet me ligjin për arsye se tri janë opsionet, nuk është në këto të treja dhe natyrshëm kemi thënë që nuk është brenda këtyre, prandaj kemi thëne: ‘merreni dhe gjeni një nga tri mënyrat’. Po ashtu, kërkojmë edhe të dhëna për firmën e që ne e shikojmë tek kapacitetet financiare nëse e përmbush këtë detyrë apo jo lidhur me investimin.

Tabaku: Ka pasur një komunikim të gjatë dhe ju keni refuzuar që kjo nuk është procedurë ligjore dhe ngrini shqetësimin për kompaninë me dy persona me një kapital prej 100 lekë…

Cani: Nuk e kam ngritur as me dy as me tre, sepse nuk e dija se çfarë është, kështu që të mos më vishet mua ky koment. Edhe me 100 mijë po të dale, mua më duhet të di a e ka kapacitetin. Eshtë një nga kërkesat financiare. Jo të gjitha firmat i kanë paratë e veta. Ato edhe marrin hua. Zgjidhjen e gjejnë vetë. Por, ne, si ministry, para se të japim para, duam ta dimë a janë në gjendje ta kryejnë atë aktivitet apo jo.

(r.m.)