Celibashi shpjegon procedurën e regjistrimit të votuesve në diasporë për zgjedhjet e 11 majit

Tiranë, 8 janar 2025 – Më 11 janar nis procesi i regjistrimit të votuesve shqiptarë jashtë vendit për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e ka shpjeguar gjithë procedurën e regjistrimit të votuesve në diasporë.

Celibashi ka theksuar se regjistrimi duhet të bëhet me kamerë të telefonit apo tabletit dhe konfirmohet pasi votuesi të identifikohet nga sistemi.

“Regjistrimi dhet të bëhet nëpërmjet aplikacionit KQZ-së, i cili duhet të shkarkohet në telefon smart, apo në tablet. Nëpërmjet faqes së ineternetit të KQZ-së duhet të hyjë në rubrikën “votues nga jashtë”, ku më pas akseson platformën e regjistruesve nga jashtë. Aty kryhet procedura e regjistrimit nga jashtë.

Duhet të hapet një llogari personale në “PER”, që është një proces shumë i thjeshtë. Duhet futur numri personal i identifikimit, datëlindja dhe vendlindja, një numër telefoni celular që nuk është shqiptar, një adresë e-maili dhe duhet të paraqitesh fizikisht para kamerës së telefonit. Sistemi e dallon nëse ka të bëjë me një person të gjallë apo me një fotografi. Nëse nuk je fizikisht para kamerës nuk e zhvillon dot më tutje procesin. Procesin e regjistrimit mund ta vijosh edhe në një moment të dytë.

Nëpërmjet telefonit apo kamerës së kompjuterit duhet të skanosh dokumentin e identifikimit. Kjo mund të kryhet edhe me anë të një dokumenti të pavlefshëm. Pastaj vjen një kod 6 shifror që do ta ngarkosh dhe me këtë përfundon procesi i regjistrimit. Duhet ngarkuar edhe dokumenti që tregon adresën e vendqëndrimit tënd apo ku pret të të dërgohet fleta e votimit. Të dhënat më pas konsultohen me të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile”, tha Celibashi në një intervistë në News24.

Celibashi e cilësoi si moment hitorik për zgjedhjet në Shqipëri pjesëmarrjen e shqiptarëve jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të vendit.

“Moment histori vota e diasporës! Tashmë shqiptarët do të votojnë kudo ku jetojnë pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Shqipërisë”, theksoi ai.

(r.m.)

Comment

*