Ceremonia e betimit të Trumpit do të zhvillohet brenda në Kapitol, për shkak të motit të ftohtë

Uashington, 17 janar 2025 – Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se inaugurimi i tij të hënën do të zhvillohet brenda ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington, për shkak të motit të ftohtë.

Kjo do të jetë hera e parë në 40 vjetët e fundit që një president amerikan e bën betimin brenda dhe jo jashtë ndërtesës.

“Një i ftohtë i Arktikut ka kapluar vendin. Nuk dua që njerëzit të dëmtohen, apo lëndohen në çfarëdo mënyre”, tha Trump të premten në rrjetin e tij social, Truth Social.

Hera e fundit kur inaugurimi i zhvillua brenda ndërtesës për shkak të ftohtit të madh, ishte betimi i ish-presidentit republikan, Ronald Reagan, për mandatin e dytë presidenciale më 1985.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka parashikuar se temperatura do të jetë rreth -6 gradë celsius gjatë mesditës së hënë kur do ta bëjë betimin Trumpi. Gjatë inaugurimit të dytë të Reaganit, temperatura kishte rënë -14 gradë celsius.

Trump tha se mbështetësit mund ta shikojnë ceremoninë në ekrane brenda Capital One Arena, një arenë sportive në qendër të Uashingtonit që ka kapacitet prej 20.000 ulësesh.

Ai gjithashtu tha se parada e tij presidenciale, e cila ishte planifikuar të përfshinte bende muzikore dhe grupe të tjera që do të kalonin nëpër “Pennsylvania Avenue” pranë Shtëpisë së Bardhë, do të zhvendoset brenda Capital One Arena. Nuk është e qartë se si do të zhvillohet një paradë brenda arenës sportive.

Trump tha se do t’i bashkohet turmës në arenën sportive pasi ta bëjë betimin.

I ftohti acar ka ndikuar në disa inaugurime të të kaluarën.

William Henry Harrison, presidenti i nëntë i SHBA-së, mbajti fjalimin më të gjatë të inaugurimit më 4 mars të vitit 1841, në kushte të lagështa dhe të ftohta, pa kapelë ose pallto.

Ajo ngjarje dhe ai fjalim mendohet të kenë ndikuar në vdekjen e tij nga pneumonia. Ai vdiq një muaj pas marrjes së detyrës, duke e bërë presidencën e tij më jetëshkurtrën në historinë amerikane.

Gjatë ceremonisë së dytë të betimit për presidentin, Ulysses S. Grant, më 4 mars 1873, disa kadetë dhe nënoficerë që qëndronin jashtë pa pallto, kolapsuan, ndërsa erërat e forta bënë që fjalimi i Grantit të mos dëgjohej as nga ata që ishin pranë tij në platformë, sipas një historie të botuar nga Shërbimi Kombëtar i Motit.

Temperatura e ulët e mëngjesit prej -15 gradë celsius atë ditë mbetet dita më e ftohtë e marsit në e regjistruar ndonjëherë në Uashington.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*