Çështje të Emigracionit: A mund ta shtyj qëndrimin me vizë vizitori?

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Kam ardhur në Shtetet e Bashkuara me vizë turistike. Më kanë shijuar pushimet dhe do të dëshiroja të qëndroja këtu pak më gjatë. Kam frikë se mund të jem tepër vonë, pasi vizën e kam vetëm për gjashtë muaj. Çfarë mund të bëj?

BB

Philadelphia, PA  

Departamenti i Sigurisë Kombëtare si dhe Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara e dinë që vizitorëve mund t’u pëlqejë të qëndrojnë në SHBA më shumë se sa e kanë planifikuar fillimisht. Vizitori mund të aplikojë për shtyrjen e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar aty të njëjtat aktivitete për të cilat iu dha leje në momentin kur ai/ajo u pranua të hyjë në vend. Është e rëndësishme që kërkesa për shtyrje të qëndrimit të paraqitet në kohë dhe siç duhet. Të huajt që vizitojnë Shtetet e Bashkuara mund të aplikojnë ose të rigjejnë në formularin e tyre “numrin” I-94 (që është dhe prova e statusit të ligjshëm të vizitorit) sikurse dhe historikun e kufizuar të udhëtimeve ku përfshihen hyrjet dhe daljet nga SHBA-ja. Ky informacion mund të gjendet në https://i94.cbp.dhs.gov/I94/#/home

Nëse koha e qëndrimit – siç tregohet në formularin I-94 (Arrival-Departure Record) ose në vulën e pasaportës – ka skaduar, si rregull USCIS-i nuk e aprovon shtyrjen e qëndrimit. Por, nëse besoni se rrethana të paparashikuara dhe që nuk vareshin nga ju u bënë pengesë që të aplikonit në kohë, atëherë, në aplikimin që do të paraqitni, duhet të shpjegoni këto rrethana si dhe të paraqisni dokumenta që provojnë atë që thoni.

Nëse kohëzgjatja e qëndrimit – siç tregohet në formularin I-94 ose në vulën e pasaportës – po i afrohet datës së skadimit, sigurohuni që ta dërgoni aplikimin në kohë, në mënyrë që USCIS-i ta marrë përpara skadimit të statusit. Nëse jeni të shqetësuar lidhur me skadimin e vizës, ju kujtojmë që viza shërben thjesht për t’ju mundësuar ardhjen në SHBA, ku me të mbërritur, mund të bëni kërkesë për të hyrë. Nuk është viza ajo që kontrollon kohëzgjatjen e qëndrimit. Kohëzgjatja e qëndrimit vendoset në momentin që pranoheni në SHBA.

Shtyrja e qëndrimit nuk bëhet automatikisht. Përpara se të vendosë nëse do t’jua aprovojë ose jo aplikimin, USCIS-i do të shqyrtojë situatën tuaj konkrete, statusin si dhe arsyet e shtyrjes së qëndrimit. Nëse jua aprovon shtyrjen, USCIS-i do të vendosë gjithashtu se sa do t’jua shtyjë qëndrimin. USCIS-i nuk do t’jua aprovojë shtyrjen nëse nuk justifikohet nga rrethanat.

Skadimi i I-94-ës shënon përfundimin e statusit tuaj të ligjshëm joemigrues, pra nuk keni më status, madje edhe nëqoftëse keni aplikuar në kohë për shtyrjen e qëndrimit. USCIS-i ka zakonisht liri veprimi për të vendosur nëse do ta shtyjë fillimin e proçedurave të deportimit deri pas gjykimit të peticionit që keni paraqitur dhe marrjes së vendimit nga ana e USCIS-it lidhur me shtyrjen e statusit tuaj joemigrues. Megjithatë, pavarësisht nga fakti që mund të jeni në pritje të një vendimi mbi peticionin për shtyrje qëndrimi, DHS-ja mund të kërkojë të fillojë proçesi i deportimit kundër jush. Ndonëse nuk keni në fakt një status joemigrues të ligjshëm, sa kohë që jeni në pritje të një vendimi lidhur me aplikimin për shtyrjen e qëndrimit të cilin e keni paraqitur përpara se t’ju skadonte formulari I-94, nuk akumuloni kohë “pranie të paligjshme”, gjë që do t’ju sillte probleme papranueshmërie në SHBA. 

Nëse aprovohet aplikimi për shtyrjen e qëndrimit, aprovimi zë fill duke nisur nga data e skadimit të formularit I-94, dhe si rrjedhim statusi juaj gjatë kohës së pritjes së vendimit do të konsiderohet i ligjshëm. Nëse aplikimi nuk aprovohet, mund t’ju kërkohet të largoheni menjëherë nga SHBA-ja. Përveç kësaj, viza joemigruese në pasaportë që ju është dhënë për kategorinë në fjalë bëhet e pavlefshme. Në momentin që viza bëhet e pavlefshme, nevojitet që aplikimin e ri për vizë ta paraqisni pranë konsullatës së SHBA-së në vendin tuaj (jo në një vend të tretë me përjashtim të rasteve të rralla siç vendos Departamenti i Shtetit të SHBA-së).

Pas aplikimit, USCIS-i do t’ju dërgojë me postë një letër (receipt).  Kjo letër përmban një numër i cili ju ndihmon të ndiqni ecurinë e aplikimit tuaj si dhe kohën që duhet me përafërsi për t’u marrë vendimi. Në letrën e USCIS-it do të gjeni gjithashtu dhe udhëzime lidhur me mënyrën se si mund ta përdorni numrin e lartpërmendur për të kontrolluar statusin e çështjes suaj në website-in e USCIS-it.

Si mund të punoj në mënyrë të ligjshme  në Amerikë duke qenë vizitor?

Gjendem në Amerikë me vizë vizitori 6 mujore. Kushëriri im më ka ofruar punë në restorantin e tij dhe do të doja të bëja ca para që t’i kem për t’i shpenzuar. E di që më duhet të kem numër pune për të punuar. Si të mund të siguroj leje për të punuar në mënyrë të ligjshme në SHBA?

JR

Nashville TN

Statusi i emigracionit që ka dikush dikton nëse ai ose ajo mund të punojë ose jo ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Vizat e vizitorit janë viza joemigruese që u jepen personave që dëshirojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përkohësisht për biznes (viza B-1) ose për turizëm, kënaqësi apo vizitë (viza B-2), apo një kombinim i të dyjave (viza B1/B2). Vizitorëve nuk u lejohet të pranojnë të punësohen në Shtetet e Bashkuara. Të punosh pa autorizim në SHBA ka pasoja. Nëse në të kaluarën keni punuar ndërkohë që kishit vizë B1/B2, gjasat që të merrni vizë në të ardhmen janë të pakta. Nëse keni keqpërdorur një vizë në të kaluarën, mund ta keni të vështirë ta bindni zyrtarin konsullor që në të ardhmen do ta përdorni vizën siç duhet.

Nëse nuk jeni nënshtetas amerikan, nevojitet që t’i paraqisni punëdhënësit dokumentacionin përkatës që dëshmon që keni leje për të punuar në Shtetet e Bashkuara.

  • Rezidentët e përhershëm mund ta përmbushin këtë kërkesë duke treguar kartën e  rezidentit të përhershëm (Green Card).
  • Refugjatët mund ta përmbushin këtë kërkesë duke treguar formularin I-94 (Arrival-Departure Record), në të cilin ka një vulë të kuqe që tregon se personi në fjalë ka leje për të punuar. 
  • Azilantët (personat të cilëve u është dhënë strehim politik në Shtetet e Bashkuara) mund ta përmbushin këtë kriter duke paraqitur një kartë sigurimi shoqëror që nuk skadon, dokumentin e autorizimit për punë ose formularin I-94 me vulën e kuqe që tregon që personi mund të punojë ligjërisht. 
  • Disa persona me viza joemigruese që përmbushin kriteret për të punuar për një punëdhënës të caktuar mund të paraqesin formularin I-94 me vizën joemigruese që tregon për kë është i autorizuar që të punojë personi në fjalë.
  • Pjesa dërrmuese e personave të tjerë, përpara se të fillojnë të punojnë në SHBA, nevojitet të paraqesin kërkesë për autorizim pune ose për dëshmi autorizimi për të punuar – bazuar në statusin që kanë –  dhe të pajisen me dokumentin e autorizimit për punë (EAD) që ta paraqesin si provë që u lejohet të punojnë në SHBA.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]

Comment

*