Nga Avokati Kieran Both
Çfarë të marrësh me vete në intervistë:
Sillni letrën e takimit për intervistë që keni marrë nga NVC-ja (ose – siç ndodh në disa raste – nga seksioni konsullor); Formularin me rezultatet e kontrollit mjekësor; Pasaportën përkatëse; Dokumentet e përditësuara të lëshuara gjatë 12 muajve të fundit. Dokumentet e gjendjes civile të lëshuara më shumë se një vit më parë konsiderohen të skaduara. Nëse këto dokumenta të gjendjes civile janë lëshuar më shumë se një vit më parë, sillni dokumentat origjinalë të përditësuar dhe/ose dokumentat financiarë, si p.sh. dokumentat e taksave, të cilat që nga koha kur ia patët dërguar për shqyrtim NVC-së, mund të kenë ndryshuar ose ndërkohë keni paraqitur të tjera. Nëse nuk paraqisni dokumenta që lidhen me çështjen, atëherë kërkesa do t’ju hidhet poshtë derisa nëpunësi konsullor të marrë dokumentat e duhura. P.sh. një dokument i rëndësishëm është çertifikata e lindjes që mban gjendjen tuaj civile të saktë. Nëse jeni martuar jashtë vendit dhe keni paraqitur një çertifikatë lindjeje ku rezultoni si i/e pamartuar, kërkesa juaj do të refuzohet derisa të paraqisni çertifikatën që tregon gjendjen tuaj të saktë civile. Nëse personi që ju ka sponsorizuar ka paraqitur një formular I-864 (Affidavit of Support) dhe në vend të dokumentit të shlyerjes së taksave (Federal Income Tax Return), i ka dhënë NVC-së dëshmi të një dokumenti për shtyrje të pagesës së taksave (IRS Federal Income Tax Extension), atëherë kur të shkoni për intervistë duhet të sillni dokumentin më të fundit të taksave të sponsorit tuaj. Merrni me vete në intervistë dhe kopjet e të gjithë dokumentave, aplikimin për vizë si dhe formularët shtesë. Në disa raste, nëpunësit e konsullatës kërkojnë kopje të të gjitha dokumentave.
Pasi të keni marrë njoftimin nga NVC-ja ku tregohet data e takimit për intervistë, krijoni një llogari në adresën e internetit albania.usvisa-info.com dhe ndiqni udhëzimet përkatëse lidhur me mënyrën si të regjistroheni që pas përfundimit të çështjes, t’ju mundësohet rikthimi i pasaportës nëpërmjet shërbimit që ofron DHL-ja dhe/ose dorëzimi i dokumentave, nëse diçka e tillë kërkohet nga nëpunësi konsullor. Printoni faqen e konfirmimit të DHL-së dhe silleni me vete në ditën e takimit. Mosregjistrimi për marrjen e shërbimit me DHL, do t’ju krijojë vonesa në procesimin e çështjes suaj.
Përpara takimit përfundimtar për intervistë për vizë emigruese, të gjithë aplikantëve u kërkohet t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor që duhet kryer vetëm nga mjekët e autorizuar nga ambasada për këtë qëllim. Këtë kontroll mjekësor, duhet ta kryeni egzaktësisht tre javë para datës së intervistës. Nevojitet gjithashtu të printoni formularin përkatës të kontrollit mjekësor i cili gjendet në faqen e internetit “Medical Examination” të Department of State’s Bureau of Consular Affairs (Zyra për Çështjet Konsullore pranë Departamentit të Shtetit), ta lexoni me kujdes, ta plotësoni siç duhet dhe më pas t’ia paraqisni një prej mjekëve të panelit. Për koston e kontrollit mjekësor duhet të përgjigjeni ju vetë. Kërkohet gjithashtu të kryhet kontroll mjekësor për secilin nga fëmijët që do t’ju shoqërojnë. Kur të shkoni për kontroll mjekësor, duhet të sillni me vete dhe letrën e takimit për intervistë. Mos i dërgoni rezultatet e kontrollit mjekësor në ambasadë përpara ditës së intervistës. Këto dokumenta do t’ju kërkohet t’i paraqisni ditën e takimit për intervistë. Gjithashtu, mos dërgoni radiografi ose CD në ambasadë.
Kur të arrini për intervistë:
Me të mbërritur, ju lutemi të shkoni në hyrjen e seksionit konsullor për të marrë udhëzime të mëtejshme. Mos shkoni më shumë se 15 minuta më herët se koha e takimit; Të gjithë aplikantët për vizë emigruese, pavarësisht nga mosha, duhet të paraqiten vetë për intervistë; Mos sillni anëtarë të familjes ose persona të tjerë në konsullatë. Vetëm ata që aplikojnë për viza mund të lejohen të hyjnë. Bëhen përjashtime vetëm për aplikantët që kanë nevojë për ndihmë fizike.
Gjatë të gjithë kohës, tregohuni të sinqertë me nëpunësin konsullor. Mos besoni gjithçka që ju thonë miqtë tuaj se ku të aplikoni dhe se cilat dokumente të merrni me vete në intervistë. Konsultohuni me një avokat emigracioni. Mos e bazoni të gjithë aplikimin tuaj konsullor në informacionin e gjetur në internet. Rregulloret e brendshme nuk përditësohen gjithmonë. Vishuni në mënyrë profesionale për intervistë. Mos e ndërprisni nëpunësin konsullor. Tregoni respekt dhe profesionalizëm, edhe atëherë kur jeni të mendimit se zyrtari konsullor e ka gabim.
Mbajeni pasaportën tuaj të vlefshme gjatë gjithë kohës. Në përgjithësi, pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme për të paktën 6 muaj nga data e aplikimit për vizë. Të dhënat për mbërritjen/nisjen të formularit I-94 lëshohen të tilla që të mos kalojnë datën kur skadon pasaporta. Ditën e intervistës në konsullatë, merrni me vete dokumentet origjinale.
Tarifat për vizat emigruese:
Pasi të merrni vizën emigruese nga Departamenti i Shtetit dhe përpara se të niseni për në Shtetet e Bashkuara, duhet t’i paguani USCIS-it tarifën përkatëse. Nëse nuk mund ta paguani këtë tarifë, një anëtar i familjes, mik, punëdhënës, avokat ose përfaqësues i akredituar mund të paguajë për ju. Cilido që do të paguajë tarifën për ju, do të ketë nevojë për numrin tuaj të të huajit (A number) dhe ID-në e çështjes që keni paraqitur pranë Departamentit të Shtetit (DOS-së). Gjithashtu egziston opsioni për ta paguar tarifën pasi të mbërrini në Shtetet e Bashkuara. Nëse zgjidhni këtë opsion, DOS-ja do t’ju dërgojë njoftimin për kërkesë pagese me udhëzimet përkatëse që kanë të bëjnë me pagesën e kësaj tarife. Nuk e merrni dot green card-ën pa i paguar më parë tarifën në fjalë USCIS-it. Ambasada ose konsullata e SHBA-së do t’ju japë: atë që quhet A-Number (shkronja “A” e ndjekur nga 8 ose 9 numra); numrin e identifikimit të çështjes DOS Case ID (3 shkronja të ndjekura nga 9 ose 10 numra); Udhëzimet lidhur me pagesën pranë USCIS-it të tarifës përkatëse; Përmbledhjen e të dhënave përkatëse të personit që po emigron (emri, mbiemri, gjendja civile etj.); si dhe pakon e mbyllur të vizës emigruese. Paguani tarifën në adresën e mëposhtme: https://my.uscis.gov/uscis-immigrant-fee/
KUJDES:
Nëse keni pasur ndonjëherë ndonjë precedent penal, qoftë kjo dhe gjobë për shkelje të rregullave të trafikut, ju këshillojmë t’ia jepni këtë informacion avokatit tuaj PËRPARA intervistës në konsullatë. Tregojini avokatit tuaj të gjitha rastet kur ju kanë refuzuar vizën si dhe arsyet pse jua kanë refuzuar, ashtu si i keni interpretuar ju vetë. Nëse informacioni nuk gjendet në sistemin e konsullatës, viza nuk do të lëshohet.
Nëse po ktheheni për ta kryer intervistën në Shqipëri, MOS u largoni nga SHBA-ja pa u konsultuar më parë me një avokat imigracioni për t’u siguruar nëse kualifikoheni ose jo për të aplikuar për vizë jashtë vendit si dhe për të rihyrë në SHBA. Mos aplikoni në asnjë konsullatë për një vizë joemigruese pa u njohur më parë me rregulloren aktuale të asaj konsullate.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]