Nga Avokati Kieran Both
Pasi të plotësoni formularin DS-260, ju dhe secili anëtar i familjes që do të emigrojë së bashku me ju, DUHET të mbledhni dokumentat e gjendjes civile që kërkohen në mbështetje të aplikimit të paraqitur për vizë.
Dokumentat e gjendjes civile DUHET të merren pranë zyrave përkatëse të vendit përkatës. Ju lutemi, vini re se të gjitha dokumentat që nuk janë shkruar në anglisht, ose në gjuhën zyrtare të vendit nga i cili po aplikoni, duhet të shoqërohen me përkthime të çertifikuara. Përkthimi duhet të përfshijë dhe një deklaratë të nënshkruar nga përkthyesi në të cilën thuhet se përkthimi në fjalë është i saktë dhe përkthyesi është kompetent për të përkthyer.
Njoftim i rëndësishëm lidhur me dokumentat që mungojnë: Nëse sipas udhëzimeve specifike të vendit përkatës, ndonjë nga dokumentat e kërkuar nuk mund të gjendet, nuk është e nevojshme ta skanoni dokumentin në CEAC-in (faqja e qendrës konsullore të aplikimeve elektronike) tuaj. Megjithatë, nëse nuk keni mundësi të merrni një nga dokumentet e kërkuar për një arsye tjetër nga ajo që sapo përmendëm, kur të skanoni dokumentet e tjerë, duhet të paraqisni një shpjegim të detajuar me shkrim pranë NVC-së të arsyes pse. Gjatë intervistës suaj për vizë, zyrtari konsullor do të vendosë nëse duhet medoemos të merrni dokumentin që mungon përpara se të mund t’ju jepet viza. Si rregull, çdo dokument që në udhëzimet specifike të vendit përkatës listohet si “i disponueshëm” duhet të merret në shqyrtim nga zyrtari konsullor. Paaftësia për të marrë të gjitha dokumentet e kërkuara do të sjellë vonesa në çështjen tuaj.
Dokumentat shqiptarë të paraqitur si pjesë e procesit të aplikimit për vizë në SHBA nuk duhet të jenë lëshuar më shumë se një vit nga data kur do të paraqiten.
Çertifikatat e Lindjes
Ju dhe secili anëtar i familjes që do të emigrojë së bashku me ju duhet të merrni një certifikatë lindjeje origjinale ose në mungesë të saj, një kopje të çertifikuar.
Dokumentat e Adoptimit
Nëse fëmija që ka në mend të emigrojë me prindin është i birësuar dhe nëse aplikimi i fëmijës për të emigruar bazohet në një marrëdhënie prind-fëmijë, atëherë duhet të paraqisni dokumentet e mëposhtme të kujdestarisë. Nëse jeni prindi birësues dhe/ose peticioneri, atëherë duhet të siguroni: Një kopje të çertifikuar të dekretit të birësimit; dekreti ligjor për marrjen nën kujdestari nëse marrja nën kujdestari ka ndodhur para birësimit dhe një deklaratë që tregon datat dhe vendet ku fëmija ka banuar me prindërit birësues. Nëse fëmija është birësuar në moshën 16 ose 17 vjeç, duhet të paraqisni dëshmi se fëmija është birësuar me, ose në vijim të birësimit të një vëllai ose motre natyrale nën moshën 16 vjeç nga i njëjti/të njëjtët prind/ër birësues.
Dokumentat e peticionerit
Nëse po aplikoni për një vizë IR5 si prindi i një nënshtetasi amerikan ose për një vizë F4 si vëllai ose motra e një nënshtetasi amerikan: Duhet të merrni një certifikatë lindjeje origjinale të peticionerit ose një fotokopje të çertifikuar. Nëse po aplikoni për një vizë IR1, CR1 ose F2A si bashkëshorti i një nënshtetasi amerikan ose i një rezidenti të përhershëm të ligjshëm dhe bashkëshorti juaj që ka paraqitur peticionin ka qenë i martuar më parë: Duhet të merrni dëshmi të zgjidhjes të të gjitha martesave të mëparshme të bashkëshortit tuaj. Kjo dëshmi duhet të jetë një kopje origjinale ose e çertifikuar e një prej dokumenteve të mëposhtëm: dekreti ligjor përfundimtar i divorcit, certifikata(t) e vdekjes, ose dokumenti i anulimit të martesës;
Fotokopje e faqes së të dhënave biografike të pasaportës aktualisht të vlefshme
Ju dhe secili anëtar i familjes që do të emigrojë me ju duhet të paraqisni një fotokopje të faqes së të dhënave biografike të pasaportës që është aktualisht e vlefshme, pra nuk ka skaduar. Faqja e të dhënave biografike është faqja që përmban fotografinë tuaj, emrin, datën dhe vendin e lindjes.
Çertifikatat e martesës
Nëse jeni ose keni qenë i/e martuar duhet të siguroni çertifikatën/at origjinale të martesës ose fotokopje të çertifikuara të secilës prej tyre.
Dëshmitë e zgjidhjes të të gjitha martesave të mëparshme
Nëse keni qenë i/e martuar më parë, duhet të siguroni dëshmitë e zgjidhjes të të gjitha martesave të mëparshme. Këto dëshmi duhet të jenë origjinale ose fotokopje të çertifikuara të një prej dokumentave të mëposhtëm (dekreti ligjor përfundimtar i divorcit, çertifikatë/a vdekjeje, ose dokumentat e anulimit të martesës.
Dokumentat e shërbimit ushtarak
Nëse keni kryer shërbimin ushtarak në cilindo vend, duhet të siguroni një fotokopje të të gjithë dokumentave që kanë të bëjnë me shërbimin ushtarak.
Procesverbalet e Gjykatës dhe të Burgut
Nëse jeni dënuar për ndonjë krim, DUHET të siguroni një fotokopje të çertifikuar të të gjithë proçesverbaleve gjyqësore dhe atyre të burgimit, madje edhe në rast se më vonë keni përfituar nga ndonjë amnisti, falje apo akt tjetër i kësaj natyre.
Police Records
Nëse jeni 16 vjeç e lart, duhet të merrni një fotokopje të një çertifikate policie nga të gjitha vendet ku keni jetuar sipas kritereve të mëposhtme:
Nëse jeni 16 vjeç e lart dhe keni jetuar në shtetin nga keni marrë kombësinë për më shumë se 6 muaj gjatë çfarëdolloj periudhe të jetës tuaj, atëherë duhet të paraqisni një çertifikatë policie nga shteti që ju ka dhënë kombësinë. Nëse jeni 16 vjeç e lart dhe keni jetuar në vendin aktual të banimit (i ndryshëm ky nga ai i kombësisë) për më shumë se 6 muaj, atëherë dorëzoni një çertifikatë policie nga vendi aktual i banimit.
Nëse keni jetuar ndonjëherë në një vend tjetër për 12 ose më shumë muaj dhe keni qenë 16 vjeç e lart në kohën kur keni jetuar atje, atëherë duhet të paraqisni një çertifikatë policie nga vendi ku keni jetuar. Nëse jeni arrestuar për ndonjë arsye, pavarësisht se sa kohë keni jetuar në atë qytet ose vend, dhe pavarësisht nga mosha që keni patur, duhet të paraqisni një çertifikatë policie nga qyteti dhe/ose vendi ku jeni arrestuar.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]