Tani mund të ndjekësh ecurinë e procesimit të formularëve I-765 dhe I-131 si dhe të bësh komente lidhur me vonesat
Nga Avokati Kieran Both
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) ka njoftuar se po zgjeron shërbimin my Progress (që njihej më parë si personalized processing times). Zgjerimi në fjalë jep mundësinë për të ndjekur ecurinë e procesimit të dy formularëve të tjerë: formularit I-765, Application for Employment Authorization dhe atij I-131, Application for Travel Document. Shërbimi myProgress u lejon aplikantëve të hynë në llogarinë e tyre në internet, të shohin llogaritjen e përafërt dhe të personalizuar të kohës së pritjes për secilin nga hapat kryesorë përbërës të çështjeve personale për të cilat interesohen, përfshirë këtu dhe vendimin përfundimtar mbi çështjen. Llogaritjet e përafërta bazohen në të modelet e kaluara të çështjeve të ngjashme, por nuk përbëjnë garanci për shpejtësinë me të cilën do të ecë çështja konkrete dhe nuk mund të marrin parasysh të gjitha vonesat e mundshme dhe të veçanta të shqyrtimit të aplikimit në fjalë si dhe mund të mbi- ose nënvlerësojnë kohën reale që nevojitet për procesimin e çështjes.
Nuk janë vetëm aplikantët që kanë paraqitur formularët I-765 dhe I-131 që përfitojnë nga shërbimi myProgress; ky shërbim është vënë në dispozicion dhe të aplikantëve që kanë të hapur një llogari pranë USCIS-it dhe kanë paraqitur formularët N-400, Application for Naturalization; I-90, Application to Replace Permanent Resident Card; ose I-130, Petition for Alien Relative.
Për të parë llogaritjet e përafërta të afateve kohore për çështjet e paraqitura, si fillim, aplikantët duhet të krijojnë një llogari online në faqen në internet të USCIS-it https://www.uscis.gov/file-online/how-to-create-a-uscis-online-account ose te hyjnë në llogarinë që kanë aktualisht dhe të zgjedhin aty aplikimin që i kanë paraqitur emigracionit. Nëse kanë aplikuar përmes internetit (e-file) ose kanë lidhur një prej formularëve të aplikueshëm me llogarinë e tyre në internet duke përdorur kodin online të hyrjes, aplikantët do të shohin tab-in myProgress që i korrespondon aplikimit të tyre. Aty do të mund të gjejnë se sa kohë do t’u duhet të presin përafërsisht derisa të dalë vendimi për çështjen, si dhe cilët nga hapat kryesorë të çështjes janë kryer me sukses: konfirmimi që është marrë aplikimi; konfirmimi që është kryer takimi për të dhënat biometrike (nëse kërkohen); si dhe vendimi përfundimtar për çështjen. Gjithsesi, nëse aplikantët duan të shohin nëse kualifikohen për të paraqitur kërkesë për përshpejtim të procesimit të çështjes që kanë paraqitur, nevojitet që të kontrollojnë faqen e internetit të hapur për të gjithë: Check Case Processing Times.
Raporti vjetor i USCIS-it lidhur me grumbullimet e çështjeve të prapambetura
Më 30 qershor 2023, Ombudsman-i (Avokati i Popullit) i USCIS-it nxorri raportin vjetor për këtë vit. Raporti trajton disa nga sfidat me të cilat përballet agjencia në fjalë, të cilat kanë komplikuar më tej përpjekjet e USCIS-it për t’i dhënë drejtim problemit të “kapicës” së çështjeve që presin zgjidhje si dhe vonesave në procesimin e çështjeve, vonesa këto që kanë kapur nivele krize. Mungesa e progresit në këtë drejtim ka frustruar shumicën e aplikantëve.
Falë, kryesisht, 275 milionë dollarëve nga Kongresi Amerikan, USCIS-i qe në gjendje të punësonte personel shtesë dhe të kryente një sasi të konsiderueshme pune. Në vitin 2022, USCIS-i arriti të procesojë mbi një milion aplikime për natyralizim, duke reduktuar me 62% “kapicën” neto të çështjeve të prapambetura. Gjithashtu u reduktuan dhe vonesat në procesimin e disa formularëve të rëndësishëm si ato të aplikimit për leje pune (EAD), për të cilët koha e procesimit ra në 5.5 muaj për rastet që bazoheshin në aplikimet për ndreqje statusi (green card) dhe në 2 muaj për ato që bazoheshin në aplikimet për azil.
Megjithatë, numri i përgjithshëm i çështjeve të prapambetura që presin zgjidhje vazhdon të rritet, duke iu afruar shifrës 9 milionë, dhe kohët e procesimit për lloje të caktuara formularësh kanë arritur nivele që tejkalojnë shifrat e vetëm pak viteve më parë. Tani ka më shumë se 850% rritje të kohës së procesimit për formularë ku aplikanti kërkon të bëhen përjashtime për të (waivers) si ai I-601A, rritje kjo që çon në vështirësi në planin personal, në familje që rrinë të ndara, ngushtica financiare si dhe çrregullime në bizneset amerikane.
Si rezultat i krizave humanitare, ka të ngjarë që USCIS-i të shohë një rritje të volumit të formularëve të marrë, si ato të lejeve të udhëtimit, të autorizimeve për të punuar si dhe aplikimeve për strehim politik, gjë që do të përkeqësojë më tej numrin e çështjeve të prapambetura si dhe vonesat në procesimin e këtyre çështjeve.
Avokatët e Emigracionit të Shoqatës Amerikane të Juristëve të Emigracionit (AILA) i kanë paraqitur disa rekomandime USCIS-it për mënyrën se si mund të reduktohen pengesat në shërbime dhe i kanë kërkuar Kongresit të sigurojë shuma të tjera për t’i ardhur në ndihmë kësaj agjencie, të ngjashme me shumat e marra gjatë vitit të kaluar fiskal. USCIS-i duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të reduktuar më tej pengesat dhe për të ulur mungesën e efikasitetit në procesimin e çështjeve. U lutemi lexuesve tanë të bashkohen me ne dhe të hidhen në veprim duke kontaktuar përfaqësuesit e tyre në Kongres që ata të ndërmarrin masat e nevojshme për të eliminuar pengesat që u janë vënë të mirave dhe shërbimeve që ofron emigracioni, për të përshpejtuar procesimin e çështjeve duke zvogëluar kështu kapicën e çështjeve të prapambetura që presin zgjidhje. Ju lutemi të ndani historitë tuaja personale ose të jepni shembuj të rasteve kur vonesat e tepërta në procesimin e çështjeve, proceset joefikase dhe shërbimi joefektiv kanë qenë me pasoja për ju dhe familjet juaja. Me ndihmën tuaj, ne mund të bëjmë të mundur që USCIS-i të marrë ndihmën e nevojshme për hartimin e një plani që do t’i japë drejtim gjërave dhe ku ecja përpara nuk do të mbetet thjesht një premtim, por do të bëhet realitet.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]