Çfarë do të thotë për Serbinë njohja de facto e Kosovës?

Njohja de facto e Kosovës – kjo është ajo që pritet nga Serbia.

Mesazhe të tilla kanë mbërritur ditët e fundit nga disa adresa evropiane – fillimisht nga liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, e më pas nga presidenti i Komisionit Evropian.

Toby Vogel nga Këshilli Ndërkombëtar për Politikat e Demokratizimit në Bruksel vlerësoi se kjo është një ashpërsim i fjalorit nga Bashkimi Evropian.

“Njohja de facto nuk është thënë në mënyrë eksplicite më parë, por ka qenë gjithmonë evidente se një zgjidhje gjithëpërfshirëse në fund të dialogut do të nënkuptonte se Serbia në një farë mënyre njeh sovranitetin e Kosovës. Tani jemi në fazën kur kjo thhet qartë”, deklaroi Vogel për Evropën e Lirë (edicioni në gjuhën serbe).

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë më 30 tetor, tha se Kosova duhet të krijojë një Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kurse Serbia de fakto ta njohë Kosovën.

Një ditë më vonë, në Beograd, ajo shpjegoi se njohja de fakto e Kosovës nënkupton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ndër të tjera parasheh edhe njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia.

Në Marrëveshjen e Ohrit nuk përmendet njohja e Kosovës, por marrëveshja parasheh që Serbia të njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të respektojnë reciprokisht integritetin territorial dhe sovranitetin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt në Bruksel arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe më 18 mars, një aneks të zbatimit të kësaj marrëveshjeje u dakordua në Ohër.

Serbia dhe Kosova po negociojnë nën patronazhin e BE-së për të normalizuar marrëdhëniet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Analisti Toby Vogel vlerësoi se qëndrimi i Brukselit është ashpërsuar edhe sepse Serbia po thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk e obligon atë.

“Këtë e ka treguar presidenti Vuçiq në deklaratat e tij. Çdo vëzhgues neutral do të konkludonte se nuk ka marrëveshje të Ohrit”, tha Vogel.

Thirrja drejtuar Beogradit për të njohur de fakto Kosovën paraqet ndryshim të qëndrimit të mëparshëm se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i Prishtinës.

Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ishte dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015 konstatoi se marrëveshja nuk ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën.

Tani thuhet se zbatimi i marrëveshjes duhet të shkojë paralelisht, pra që edhe Prishtina edhe Beogradi të kryejnë obligimet e tyre.

Ky ndryshim vjen pas ngjarjeve në Banjskë më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës. Atëherë u vra një polic i Kosovës, si dhe tre sulmues.

“Sa i përket Banjskës, mendoj se do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të kthehej në rrjedhën e zakonshme të dialogut, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, beson Vogel.

Çfarë porositën zyrtarët evropianë dhe amerikanë?

Para Presidentes të Komisionit Evropian, pritshmërinë se Serbia de facto duhet ta njohë Kosovën e kanë shprehur liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe Georgia Meloni më 27 tetor në një deklaratë të përbashkët.

Ata thanë se të dyja palët “duhet t’i përmbushin obligimet e tyre paralelisht hap pas hapi”.

Për nevojën e zbatimit paralel ka folur edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, transmeton Telegrafi.

Ai në një postim në Facebook më 30 tetor ka thënë se edhe Serbia ka shumë obligime të papërmbushura nga Marrëveshja.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill nuk ka dashur të komentojë mesazhet për njohje de facto, por ka thënë se “po flasim për elemente konkrete që janë në tavolinë dhe për të cilat besojmë se janë dakorduar nga të dyja palët”.

Më 31 tetor, ai u tha gazetarëve se elementi më i madh, që është më i rëndësishmi për Serbinë, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por ai shtoi se ka disa elementë të tjerë dhe “ato kanë të bëjnë me dëshirën e Kosovës për ndërkombëtarizim më të madh”.

Çfarë është njohja de facto?

Vesna Rakiq Vodineliq, profesoreshë e drejtësisë në Beograd, tha se nuk ka një përkufizim të përgjithshëm të njohjes de facto që do të ishte i zbatueshëm për të gjitha rastet, por vendoset rast pas rasti.

Ajo tha se në këtë rast presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se kjo ishte përmbushje e Marrëveshjes së Ohrit.

“Kjo nuk do të thotë se Serbia e pranon se Kosova është shtet i pavarur, por është e qartë se në Evropë kjo konsiderohet se njohja de facto e përcaktuar në këtë mënyrë është e mjaftueshme”, shtoi ajo.

Toby Vogel nga Këshilli për Politikë Demokratike thotë se është e rëndësishme ajo që specifikohet në marrëveshje – se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk do të bëjë fushatë kundër njohjes së Kosovës.

Ai përkujtoi se Serbia votoi kundër pranimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill, pas Marrëveshjes së Ohrit.

“Por ajo që është bërë më e qartë është se mosdurimi ndaj Serbisë po rritet në Perëndim dhe se hapësira e presidentit Vuçiq për manovrim vërtetë është ngushtuar”, tha Vogel.

Marrëveshja nga Brukseli dhe Ohri parashikon që palët të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet e tyre kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Parashihet përfundimi i negociatave për statutin e instrumentit të vetëqeverisjes së serbëve të Kosovës, përkatësisht Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më pas do të pasonte themelimi i atij Asociacioni, që  do të pasohej me shfuqizimin e strukturave që administrohen nga Serbia në Kosovë.

Marrëveshja përfshin këmbimin e misioneve të përhershme (diplomatike) që do të krijohen në selinë e qeverive.

Gjithashtu parashihet formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe një nivel i fuqishëm i mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, transmeton Telegrafi.

Në fund, parashikohet fillimi i negociatave për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë.

Vuçiq: Harrojeni njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar vazhdimisht se Beogradi është i gatshëm të përmbushë gjërat “që nuk nënkuptojnë njohjen de facto apo de jure të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja”.

Gjatë fjalimit të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, ai tha se nuk e ka të vështirë të thotë para saj se njohja e Kosovës për Serbinë nuk është çështje.

Vuçiq tha se “ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato obligime”, por se Serbia nuk mund të bëjë atë që është kundër Kushtetutës së saj.

Sipas Kushtetutës, Kosova është pjesë e Serbisë.

Megjithatë, Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit vë në dukje se nëse jeni dakord me një marrëveshje ndërkombëtare që është në kundërshtim me Kushtetutën tuaj, dhe për çfarëdo arsye që besoni se një marrëveshje e tillë duhet të arrihet, atëherë duhet të gjeni një mënyrë për të ndryshuar Kushtetutën.

Nuk është e mundur, sipas Vogel, të pajtohesh me një marrëveshje dhe në të njëjtën kohë të refuzosh zbatimin e saj.

“Unë e kuptoj që është politikisht e papërshtatshme. Por ideja që ju nuk pajtoheni me diçka sepse është kundër Kushtetutës nuk qëndron. Sepse në atë rast humbëm 12 vjet në një dialog që nuk të çon askund”, tha Vogel.

Ai përkujtoi se qëllimi përfundimtar i dialogut është normalizimi i gjithanshëm i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Tani, nëse e quani normalizim për ta bërë të këndshëm për opinionin serb, ose e quani njohje de facto, kjo është semantikë”, vlerëson Vogel.

Marrëveshja e Ohrit, për të cilën u dakorduan liderët e Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së, nuk është nënshkruar.

Mirëpo, profesoresha e drejtësisë Vesna Rakiq Vodineliq tha se sipas Konventës së Vjenës, edhe një marrëveshje e arritur gojarisht konsiderohet se prodhon efekt juridik.

“Marrëveshjet ndërkombëtare funksionojnë edhe kur nuk nënshkruhen. Ato mund të arrihen verbalisht. E dëgjuam Borellin të thotë se edhe Vuçiq edhe Kurti janë pajtuar për përmbajtjen e asaj marrëveshjeje”, tha ajo, transmeton Telegrafi.

Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, më 27 shkurt pas takimit me Vuçiqin dhe Kurtin deklaroi se të dyja palët e kanë pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Zgjedhjet në Serbi si një shtyrje e re?

Ndërkohë në Serbi janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për mesin e dhjetorit.

Sipas analistit Toby Vogel, kjo është një vonesë e mëtejshme në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai kujton gjithashtu se pas kësaj do të pasojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe administratën e re të BE-së.

Megjithatë, Vogel beson gjithashtu se Perëndimi nuk dëshiron të bëjë shumë presion mbi Vuçiqin, sepse “ata nuk duan të rrezikojnë një kolaps të plotë të dialogut”.

“Dhe nuk do të habitesha nëse tani do të kishte një qëndrim se ai duhet të lejohet të merret me fushatën parazgjedhore dhe që pas zgjedhjeve të ketë një mandat të fortë që të pajtohet me marrëveshjen e normalizimit me Kosovën”, tha Vogel.

Megjithatë, ai shton se është skeptik nëse është kështu.

“Nëse ai do të donte të pajtohej me zbatimin – që nuk pretendoj se është politikisht i lehtë para publikut vendas – ai mund ta kishte bërë tashmë”, përfundon Vogel.

Ndërkaq, zyrtarë evropianë dhe amerikanë thonë se duhet të arrihet sa më parë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

(Telegrafi)