Çfarë duhet të bëni pasi të keni marrë nënshtetësinë amerikane

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Sapo kalova provimin, mora pjesë dhe në ceremoninë e rastit dhe u bëra nënshtetas amerikan. A ka ndonjë gjë tjetër që më duhet të bëj tani?

BD

Çikago, IL

Urime dhe mirëseerdhe, o nënshtetas i ri amerikan! Tashmë edhe ju bëheni një pjesë e rëndësishme e historisë së Amerikës si një komb emigrantësh. Ceremonia e natyralizimit ka përfunduar dhe keni marrë çertifikatën e natyralizimit. Çfarë duhet të bëni pas ceremonisë? 

Regjistrohu për të votuar

Pjesëmarrja si votues në zgjedhje është një përgjegjësi që vjen bashkë me nënshtetësinë amerikane. Si nënshtetas amerikan, keni të drejtë të votoni. Ushtroni të drejtat tuaja dhe regjistrohuni që sot për të votuar aty ku banoni (shtetin, territorin ose Distriktin e Kolumbias). Për informacion të mëtejshëm lidhur me votimin, mund të shihni udhëzuesin Voter’s Guide to Federal Elections si dhe duhet të këshilloheni me përfaqësuesit e qeverisë lokale dhe të shtetit përkatës lidhur me afatet e regjistrimit dhe të zgjedhjeve. https://www.eac.gov/voters/voters-guide-to-federal-elections

Përditësoni të dhënat tuaja pranë Administratës së Sigurimeve Shoqërore

Është e rëndësishme t’i jepni Administratës së Sigurimeve Shoqërore (SSA-së) dëshmi që tregon se jeni nënshtetas i SHBA-së si dhe të krijoni ose përditësoni të dhënat tuaja pranë SSA-së. Pasi të merrni certifikatën e natyralizimit, duhet të dorëzoni Formularin SS-5, Application for a Social Security Card (PDF), në mënyrë që të përditësoni të dhënat tuaja pranë SSA-së. Aplikimin mund ta dërgoni me postë ose ta dorëzoni vetë në zyrën lokale të SSA-së. Shënim: Ju lutemi të prisni të kalojnë të paktën 10 ditë nga ceremonia e natyralizimit për të përditësuar të dhënat pranë SSA-së. Gjithashtu mund të regjistroheni për të krijuar një llogari në internet, mund të kërkoni një zëvendësim të kartës suaj të Sigurimeve Shoqërore, përditësimin e emrit tuaj ligjor si dhe mund të mësoni në faqen e internetit të SSA-së rreth të mirave që keni mundësi të përfitoni. Regjistrohuni për të krijuar llogarinë tuaj të sigurimeve shoqërore “My Social Security”. Krijimi i kësaj llogarie do t’ju mundësojë që të hyni dhe të përdorni shërbimet që SSA-ja ofron nëpërmjet internetit. Regjistrimin mund ta bëni në faqen e internetit të SSA-së: https://www.ssa.gov/

Bëni aplikim për një kartë të re ose për zëvendësimin e kartës së Sigurimeve Shoqërore. SSA-ja ju mundëson të aplikoni për këtë kartë nëpërmjet internetit. Vizitoni faqen ssa.gov për të mësuar më shumë lidhur me mënyrën sesi mund të zëvendësoni kartën e sigurimeve shoqërore. Përditësoni dhe emrin e ri ligjor. Nëse e keni ndryshuar emrin e ligjshëm dhe ju duhet ta përditësoni apo ta korrigjoni në kartën e sigurimeve shoqërore, udhëzimet për këtë qëllim mund t’i gjeni në faqen e internetit të SSA-së. 

Shihni dhe informohuni lidhur me shtesat në të ardhura që mund të përfitohen. Mund të kualifikoheni për të ardhura shtesë që merren nëpërmjet programit të krijuar për këtë qëllim (SSI). Faqja e internetit e SSA-së ka gjithashtu informacion rreth përfitimeve që mund të ofrojë programi SSI.

Apliko për pasaportë amerikane 

Përveç çertifikatës së natyralizimit, edhe pasaporta amerikane shërben si dëshmi zyrtare e nënshtetësisë. Si qytetar amerikan, tashmë keni të drejtë të pajiseni me pasaportë amerikane. Për këtë, kur të aplikoni për pasaportë amerikane, do t’ju duhet të dorëzoni Çertifikatën origjinale të Natyralizimit DHE një fotokopje të saj. Vizitoni faqen e internetit të Departamentit të Shtetit për të aplikuar për pasaportë amerikane. https://travel.state.gov/content/travel/en/passports.html

Shënim: USCIS-i nuk ndalon përdorimin e fotokopjeve të çertifikatave në rastet kur paraqiten prova të nënshtetësisë amerikane për arsye zyrtare, si p.sh. pranë Departamentit të Shtetit. 

Përditësoni të dhënat tuaja pranë agjencisë që lëshon patentat e shoferit në shtetin ku banoni 

Nëse keni patentë shoferi në SHBA ose kartë/dokument identifikimi të lëshuar nga shteti (ID), mund të përditësoni të dhënat tuaja në agjencinë që merret me lëshimin e patentave të shoferit, në shtetin ku banoni. Kjo agjenci quhet Department of Motor Vehicles (DMV). Për të përditësuar adresën apo emrin ligjor në ID-në e lëshuar nga DMV-ja, kontaktoni agjencinë e DMV-së në shtetin ku banoni. Për të kërkuar DMV-në e shtetit ku banoni, përdorni USA.gov në faqen https://www.usa.gov/motor-vehicle-services

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]