Bashkë-kryetari i Kaukusit Shqiptar në Kongresin Amerikan i bën thirrje FBI-së që të hetojë
Nga Ruben Avxhiu
Kongresisti Ritchie Torres që përfaqëson një zonë në Bronx, që përfshin edhe lagjen rreth Arthur Avenue-së shqiptarëve, ka bërë thirrje që FBI të hetojë shtëpinë e disa prej diplomatëve më të fuqishëm rusë në botë.
Çuditërisht ajo ndodhet në Bronx, New York, në adresën 355 West 255th Street, në Riverdale. Pallati që rrethohet nga misteri sepse askush nuk lejohet të hyjë aty, dihet që shërben për strehimin e shumë diplomatëve rusë që punojnë në OKB.
Mirëpo, Torres dyshon se ndërtesa përdoret nga shërbimet e spiunazhit rus për synime të tjera. Nuk do të ishte hera e parë që Rusia vendos në SHBA operativë të padeklaruar për operacione spiunazhi.
“Ndërkohë që Rusia vijon luftën e saj të padrejtë dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, besoj se SHBA duhet të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të mbrojtur vendin tonë nga operacione të mundshme spiunazhi”, shkruan kongresisti në letrën dërguar Drejtorit të FBI-së, Christopher Wray, të botuar nga “New York Post”.
Kanë qenë banorë të zonës së tij kongresionale që e kanë kontaktuar Torresin për t’i shprehur shqetësimin se disa prej fqinjëve të tyre janë spiunë e operativë të inteligjencës rusë të maskuar si diplomatë e biznesmenë rusë.
I njohur ndryshe si Kompleksi Diplomatik Rus, pallati ka në katet e para një shkollë në rusisht për fëmijët e diplomatëve por edhe për amerikanë që duan të shkollohen në atë gjuhë. Por hyrja më tej në pallat është e ndaluar edhe në situata ekstreme.
Kur në 2011, ra zjarri në ndërtesë, zjarrfikësve të Departamentit të Zjarrit në New York (NYFD) iu ndalua hyrja.
Kongresisti Torres që është në mandatin e tij të parë në Kongres është shquar menjëherë si mbështetës i Kosovës dhe çështjeve shqiptare duke u bërë Bashkëkryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres.
Së fundi, ai i bëri thirrje Administratës Biden që të mbështesnin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Torres është duke propozuar një ligj të ri që do të detyrojë kompanitë amerikane të tregojnë nëse kanë partnerë biznesi nga Rusia.
Letrën që i dërgoi FBI-së, ka ndërmend t’ia nisë edhe drejtuesve të CIA-s, Pentagonit, Departamentit të Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera amerikane.