Çfarë ndodh nëse babai ndërron jetë përpara se të aprovohet peticioni për bashkim familjar?

Çështje të Emigracionit: Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Ndodhem në Shqipëri. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Para pak kohe më vdiq babai. Ai ishte nënshtetas amerikan dhe kishte paraqitur dokumentat që edhe unë të vija dhe të jetoja përgjithnjë në Amerikë. Fatkeqësisht duhet të pres edhe dy vjet të tjera që t’i vijë radha datës prioritare për vizë. A më anullohet kërkesa?

DB

Shkodër

Me sa kuptojmë, babai i ndjerë i lexuesit tonë kishte paraqitur një kërkesë për bashkim familjar me të birin, d.m.th. formularin I-130 “Alien Relative Petition”. Egziston një periudhë pritjeje gati 13 vjeçari përpara se t’i vijë koha asaj që quhet datë prioritare, koha pra kur lexuesi ynë (përfituesi) do të mund të paraqiste aplikimin për të marrë vizë.

Nëse peticioneri vdes përpara se aplikanti kryesor të ketë mundur të emigrojë në SHBA, peticioni (kërkesa) tërhiqet (anullohet) automatikisht. Kjo nënkupton që zyrtari konsullor nuk do të mund t’i japë vizë asnjërit prej personave që do të mund të kishin përfituar nga peticioni në fjalë si dhe do t’u kërkojë atyre që t’ia kthejnë peticionin Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS-it).

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) mund të aprovojë një peticion I-130 në rast se:

  • Aplikanti banonte në Shtetet e Bashkuara kur i afërmi që përmbushte kriteret vdiq;
  • Data e vendimit të marrë për aplikimin që ishte në pritje, e gjen aplikantin në Shtetet e Bashkuara. 

Aplikanti është të paktën dikush si vijon:

  • Përfituesi i një peticioni për vizë emigruese, të aprovuar apo në pritje të një vendimi, paraqitur për një të afërm familjar; ose 
  • Përfitues i një peticioni për vizë emigruese me bazë bashkimin familjar, të aprovuar apo në pritje të një vendimi, ku përfshihen përfituesi kryesor dhe përfituesit e tjerë derivativë.

Kriteri i vendbanimit

Aplikanti duhet të ishte me banim në Shtetet e Bashkuara në kohën kur i afërmi kualifikues vdiq, si dhe vazhdon të banojë në Shtetet e Bashkuara që të ndreqë statusin bazuar në lidhjen që ka me të afërmin e ndjerë. USCIS-i përkufizon si banesë të aplikantit “vendbanimin faktik kryesor, që nuk ka të bëjë me synimin që ai ose ajo ka”. Nëse vendbanimi i aplikantit në momentet e lartpërmendura ishte në Shtetet e Bashkuara, atëherë themi që aplikanti i përmbush kriteret e vendbanimit.

Rikthim [për shqyrtim] i peticionit për arsye humanitare

Pavarësisht se fillimisht peticioni mund të jetë anulluar, përfituesit kanë disa opsione që çështja të dalë me sukses dhe t’u aprovohet viza për të shkuar në Shtetet e Bashkuara.  

Kur bëni kërkesë për rikthim për arsye humanitare, sigurohuni që në kërkesë keni futur:

  • Emrin tuaj dhe atë të peticionerit të vdekur;
  • Numrin që gjendet në njoftimin e marrjes së peticionit;
  • Numrin e regjistrimit të të huajit (i njohur si A-number), nëse e keni një të tillë;
  • A-number të të afërmit tuaj, nëse e ka patur një të tillë;
  • Çertifikatën e vdekjes së të afërmit tuaj (të shoqëruar me përkthim të çertifikuar, nëse çertifikata nuk është në gjuhën angleze);
  • Një formular I-864 nga sponsori zëvendësues; dhe
  • Dëshmi që faktorët pozitivë në rastin tuaj ia kalojnë atyre negativë gjë që garanton një ushtrim të favorshëm të diskrecionit. Këtu mund të përfshihen mes të tjerave:  
  • Ndikimi që do të ketë mbi familjen që banon në Shtetet e Bashkuara (sidomos nënshtetasit amerikanë, ata të pajisur me green card apo ata që gjenden aty në mënyrë të ligjshme);
  • Mosha e madhe apo problemet shëndetësore të përfituesit apo cilitdo prej anëtarëve të familjes së përfituesit që do t’i shkonin pas;
  • Banimi në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të gjatë kohe;
  • Lidhjet (apo mungesa e lidhjeve) me vendlindjen tuaj;
  • Faktorë të tjerë si vonesa të pazakonshme të proçesimit të çështjes nga ana e qeverisë; dhe
  • Faktorë të tjerë që besoni se mund ta anojnë çështjen në favor të rikthimit për shqyrtim të peticionit, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës në mbështetje të tyre. 

Përveç të dhënave personale, personi që shkruan këtë letër duhet të ketë arsye të fortë që të mund t’i tregojë USCIS-it që udhëtimi në SHBA në këtë kohë ka rëndësi të madhe. 

Koha e proçesimit të kërkesave për rikthim për arsye humanitare mund të jetë e paparishikueshme dhe e gjatë për shkak të problemeve që dalin nga mungesa e formularëve standart si dhe konfuzionit qoftë nga ana e USCIS-it, qoftë nga ana e aplikantëve, të shkaktuar nga fakti se nuk është e qartë se cila zyrë e USCIS-it ka juridiksion mbi kërkesa të tilla për rikthim për arsye humanitare. Pa ndihmën e një avokati, aplikantët e kanë nganjëherë të vështirë të paraqesin kërkesa që USCIS-i i konsideron të plota dhe të aprovueshme. Kërkesa të dokumentuara pjesërisht mund të hidhen poshtë nga USCIS-i, në vend që të pasohen nga kërkesa për dokumenta shtesë. Për shkak se një aplikanti mund t’i duhen muaj për të mbledhur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në mbështetje të kërkesës për arsye humanitare dhe të formularit të garancisë të paraqitur nga sponsori zëvendësues,  I-864 Affidavit of Support, si dhe për shkak se nuk ka mundësi apelimi të vendimit për të hedhur poshtë kërkesën për rikthim për arsye humanitare, disa aplikantë të mundshëm e humbasin mundësinë për të kërkuar rikthimin e shqyrtimit të peticionit