Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Kam paraqitur aplikimin për të fejuarën që të vijë tek unë në Shtetet e Bashkuara dhe kam marrë një letër nga Qendra e Vizave, që më njoftonte se [peticioni i aprovuar] i kishte kaluar ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Çfarë duhet bërë më pas?
Faleminderit.
RC
Yonkers, NY
Kur Qendra Kombëtare e Vizave (NVC-ja) ia kalon ambasadës ose konsullatës së SHBA-së çështjen e të fejuarës/it suaj, ajo ju njofton për këtë gjë përmes një letre të dërguar me postë. Me të marrë këtë letër, njoftoni të fejuarën/in që të fillojë të kryejë veprimet e listuara më poshtë për të aplikuar për vizë K-1 si dhe për t’u përgatitur për intervistë.
Dokumentacioni i nevojshëm.
Ju që jeni e fejuara/i fejuari e/i huaj, (si dhe fëmijëve që kualifikohen dhe po aplikojnë për vizë K-2) do t’ju kërkohet të sillni në intervistën për vizë dokumentat dhe formularët si më poshtë:
- Formularin e plotësuar DS-160, (Formulari elektronik për viza jo-emigrimi). Ju që jeni e fejuara/i fejuari e/i huaj (si dhe fëmijët që kualifikohen dhe po aplikojnë për vizë K-2) duhet: (1) të mbushni formularin DS-160 dhe (2) të printoni faqen e konfirmimit të këtij formulari të cilën duhet ta keni me vete kur të paraqiteni për intervistë.
- Një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara data e skadimit të së cilës bie të paktën gjashtë muaj pas periudhës që keni ndërmend të rrini në SHBA (përveçse kur egzistojnë marrëveshje mes dy vendeve në fjalë, të cilat parashikojnë përjashtime)
- Çertifikata lindjeje
- Çertifikatë(a) vdekjeje ose divorci në rast se keni patur bashkëshort/e më parë. Kjo vlen qoftë për të fejuarën/in e huaj qoftë për nënshtetasin amerikan që është bërë garant
- Çertifikata të policisë të lëshuara nga vendi ku jetoni aktualisht si dhe nga të gjitha vendet ku keni jetuar gjashtë ose më shumë se gjashtë muaj duke filluar nga mosha 16 vjeç. (Duhet të paraqisni certifikatat nga policia dhe për fëmijët që ju shoqërojnë nëse janë të moshës 16 vjeç e lart)
- Dokumentat e kontrollit mjekësor (vaksinimet nuk janë të detyrueshme. Për më shumë sqarime lexo më poshtë)
- Dëshmi të mbështetjes financiare (Mund t’ju kërkohet formulari I-134, Affidavit of Support i cili shërben si garanci që nuk do t’i bëheni barrë financiare SHBA-së)
- Dy (2) fotografi me përmasa 2×2 inç (51×51 mm). Shihni shpjegimin mbi formatin që kërkohet për fotografitë në seksionin “Photograph Requirements”
- Dokumenta që dëshmojnë lidhjen me jush dhe të fejuarit/ës që është nënshtetas/e amerikan/e.
- Pagesën e tarifave siç shpjegohet më poshtë
Shënim: Zyrtari konsullor mund të kërkojë informacion shtesë, si fotografi ose dokumenta të tjerë që dëshmojnë që lidhja juaj me të fejuarin nënshtetas amerikan është e vërtetë dhe jo e rreme. Dokumentat në gjuhë të huaj, pra që nuk janë në gjuhën e vendit ku është kryer aplikimi, duhen përkthyer. Aplikantët duhet të kenë me vete në intervistë fotokopje të qarta dhe të lexueshme të dokumentave të gjendjes civile si dhe përkthimet përkatëse. Dokumentat origjinalë si dhe përkthimet do t’ju kthehen.
Gjatë përgatitjeve për intervistë, është e nevojshme që aplikantët të caktojnë dhe të kryejnë kontrollin mjekësor. Përpara se t’ju jepet viza K ose një vizë tjetër emigrimi, aplikanti, pavarësisht nga mosha, duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor i cili duhet të kryhet nga një mjek i akredituar nga Departamenti i Shtetit. Ambasada ose konsullata e SHBA-së ku do të aplikoni për vizë, do t’ju japë udhëzime lidhur me kontrollet mjekësore, ku mes të tjerave do të ketë dhe informacion për mjekët e akredituar. Për më shumë informacion shikoni në seksionin “Medical Examination” ku do të gjeni listën e mjekëve të akredituar të vendit tuaj si dhe një numër pyetjesh që bëhen shpesh.
Aplikantët për vizë K është mirë të kenë bërë vaksinat që kërkon ligji i emigracionit për ata që bëjnë kërkesë për vizë emigrimi. Ndonëse ky vaksinim nuk është i nevojshëm në kohën kur jepet viza K, ai do t’ju kërkohet kur, pasi të jeni martuar, të bëni kërkesë për green card. Prandaj, është mirë që kur të paraqiteni për kontrollin mjekësor të kryeni edhe vaksinimin e nevojshëm. Për të gjetur listën e vaksinimeve që kërkohen si dhe informacion shtesë lidhur me këtë, ju këshillojmë të shihni seksionin “Vaccination Requirements”.
Dëshmitë e mbështetjes financiare si dhe formularët e garancisë
Gjatë intervistës për vizë, aplikantëve do t’u kërkohet të paraqesin prova përpara zyrtarit konsullor, që dëshmojnë që aplikantët nuk do t’i bëhen barrë publike Shteteve të Bashkuara. Për këtë qëllim, mund të paraqisni prova që jeni në gjendje të mbaheni vetë financiarisht ose që i fejuari/e fejuara që është nënshtetas/e amerikan/e është në gjendje t’ju mbajë financiarisht. Zyrtari konsullor mund t’ju kërkojë që i fejuari ose e fejuara juaj me nënshtetësi amerikane të paraqesë formularin e garancisë I-134 (Affidavit of Support).
Për shërbimet si më poshtë do t’ju vihen në ngarkim tarifa:
Paraqitja e formularit I-129F (Alien Fiancé(e) Petition)
- Tarifa për aplikimin për vizë jo-emigrimi, formulari DS-160 (kërkohet për secilin nga aplikantët për vizë K)
- Kontrolli mjekësor (kërkohet për secilin nga aplikantët për vizë K; kostoja ndryshon nga një vend tek tjetri)
- Fëmijët e aplikantëve për vizë K-1, që kualifikohen, mund të aplikojnë për vizë K-2. Secili aplikant duhet të paraqesë një aplikim më vete dhe secili nga aplikantët për vizë K duhet të paguajë tarifën e aplikimit për vizë.
Kur të paraqiteni në ambasadën amerikane për të marrë vizë do t’ju bëjnë pyetje mbi lidhjen tuaj si dhe qëllimin për t’u martuar me peticioneren. Kjo intervistë është shumë e rëndësishme, ndaj të dyja palët duhet të rikujtojnë së bashku historinë e lidhjes mes tyre në mënyrë që personi që do të intervistohet të jetë i qartë për datat dhe të dhënat e rëndësishme. Nëse aplikimi për vizë miratohet, do t’ju lejohet të hyni në SHBA me vizë K-1. Martesa duhet të kryhet brenda 90 ditëve nga dita që keni ardhur në SHBA.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]