Çfarë ndodh pas marrjes së”green card-ës: Detyrimet dhe përgjegjësitë

Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Sapo kam marrë green card-ën – Cilat janë përgjegjësitë dhe detyrimet e mia? Çfarë më duhet të di?

PB

Nashville, TN

Mirësevini në Amerikë! Shpresojmë që ju dhe familja juaj të sistemohen sa më mirë në këtë vend të madh. “Rezidenca e përhershme” në SHBA është një privilegj që kërkon seriozitetin e duhur.

Dërgoni dokumentat e taksave: Nëse keni statusin e rezidentit të përhershëm dhe synoni ta ruani atë, duhet të paraqisni deklaratën tatimore federale pranë agjencisë federale të qeverisë amerikane që merret me shërbimet tatimore (IRS) si dhe çdo deklaratë tatimore lokale në shtetin apo qytetin nëse ju kërkohet diçka e tillë. Sipas ligjit të emigracionit, një rezident i përhershëm, të cilit, si i tillë, i kërkohet të paraqesë një deklaratë tatimore, por nuk e bën këtë gjë, ose që paraqet një formular tatimor si i huaj jo-rezident, mund të konsiderohet se ka braktisur statusin e tij ose të saj të rezidentit të përhershëm si dhe mund ta humbasë atë. Sigurohuni që të merrni kartën përkatëse të Sigurimeve Shoqërore. Numri i Sigurimeve Shoqërore zakonisht nevojitet për qëllim taksash dhe punësimi.

Regjistrohuni për shërbim ushtarak: Nëse jeni mashkull nga mosha 18 deri në 26 vjeç, regjistrohuni në agjencinë përkatëse të qeverisë amerikane për t’u ofruar për shërbim ushtarak.  Për më shumë informacion, ju lutemi të vizitoni faqen përkatëse të internetit të kësaj agjencie në adresën www.sss.gov.  

Mos e lini t’ju skadojë Karta e Rezidencës së Përhershme (green card-a): Karta e Rezidencës së Përhershme (Formulari I-551) shërben si dëshmi e statusit tuaj të rezidencës së përhershme në Shtetet e Bashkuara. Ajo shërben gjithashtu dhe si dokument identifikimi dhe dëshmi që ju lejohet të jetoni dhe të punoni në Shtetet e Bashkuara. Ndonëse disa Karta të Rezidencës së Përhershme nuk përmbajnë datë skadence, shumica e tyre janë të vlefshme për 10 vjet. Nëse keni status rezidenti të përhershëm me kusht, green card-a që ju është dhënë, është e vlefshme për dy vjet.  

Është e rëndësishme të mos e lini t’ju skadojë green card-a. Nëse ju skadon, do ta keni të vështirë të provoni që jeni rezident i përhershëm, dhe diçka e tillë ka gjithashtu pasojë në rast udhëtimi. Duhet ta rinovoni green card-ën brenda gjashtë muajve nga data e skadimit. Nëse karta që keni nuk përmban datë skadimi, duhet të aplikoni për ta rinovuar pas 9 vitesh e gjysëm. Nëse jeni rezident i përhershëm me kusht, do t’ju duhet të paraqisni një peticion për heqje të kushtit përpara se t’ju skadojë green card-a. Peticionin në fjalë duhet ta paraqisni 90 ditë përpara se t’ju skadojë green card-a. Nëse peticioni aprovohet, do t’ju dërgojnë një kartë rezidenti të përhershëm që është e vlefshme për 10 vjet.

Nëse nevojitet të bëhet ndonjë ndryshim në kartë, ose nëse karta humbet, e vjedhin apo dëmtohet, duhet të paraqisni një kërkesë për ta zëvendësuar. Për të aplikuar për rinovim apo zëvendësim të kartës, përdorni Formularin I-90, Application to Replace Permanent Resident Card. Nëse gjendeni jashtë Shteteve të Bashkuara dhe green card-a skadon brenda 6 muajve, (por do të ktheheni brenda 1 viti nga largimi prej Shteteve të Bashkuara dhe përpara se të skadojë karta), duhet të bëni kërkesën për rinovim të kartës menjëherë sapo të ktheheni në Shtetet e Bashkuara. Nëse jeni jashtë Shteteve të Bashkuara kur skadon karta dhe nuk keni aplikuar për rinovim të kartës, përpara nisjes, do t’ju duhet të kontaktoni Konsullatën e SHBA-së, zyrën e USCIS-it apo portin e hyrjes në SHBA më të afërt, përpara se të provoni të dërgoni Formularin I-90 për rinovimin e green card-ës.

Kini kujdes kur udhëtoni jashtë Shteteve të Bashkuara: Normalisht, statusi i rezidentit të përhershëm ju lejon të udhëtoni jashtë Shteteve të Bashkuara si dhe të ktheheni; megjithatë, ka disa kufizime. Mungesat e gjata, veçanërisht ato që nënkuptojnë punë dhe banim jashtë shtetit, mund të çojnë në braktisje dhe humbje të statusit të rezidentit të përhershëm, ose në vonesa kur të vijë koha për të aplikuar për natyralizim (nënshtetësi). Mungesa për 1 ose më shumë vjet mund të sjellë probleme serioze. Mund të jeni në gjendje të ulni rrezikun e braktisjes së statusit duke kërkuar një “reentry permit” (leje rihyrjeje). Kjo bëhet duke paraqitur përpara se të niseni, Formularin I-131, Application for Travel Document.

Mos harroni që për të hyrë në një vend tjetër, duhet të veproni në përputhje me kërkesat e atij vendi, disa prej të cilave mund të jenë: të kesh kartën e rezidentit të përhershëm të SHBA-së, të jesh i pajisur me vizë ose të paraqesësh pasaportën e vendit që ju ka dhënë nënshtetësinë. 

Dënimet penale mund të bëhen shkas që të shpalleni “i papranueshëm”, pra që, pas udhëtimit jashtë shtetit, të mos ju lejohet të rifuteni në Shtetet e Bashkuara. Nëse keni të kaluar penale, përpara se të ndërmerrni udhëtimin, duhet të flisni patjetër me një avokat emigracioni me përvojë imigracioni.

Mund të bëni kërkesë për të marrë të afërmit tuaj: Si rezident i përhershëm i Shteteve të Bashkuara, mund të ndihmoni, nëpërmjet statusit tuaj, një të afërm që të bëhet rezident i përhershëm i ligjshëm. Për këtë, do t’ju duhet të bëheni garant për të afërmit tuaj si dhe të jeni në gjendje të provoni se keni të ardhura ose pasuri të mjaftueshme për t’i mbështetur financiarisht kur të vijnë në Shtetet e Bashkuara. Procesi fillon duke paraqitur Formularin I-130, Petition for Alien Relative. Një rezident i përhershëm i Shteteve të Bashkuara mund të paraqesë një peticion për bashkëshortin/en, si dhe për fëmijët e pamartuar, pavarësisht nga mosha. Vetëm nënshtetasit amerikanë mund të paraqesin peticion për fëmijët e martuar dhe prindërit. Kur dorëzoni kërkesën, do t’ju kërkohet të paraqisni prova për të vërtetuar marrëdhënien që keni me personin për të cilin po bëni kërkesë. Paraqitja e një peticioni I-130 dhe vërtetimi që marrëdhënia me të afërmin në fjalë është e tillë që i përmbush kushtet përkatëse, i siguron të afërmit tuaj një vend në radhën për të marrë një numër vize, mes shumë të tjerëve që në situata të ngjashme, gjithashtu presin të emigrojnë nga i njëjti vend ose rajon. Kur të afërmit i vjen radha, ai ose ajo mund të kualifikohen për të emigruar. Vendi në radhën për numër vize varet nga data kur është paraqitur peticioni. Prandaj, aplikimi sa më shpejt që të jetë e mundur përbën avantazh.

Nëse fëmija i pamartuar martohet, peticioni revokohet automatikisht, pasi nuk egziston një kategori vizash për djalin ose vajzën e martuar të një rezidenti të përhershëm. Megjithatë, nëse bëheni nënshtetas amerikan përpara se t’ju martohet fëmija, mund të vazhdoni procesin për emigrim duke paraqitur një peticion të ri për vizë (I-130) për fëmijën tuaj.

Aplikoni për të marrë nënshtetësinë amerikane:  Mund të aplikoni për natyralizim (nënshtetësi) nëse jeni të paktën 18 vjeç dhe keni qenë rezident i përhershëm i Shteteve të Bashkuara për të paktën 5 vjet, ose për të paktën një periudhë trevjeçare gjatë së cilës keni qenë, dhe vazhdoni të jeni e/i martuar dhe të jetoni në një marrëdhënie martese me bashkëshortin/en tuaj që është nënshtetas/e amerikan/e.

Ekzistojnë gjithashtu rregulla të veçanta për ata që kanë shërbyer me nder në ushtrinë amerikane. Disa bashkëshortë të nënshtetasve të SHBA-së dhe/ose pjesëtarë të forcave të armatosura mund të jenë në gjendje të paraqesin më shpejt kërkesën për natyralizim.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]