Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Nëse u aprovohen vizat emigruese, prindërit do të njoftohen se kur dhe si do t’u kthehen pasaportat me vizat përkatëse. Viza emigruese do të vihet në një faqe të pasaportës. Pasi të marrin vizën emigruese dhe përpara se të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, prindërit duhet t’i paguajnë Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS-it) tarifën përkatëse. USCIS-i nuk e lëshon kartën e rezidentit të përhershëm (formularin I-551 apo green card-ën) pa u paguar tarifa.
Prindërit duhet të mbërrijnë dhe të aplikojnë për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara përpara se të skadojë viza. Zakonisht vizat emigruese janë të vlefshme për gjashtë muaj duke filluar nga data e lëshimit të vizës, gjithnjë nëse kontrollit mjekësor të kryer për marrjen e vizës nuk i kalon më parë afati. Diçka e tillë do të bënte që vizës t’i dilte afati në më pak se gjashtë muaj.
Në momentin që pranohen në SHBA, prindërit do të hyjnë si rezidentë të ligjshëm të përhershëm (LPR), pra si persona me green card, dhe do t’u lejohet të jetojnë dhe të punojnë në Shtetet e Bashkuara. Green card-a do t’u dërgohet me postë në SHBA.
Personat me green card mund të udhëtojnë jashtë SHBA-së dhe të rihyjnë aty duke paraqitur green card-ën. Qëndrimi jashtë SHBA-së për më shumë se një vit mund të shihet si heqje dorë nga green card-a, përveçse kur personi me green card, përpara largimit, pajiset me leje për të rihyrë. Udhëtimet që zgjasin më shumë se gjashtë muaj mund të bëhen shkak që CBP-ja (agjencia federale amerikane që merret me doganat dhe mbrojtjen e kufijve) të pyesë personin që kthehet nga udhëtimi nëse ka hequr dorë nga green card-a. Jo vetëm kaq, por udhëtimet e gjata rrezikojnë të sjellin ndërprerje në periudhën e pranisë së vazhdueshme fizike në SHBA, e cila është pjesë e kërkesave që duhen përmbushur kur, në një të ardhme, të bëhet kërkesë për natyralizim.
Një raport mbi kapicën e kërkesave për vizë që i janë paraqitur Qendrës Kombëtare të Vizave (NVC-së)
Pandemia e COVID-19-ës vazhdon të luajë rol negativ përsa i përket numrit të vizave që konsullatat dhe ambasadat amerikane jashtë SHBA-së janë në gjendje të proçesojnë. Kufizimet e veçanta variojnë në varësi të kushteve dhe kufizimeve në vendet përkatëse dhe në to përfshihen ndalim qarkullimi në nivel lokal apo kombëtar; kufizimet në udhëtime; rregullat lidhur me karantinën; si dhe masat e marra për të ndaluar përhapjen e COVID 19-ës. Departamenti i Shtetit të SHBA-së po përpiqet t’i japë zgjidhje kapicës së kërkesave për vizë të grumbulluara për arsyet e përmendura më lart. Siç raporton NVC-ja, ka gati 409,645 raste aplikantësh që kualifikohen për viza emigruese, të cilët janë në pritje që t’u caktohet një date për intervistë pasi hapësira për intervista për muajin korrik, 2022 është mbushur. Këto të dhëna kanë të bëjnë me rastet që janë procesuar nga NVC-ja dhe rezultojnë që i kanë përmbushur kërkesat për paraqitje të “dokumentacionit të plotë”. Ato nuk reflektojnë rastet e kërkesave për vizë emigruese që i kanë kaluar tashmë për intervistë ambasadave dhe konsullatave, rasteve që janë ende nëpër duart e USCIS-it në pritje të aprovimit të peticionit apo rastet që konsiderohen të pakompletuara nga pikëpamja e dokumentacionit. Aplikantët është mirë të kenë me vete të gjithë dokumentacionin që u kërkohet në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për intervistë. Një përgatitje e mirë jo vetëm që e përshpejton intervistën, por e ndihmon Departamentin që të zvogëlojë në mënyrë efikase numrin e atyre që janë në pritje të një takimi për intervistë.
NVC-ja i ka kërkuar vërtetime nga policia djalit që ka jetuar vetëm gjashtë muaj në Greqi.
Shumë personave që aplikojnë për viza emigruese dhe që nuk kanë të kaluar penale po u kërkohen vërtetime nga policia e vendeve në të cilat këta persona kanë jetuar më parë për më pak se një vit. NVC-ja ndjek udhëzimet e Manualit të Punëve të Jashtme për mbledhjen e vërtetimeve nga policia e atyre vendeve ku personat kanë jetuar për një periudhë njëvjeçare. Megjithatë, një problem që haset brenda sistemit të NVC-së është kërkesa për të paraqitur vërtetime nga policia e vendeve ku personat në fjalë kanë jetuar më pak se një vit. Palët në këto çështje duhet të shohin me kujdes informacionin në faqen e internetit https://nvc.state.gov/document lidhur me kërkesat për vërtetim nga policia. Nëse në rastin tuaj konkret nuk nevojitet të paraqisni vërtetimin nga policia që kërkon CEAC-ja, në vend të tij paraqisni një shënim shpjegues. Gjithashtu, ju lutemi që për statuse dhe probleme të hasura më parë, t’i referoheni faqes në internet https://nvc.state.gov/troubleshooting.