Riad, 18 shkurt 2025 – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë pas takimit se Rusia dhe SHBA-ja janë pajtuar për të krijuar kushte për të rikthyer plotësisht bashkëpunimin mes dy vendeve.
Edhe Lavrov, sikurse Rubio, e ka përmendur në konferencë për media që palët janë pajtuar për të emëruar ambasadorë në kryeqytetet e dy vendeve, heqjen e “pengesave për misione diplomatike”, përfshirë kufizimet në transfere bankare në ambasada, emërimin e përfaqësuesve për të vazhduar negociatat për dhënie të luftës në Ukrainë, dhe krijimin e kushteve për rikthim të bashkëpunimit në sfera të ndryshme.
“Ka qenë bisedë shumë e dobishme. Ne e kemi dëgjuar njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Lavrov.
Lavrov ka thënë, po ashtu, se gjatë takimit është përmendur që Trump ka qenë “i pari prej liderëve perëndimorë” që ka thënë se “shtyrja e Ukrainës drejt NATO-s është një prej gabimeve më të mëdha të presidentit [amerikan, Joe] Biden”.
Ai ka thënë se Putin e ka bërë të qartë vazhdimisht se zgjerimi i NATO-s dhe përfshirja e Ukrainës në aleancë do të konsiderohet “kërcënim direkt” për Rusinë.
Yuri Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Shefi i Fondit Sovran të Pasurisë së Rusisë, Kirill Dimitriev, ka thënë se delegacionet ruse dhe amerikane kanë nisur ta dëgjojnë njëra-tjetrën, por është shumë herët për të folur për kompromise.
“Mendoj që është shumë herët për të folur për kompromise, mund të them se palët kanë nisur të komunikojnë me njëra-tjetrën, kanë nisur ta dëgjojnë njëra-tjetrën, e kanë nisur dialogun”.
Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.