Fitore e thellë e ekipit të Bajerinit ndaj katalanasve në Barcelonë 3:0. Më 25 maj dy ekipe gjermane në finalen e Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e ditës së mërkurë në mbrëmje (01.05) mes ekipit të Barcelonës dhe Bajernit të Mynihut ishte, sipas komentatorëve, më perfektja në historinë e lojërave gjermane të futbollit në Ligën e Kampionëve. Bajerni i Mynihut ka fituar në ndeshjen kthyese gjysëmfinale ndaj ekipit të Barcelonës 3:0 dhe me këtë fitore shkon në Londër më 25 maj në finale përballë ekipit tjetër gjerman Borussia Dortmund për trofeun europian.
Para 96.636 shikuesve në stadiumin Camp Nou në Barcelonë, Robben dhe Müller shënuan dy gola për ekipin bavarez dhe spanjolli Piqué po ashtu me një autogol bëri që djemtë e Mynihut të arijnë një fitore të thellë 3:0 pas asaj, që shënuan në fushën e tyre në Mynih një javë më parë 4:0.
Ishte pikërisht pjesa e dytë (pasi e para përfundoi 0:0), që nisi me një gol të holandezit Robben. Në të 72-tën minutë, spanjolli Pique dërgoi gabimisht topin në portën e tij, duke dyfishuar, ndërsa 4 minuta më vonë Muller shënoi golin e tretë për Bayern-in, ndërkohë që Barcelona nuk humbte 2 ndeshje me eleminim direkt në Europë, që nga viti 1987.
Një lojë perfekte, por pa Messi-n
“Ne bëmë një lojë të mrekullueshme”, tha trajneri i Bajernit, Jupp Heynckes shumë i gëzuar pas fitores. Barcelona i zhgënjeu shumë tifozët e saj, veçanërisht katalanasit, pavarësisht se në lojë mungonte ylli i futbollit botëror, Lionel Messi.
Pa Messi-n në fushë, Barcelona u shfaq një skuadër normale dhe larg asaj të magjishmes që ka ofruar në vitet e fundit.
“Tashmë u pa që ka një dallim të madh mes Barcelonës me Messi-n dhe Barcelonës pa Messi-n. Megjithatë ne fituam në tërësi 7:0”, tha Heynckes para gazetarëve.
Ekipi Borusia e Dortmundit arriti të klasifikohet ditën e martë në ndeshjen kthyese me Real Madritin edhe pse humbi 0:2, por falë fitorës në ndeshjen e parë në fushën e vet 4:1 ajo shkon për finale në stadiumin Wembley për t’u përballur me Bajernin. Kjo është hera e parë, që finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet mes dy skuadrave gjermane dhe po ashtu është hera e parë pas 12 vjetësh, që një skuadër gjermane do ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve. (DW)