Londër, 10 shtator 2022 – Mbreti Charles premtoi të shtunën se do të ndjekë shembullin e nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth, ndërsa u shpall zyrtarisht monarku i ri i Britanisë në një ceremoni historike. Charles u bë menjëherë mbret pas vdekjes së nënës së tij, por sipas një tradite shekullore, ai u shpall zyrtarisht monark në St James – pallati mbretëror më i vjetër në Mbretërinë e Bashkuar. Të premten, ai iu drejtuar vendit – një ditë pasi mori fronin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, Mbreti Charles udhëheq tani një komb që e ndan dhimbjen dhe pikëllimin e tij.
Gjatë një ceremonie solemne, një moment spontan ngrohtësie dhe humanizmi mes mbretit të ri dhe popullit të tij.
Me të mbërritur në Pallatin Buckingham në Londër të premten, Mbreti Charles III dhe gruaja e tij, Camilla, dolën nga makina e tyre për të përshëndetur turmën e dashamirësve. Një bir i trishtuar për humbjen e nënës së tij dhe një komb që ndan dhimbjen me të.
“Ende nuk e kemi kuptuar shuarjen e saj. Është një ndjenjë shumë e çuditshme”, thotë për Zërin e Amerikës një e re.
“E mërzitur, plot emocione dhe pyes se çfarë do të ndodhë më pas”, thotë një tjetër londineze.
“Një ditë shumë e trishtuar për vendin. Ne e kemi njohur mbretëreshën për pjesën më të madhe të jetës sonë. Do të jetë shumë ndryshe për ne. Deri tani kemi thënë mbretëresha por tani duhet të përshtatemi që ta quajmë Charles-in mbret”, shprehet një tjetër londinez.
Të veshur me të zeza, ligjvënësit britanikë u mblodhën në një seancë parlamentare të rrallë.
“Ndërsa e kuptonte natyrën e pashmangshme të fronit, detyrë që në disa raste mund ta ketë rënduar, ajo gjithmonë krenohej me shërbimin ndaj vendit, sepse ishe shumë e përkushtuar”, tha Lindsay Hoyle, kryetar i Dhomës së Ulët të parlamentit britanik.
Mbreti Charles zhvilloi takimin e tij të parë me Kryeministren Liz Truss, vetëm tre ditë pasi ajo mori postin. Më pas mbreti iu drejtua vendit nga Pallati Buckingham.
“Ashtu sikurse veproi mbretëresha me një përkushtim të palëkundur, edhe unë zotohem solemnisht, që gjatë kohës që Zoti më jep, të mbështes parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë”.
Mbreti përfundoi fjalimin me një mesazh për nënën e tij.
“Për nënën time të dashur: Ndërsa fillon udhëtimin e fundit për t’u bashkuar me babain tim të dashur të ndjerë, dua thjesht të them: faleminderit. Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin tënd ndaj familjes sonë dhe ndaj familjes së vendeve që i ke shërbyer me kaq zell gjatë gjithë këtyre viteve. U prehsh mes engjëjve”.
Kori i Katedrales së Shën Palit këndoi në kujtim të mbretëreshës. Dy mijë pjestarë nga publiku u ftuan të merrnin pjesë në shërbimet mortore. Himni kombëtar i modifikuar u këndua zyrtarisht për herë të parë: “Zot ruaj mbretin”.
Britania ka humbur mbretëreshën e saj – fillin që gjatë shtatë dekadave lidhi brezin e pasluftës dhe botën moderne – që përfaqësonte vlerat dhe imazhin e Britanisë. Dhimbja do të ndihet thellë. Por ndërsa po përfundon epoka e Mbretëreshës Elizabeth, një epokë e re fillon nën Mbretin Charles III.
(Zëri i Amerikës)