Charles Kupchan: Veprimet e Kurtit në veri ishin provokuese

Uashington, 8 qershor 2023 – Ditët e fundit i dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre. Përplasja mes dy palëve vjen mes një trysnie të shtuar nga SHBA dhe BE ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të çtensionuar situatën në Veri të Kosovës dhe për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se kritikat ndaj kryeministrit të Kosovës janë të justifikuara.

“Ai ka ndërmarrë kohët e fundit veprime që unë i konsideroj si provokuese pa nevojë, përfshirë shtysën për çështjen e targave dhe së fundmi përdorimin e policisë së armatosur për të futur në godinat e komunave kryetarët shqiptarë etnikë që u zgjodhën me më pak se 4% të votave. Këto nuk janë manovra të dobishme”, tha Kupchan për Zërin e Amerikës.

Megjithëse mendon se politika që po e ndjek administrata amerikane është e drejtë, Kupchan shtoi se Serbia ka qenë gjithmonë një lojtar i vështirë dhe gjasat janë që i nxiti serbët në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

“Pra, megjithëse unë mendoj se kritikat ndaj Kurtit janë të justifikuara, presioni duhet të ushtrohet si mbi Prishtinën ashtu edhe mbi Beogradin nëse do të shohim përparim drejt normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjeve, përfshirë një formë të vetë-menaxhimit të serbëve në Kosovë”, tha ai.

Kupchan tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “Thembra e Akilit” e procesit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Kjo duket të jetë pika kryesore e ngecjes. Por për mendimin tim, është gjithashtu çelësi që do të çonte në një përparim në mënyrë që shumica serbe që jeton në veri të lumit të ndjente se ka një zë në institucionet, qeverisjen e Kosovës dhe që të ndjehen shumë më komodë për t’u integruar në vend”, tha Kupchan.

Zoti Kupchan tha se mendon që SHBA-të, përmes kryeministrit Kurti, po i dërgojnë mesazh edhe Serbisë.

 “Mendoj se Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë një mesazh edhe Serbisë, qeverisë serbe, se janë një lojtar i balancuar dhe se, nëse mendojnë se Prishtina po ndërmerr hapa që nuk janë të dobishëm, do ta thonë një gjë të tillë”, tha ai.

(r.m.)