Prishtinë, 15 qershor 2022 – Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, vlerësoi të mërkurën qëndrimin e Kosovës kundër agresionit rus në Ukrainë, ndërsa ritheksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Kosovë dhe disa vende të rajonit.
“Dua t’ju falënderoj edhe për mbështetjen tuaj në zbatimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian. Kosova gjithashtu ka treguar solidaritet me popullin e Ukrainës, duke ofruar ndihmë humanitare dhe duke strehuar gazetarët. E di që lufta ka ndikim në rajon dhe në Kosovë, në ekonomi, në çmimet e ushqimeve dhe të energjisë”, tha ai.
Presidenti Michel tha se Ballkani Perëndimor paraqet një përparësi strategjike për Bashkimin Evropian i cili sipas tij, është tërësisht i përkushtuar ndaj aspiratave të këtij rajoni për integrim.
“Prandaj ne mirëpresim përqendrimin tuaj për zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian dhe në trajtimin e çështjeve thelbësore si sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përkushtimi i Kosovës në rrugën e integrimit evropian mbetet i palëkundur, por se mospërbushja e premtimeve, siç është ai për liberalizimin e vizave, përpos që sprovon besueshmërinë e Bashkimit Evropian, krijon edhe hapësirë për ndikime të jashtme.
“Dua t’ju siguroj zoti president se shteti i Kosovës do të mbetet stoik në refuzimin e ndikimit rus dhe ndikimeve të tjera të rrezikshme. Por kemi gjithashtu nevojë urgjente që edhe Bashkimi Evropian ta bëjë të qartë edhe një herë perspektivën evropiane të të gjithë rajonit tonë, e posaçërisht të Republikës së Kosovës. Së pari dhe kryesorja është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Ky proces për fat të keq është vonuar pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve”, tha ajo.
EU Council Pres. @CharlesMichel's visit to Kosovo comes at a pivotal time for our continent.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) June 15, 2022
Reaffirming our EU perspective is crucial in preventing malign influences in our region.
🇽🇰 is fully committed to reforms & already yielding results. We now expect 🇪🇺 to do its part. pic.twitter.com/ZSN4pueRyz
Zoti Michel tha se u takon vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të japin përgjigjen e tyre përfundimtare për këtë çështje.
Zonja Osmani tha se marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të forcohen më tej në këtë moment vendimtar për kontinentin e Evropës.
“Plani ynë është që të aplikojmë deri në fund të vitit për vend kandidat në Bashkimin Evropian, prandaj pres që të punojmë së bashku për tu siguruar që ky proces të ketë sukses dhe natyrisht që do të bashkërendohemi në plotni me ju dhe të gjitha shtetet anëtare për çdo hap që do të bëjmë përpara”, tha ajo.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, po qëndron në Kosovë në kuadër të raundit të dytë të vizitave në Ballkanin Perëndimor. Vizitat e tij po ndodhin në kohën kur agresioni rus në Ukrainë ka shtuar diskutimet për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar rajonin për ardhmërinë evropiane.
Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina të cilat ende nuk kanë nisur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, janë më së largu nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre integruese. Derisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, dhe Mali i Zi e Serbia tashmë janë në bisedime më të përparuara për këtë proces.
Por, përparimi i Serbisë kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Zoti Michel tha se Kosova dhe Serbia duhet të shënojnë përparim të shpejtë në zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura dhe të ecin përpara me bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, si elemente thelbësore për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Përparimi i rajonit drejt integrimeve evropiane do të jetë pjesë e diskutimeve të takimit të javës që po vjen në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)