Shkup, 5 korrik 2022 – Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka arritur në Shkup për të biseduar me autoritetet e Maqedonisë së Veriut lidhur me propozimin e ri francez për zgjidhjen e kontestit midis Sofjes e Shkupit. Propozimi ka për qëllim heqjen e vetos së Bullgarisë për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Autoritetet maqedonase e shohin vizitën e kreut të Këshillit Evropian si një tregues për përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje dhe integrimit të vendit në Bllok.
Autoritetet në Shkup dhe zoti Michel janë të një mendimi se ai që tashmë po njihet si ‘propozim francez’ do të mundësojë hapjen e fazës së parë të bisedimeve, me çka do të zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo gjë, sipas Shkupit, do të paraqiste avancim dhe mirëqenie jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për gjendjen e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.
“Nëse e ndryshoni Kushtetutën, kjo do të shikohet si zotim i mëtejmë për standardet e larta dhe pa nevojën e vendimeve të tjera do të nxisë në mënyrë automatike konferencën ndërqeveritare dhe do të çelen bisedimet. Vendimi u takon ju”, tha Presidenti i Këshillit Evropian gjatë një konference shtypi.
Ai iu drejtua publikut duke thënë se “ky shans nuk duhet humbur dhe se asnjëherë nuk keni qenë më afër për t’i thënë “po”, BE-së dhe së ardhmes”.
Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski lidhur me propozimin tha se të gjitha kundërshtitë në opinionin publik janë të rreme; populli maqedonas nuk ka mundur të asimilohet as në të kaluarën dhe as nuk do të asimilohet, tha ai, ndërkohë që shtoi se Protokolli me Bullgarinë është një çështje dypalëshe dhe nuk është çështje e çeljes së negociatave me BE-në.
Propozimi evropian apo francez, ka përfshirë vërejtjet e palës maqedonase sipas zotit Kovaçevski.
“Në propozimin evropian kemi qëndrime të përcaktuara për pranimin e qartë dhe pa dilema të gjuhës maqedonase; gjuha maqedonase në propozim është absolutisht e pastër dhe e njejtë me gjuhët tjera të BE-së pa kurrfarë fusnotash apo shpjegimesh”, tha zoti Kovaçevski.
“E ardhmja e tre fëmijëve të mi dhe e ardhmja e të gjithë fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më përparimtare me Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne, shtoi kreu i Këshillit Evropian, duam që ju të na bashkoheni dhe qëllimi ynë është ta përshpejtojmë procesin”. Zoti Michel theksoi se çelja e negociatave do të sillte avansime si për shembull në investime dhe shkëmbime tregtare; pastaj përfshirje në nisma që janë të hapura vetëm për vendet anëtare të BE-së
Presidenti Stevo Pendarovski, nga ana tjetër ka ngritur shqetësimet e një pjese të qytetarëve lidhur me çështjet e identitetit të popullit maqedonas duke theksuar se gjuha dhe identiteti duhet patjetër të respektohen dhe garantohen nga Bashkimi Evropian.
Çeljen e shpejtë të bisedimeve e dëshirojnë edhe Shtetet e Bashkuara, të konsideruara si partnere strategjike të vendit të vogël Ballkanik.
Jake Sullivan, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, shkruante në Twitter se “që nga anëtarësimi në NATO, Maqedonia e Veriut ka qenë një aleate e fuqishme, se ajo mund të kontribuojë edhe BE-së. Inkurajojmë miqtë tanë që të gjejnë mundësinë për çeljen e negociatave për procesin e anëtarësimit në BE”, shkruante zotëri Sullivan.
Ndërkohë, përpjekjet për arritjen e shpejtë të kompromisit po synohen të bllokohen nga opozita maqedonase me VMRO-DMPNE-në që po thërret në protesta kundër qeverisë. Mbrëmë protestat ishin të dhunshme para ndërtesës së qeverisë dhe parlamentit dhe ishin protestuesit ata të cilët thyen barrikadat dhe hodhën mjete të forta kundër dy institucioneve më të larta, duke lënë të plagosur, sipas organeve të rendit, të paktën katër policë.
Policia u tregua e qetë dhe nuk ndërmori masa për zmbrapsjen e demonstruesve. Protesta janë parlajmëruar edhe për sonte. VMRO-ja dhe demonstruesit thonë se qeveria po heq dorë nga gjuha, historia dhe identiteti maqedonas, pa të cilat popullit maqedonas “s’ka çka i duhet Bashkimi Evropian”.
Qeveria pritet ta miratojë edhe Protokollin me Bullgarinë, i cili deri më tani nuk ka qenë i disponueshëm për publikun. Aty jepen hollësi lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin maqedonas. Ndërsa qeveria maqedonase thotë se këto çështje janë të garantuara dhe nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve, propozimi francez kërkon hapjen e Kushtetutës dhe futjen e pakicës bullgare në Preambulë para fillimit të negociatave midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, për hapjen e Kushtetutës dhe njohjen e pakicës bullgare në Preambulë, nevojitet dy e treta e votave në parlament, të cilat aktualisht shumica parlamentare nuk i ka. Partitë shqiptare të opozitës janë deklaruar pro propozimit francez, teksa votën e tyre e kushtëzojnë me ndryshimin e formulës për gjuhën shqipe së cilës kushtetuta i referohet si “gjuha të cilën e flasin 20 përqind e popullatës”.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)