Chicago, 9 shkurt 2022 – Klubi Futbollistik “Chicago Fire” e ka zyrtarizuar transferimin e Xherdan Shaqirit.
“Jemi shumë të lumtur që zyrtarisht ta prezantojmë Xherdan Shaqirin te skuadra jonë”, ka thënë drejtori sportiv i “Chicago Fire FC”, Georg Heitz.
“Xherdani është lojtar që ndryshon lojën dhe dikush që mund të sjellë gëzim te tifozët dhe te qyteti i Chicagos. Si njëri prej sportistëve me më së shumti suksese në gjeneratën e tij në shtetin e Zvicrës, Xherdani i bashkohet klubit në një kohë shumë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Shaqiri, i cili u transferua nga “Lyoni” i Francës, do të jetë pjesë e “Chicago Fire” deri në vitin 2024. Ai u bë transferimi më i shtrenjtë i skuadrës që bën gara në ligën MLS. Skuadra amerikane i ka paguar rreth 7 milionë euro për shërbimet e futbollistit me origjinë nga Kosova që luan për përfaqësuesen e Zvicrës.
Xherdan Shaqiri, 30 vjeçar, ka luajtur për Baselin, Bayernin e Munihut, Interi, Stoke Cityn, Liverpoolin dhe Lyonin.
Ai i ka luajtur 100 ndeshje për përfaqësuesen e Zvicrës. Ka luajtur në tri kampionate botërore (2010, 2014 dhe 2018) dhe në dy Kampionate Evropiane (2016 dhe 2020) dhe ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Zvicrës.
(r.m.)