Uashington, 6 janar 2023 – Në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Schollet foli për prishmëritë gjatë vizitës që do të bëjë së shpejti në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
…
Zëri i Amerikës: A mund të na thoni fillimisht se çfarë shpresoni të arrini gjatë vizitës tuaj në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut?
Derek Schollet: Faleminderit pikë së pari për intervistën. Doja ta vizitoja rajonin pak përpara festave, por fatkeqësisht ai udhëtim u shty. Kështu që mezi pres të kthehem atje së shpejti. Është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë javëve të fundit ka patur fatkeqësisht një rritje të tensioneve mes tyre. Është një lajm i mirë që në 48 orët e fundit kemi parë të hiqen barrikada, kemi parë pikat kufitare të rihapen mes Kosovës dhe Serbisë. Janë lajme të mira. Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqëndruar tek kjo krizë, por tek dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon.
Zëri i Amerikës: Pra, cili do të ishte mesazhi juaj për udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës pas krizës së fundit në veri të Kosovës ku pati vendosje dhe heqje barrikadash?
Derek Schollet: Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqëndruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjelltë. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik. Por, fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë. Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri.
Zëri i Amerikës: Pra, cilat duhet të jenë lëvizjet e ardhshme nga palët në këtë dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, në veçanti duke patur parasysh shqetësimet e BE-së dhe SHBA-ve siç u tha rishtazi për situatën vazhdimisht të tensionuar në veriun e Kosovës. Cilat janë hapat konkrete që nevojiten nga Serbia dhe Kosova?
Derek Schollet: Sërish, duam që të dyja palët të bisedojnë. Janë bërë disa javë tashmë që dy palët kanë patur mundësinë të takohen së bashku dhe ne jemi atje të pranishëm, duke punuar së bashku me kolegët tanë të BE-së në përpjekje për ta lehtësuar këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë. Pra ka shumë gjëra për të biseduar. Kemi shumë punë për të bërë. Por, e shohim drejtimin përpara dhe do të bëjmë çfarë të mundemi për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim.
Zëri i Amerikës: Po për asociacionin e komunave serbe…?
Derek Schollet: Është një prioritet për ne, Shtetet e Bashkuara. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët.
Zëri i Amerikës: A kanë Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Kurti sinqeritetin që nevojitet në këtë proces, pasi duket sikur zhvendosen nga një krizë tek tjetra, pa progres dhe me pauza afatshkurtra të ofruara nga angazhimi i BE-së dhe SHBA-ve?
Derek Schollet: Mendoj se po, unë jam angazhuar personalisht me të dy gjatë javëve të fundit. Jam takuar me ta. Kam folur me ta në telefon. Po kështu edhe shumë nga kolegët e mi këtu në Uashington. Dëshirojmë t’i vazhdojmë këto biseda për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Sërish, kemi kaluar shumë kohë duke folur me ta edhe për krizën aktuale, për shmangien e daljes së gjërave nga kontrolli, gjë që është e rrezikshme, është e panevojshme dhe është një shpërqëndrim nga ajo që mendojmë se duhet të jetë puna reale, që është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.
Zëri i Amerikës: A është propozimi i BE-së, bazuar në planin franko-gjerman, një lloj baze për një marrëveshje ligjore të detyrueshme mes Serbisë dhe Kosovës?
Derek Schollet: Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë.
Zëri i Amerikës: Duket pra se Serbia e vazhdoi fushatën e saj për zhbërjen e njohjes së Kosovës. Presidenti i Serbisë Vuçiç njoftoi së fundmi se nëntë vende të tjera tërhoqën njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur. Kjo i kundërvihet marrëveshjes së Uashingtonit, që u nënshkrua nga palët në 2020. Cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara?
Derek Schollet: Nuk kam diçka specifike për të shtuar për ato çfarë ka thënë Presidenti Vuçiç. Ajo që mund të them është se për ne ky është shpërqëndrim, nuk është në frymën e përpjekjeve për të gjetur një mënyrë për të lëvizur përpara në kuadrin e asaj që ka propozuar BE-ja. Nuk po na afron më pranë arritjes së aspiratave euroatlantike që udhëheqësit e të dyja vendeve kanë thënë se dëshirojnë të përmbushin. Dhe sërish, mendoj kjo është ajo tek e cila duhet të përqëndrohemi dhe jo tek shpërqëndrimet e këtilla.
Zëri i Amerikës: Mbi 300 ditë pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia ende nuk është e gatshme të vendosë sanksione për Rusinë dhe mban marrëdhënie të afërta me qeverinë e Putinit. A do ketë një pikë kthese, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë nuk do ta tolerojnë më këtë?
Derek Schollet: Është diçka për të cilën kemi folur goxha me kolegët tanë në Beograd. Është e rëndësishme të vihet në dukje se Evropa dhe realisht bota, është bashkuar në një mënyrë vërtet mbresëlënëse gjatë 11 muajve të fundit për të vendosur një numër të paprecedentë sanksionesh ndaj Rusisë. Nuk kemi parë vërtet diçka të tillë më parë në historinë botërore, për sa i përket numrit të sankioneve që janë vendosur, ndaj një ekonomie me përmasat e asaj të Rusisë. Mendojmë se Serbia duhet të bëhet pjesë e kësaj. Qartësisht, dëshira e Serbisë për t’iu afruar më shumë BE-së do të jetë e vështirë të përmbushet nëse nuk është e gatshme t’iu bashkohet sanksioneve që BE-ja ka vendosur. Pra është diçka për të cilën kemi qenë shumë të hapur, për të cilën kemi folur me kolegët tanë në Beograd, dhe do të donim ta shikonim Serbinë që të bëhej pjesë e kësaj.
Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin pasojat për Serbinë, për sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët, si dhe gjithashtu për procesin e anëtarësimit në BE, nëse vazhdon të mos i përshtatet qëndrimeve të BE-së për sa i përket sanksioneve?
Derek Schollet: Pjesa e fundit e pyetjes tuaj i referohet përgjigjes së duhur, dmth se është e vështirë të shikohet përparim në procesin e anëtarësimit, nëse Serbia qëndron jashtë konsensusit për këtë gjë. Prandaj do të dëshironim që Serbia të lëvizte përpara për këtë gjë. Por shikoni, e kuptojmë se ky është një vendim i vështirë. Ka një histori të gjatë në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë. Prandaj kur bisedojmë me homologët serbë kemi vetëdije të plotë të kësaj historie. E dimë se këto janë vendime shumë të vështira. Shumë vende në mbarë botën kanë sakrifikuar ekonomitë e tyre, gjendjen e ekonomive të tyre, për t’u siguruar që Rusia të mos shpërblehet për ato që po bën çdo ditë tashmë në Ukrainë.
Zëri i Amerikës: Në raportet e fundit, Departamenti i Shtetit vuri në dukje se Serbia përballet me probleme të të drejtave të njeriut dhe citoi organizata të rëndësishme joqeveritare për përkeqësimin e situatës së mediave dhe të lirive dhe të drejtave të tjera në Serbi. Mediat e pavarura, anëtarë të shoqërisë civile dhe disa nga anëtarët e opozitës kanë sinjalizuar se gjenden nën presion të vazhdueshëm, apo kërcënime, në disa raste edhe nga zyrtarët e qeverisë. Cili do të ishte komenti juaj për këtë dhe a synoni t’i diskutoni këto çështje?
Derek Schollet: Absolutisht. U qëndroj raporteve që ka publikuar qeveria amerikane për shqetësimet tona. Është diçka që e ngremë vazhdimisht me kolegët tanë në Beograd dhe gjetiu, kudo ku kemi shqetësime të tilla. Sërish, e dimë që këto janë çështje të vështira, por besojmë se shëndeti i demokracisë matet nga forca e shoqërisë së saj civile, nga liria dhe hapja e mediave të saj, nga mundësia e njerëzve për t’u shprehur lirisht. Këto janë liri themeltare në të cilat besojmë dhe që gjenden në demokracitë e forta.
Zëri i Amerikës: Si e shikoni situatën me përpjekjet e antikorrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në Maqedoninë e Veriut? Përshtypja ndër shtetasit e Maqedonisë së Veriut është se flitet shumë, por se nuk ka shumë rezultate në këtë fushë.
Derek Schollet: Ne shohim potencial të jashtëzakonshëm në mbarë Ballkanin Perëndimor, nga pikëpamja ekonomike, për sa i përket demografisë, talentit të madh që ekziston në Ballkanin Perëndimor. Zhgënjimi ynë është se ka shumë gjëra që bëhen pengesë për këtë potencial të madh. Dhe korrupsioni është një ndër këto çështje. Prandaj shohim kaq shumë të rinj në Ballkanin Perëndimor që largohen për të shkuar në vende të tjera, pasi nuk shohin një të ardhme të ndritur për shkak të disa prej sfidave me të cilat po përballen shumë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor për shkak të korrupsionit. Maqedonia e Veriut është sigurisht një prej këtyre vendeve që po hasin në këtë vështirësi. Ne po bëjmë çfarë të mundemi për të ndihmuar. Patëm një ekip rishtazi për të folur për këto çështje. Luftimi i korrupsionit është një prioritet për Sekretarin e Shtetit Blinken, eprorin tim, për të gjithë administratën. Kemi një koordinator të ri të lartë për aktivitetet kundër korrupsionit, me seli këtu në Departamentin e Shtetit, por që punon me shtrirje globale për t’i ndihmuar vendet që të luftojnë korrupsionin dhe të marrin masat për t’u siguruar që ekonomitë e tyre mund të funksionojnë të hapura, të pastra, dhe kjo është diçka që ne mendojmë se është e rëndësishme, pasi do të tërheqë investime ekonomike, do të tërheqë talentin, do të krijojë një fuqi punëtore të mirë dhe të shëndetshme. Pra është një priroritet i yni. Është një shqetësim dhe është diçka që e ngremë gjatë gjithë kohës.
(Zëri i Amerikës)