Chollet e Escobar: SHBA nuk e dëshiron një Republika Sërpska në Kosovë

Uashington, 18 maj 2023 – Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Shteteve të Bashkura për Ballkanin Perëndimor, Gabrial Escobar, raportuan të enjten në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan për politikën e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij hyrëse, Chollet tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një ndër prioritetet e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden. Ai foli edhe për raportet midis Kosovës e Serbisë, duke thënë se ato paraqesin sfidën kryesore për rajonin.

Chollet tha se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, pavarësisht se liderët e dy vendeve nuk e kanë nënshkruar atë, por vetëm janë pajtuar verbalisht. Ai tha se, megjithatë, deri më tash nuk është parë se palët kanë vullnet ta zbatojnë këtë marrëveshje.

“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, deklaroi ai

Zyrtari i lartë i DASH-it tha se SHBA-ja i inkurajon liderët e Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes dhe theksoi se ata duhet të kenë kurajë “të marrin përsipër përgjegjësinë” që ta shtyjnë përpara këtë proces.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se integrimi evropian i të dy shteteve nuk mund të ndodhë derisa ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.

Menendez: S’ka garanci se Asociacioni nuk do të jetë një Republika Sërpska

Senatori Bob Menendez

Senatori Bob Menendez

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, tha se jo të gjitha palët po dialogojnë në mirëbesim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht është deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Senatori Menendez tha se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, ndonëse Vuçiqi vazhdon me narrativa nacionaliste, siç është ideja për “Serbinë e Madhe”, ashtu sikurse Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e shtyn përpara idenë për “Rusinë e Madhe”.

Senatori Menendez tha gjithashtu se SHBA, ashtu sikurse BE-ja, nuk kanë dhënë garanci se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të bëhet një ditë një “republika Sërpska” në Kosovë.

“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, theksoi ai.

Menendez ngriti pikëpyetje edhe lidhur me vlefshmërinë e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke qenë se ajo nuk është nënshkruar nga liderët e dy shteteve.

Gjatë senacës, senatori Chris Murphy e pyeti këshilltarin Chollet për shembujt evropianë, që mund të përdoren nga Kosova si model për themelimin e Asociacionit dhe se si ai nuk do të shndërrohej në një Republika Sërpska.

Senatori Chris Murphy

Senatori Chris Murphy

“Sipas pikëpamjes sonë, Asociacioni bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të marrin shërbime të barabarta dhe t’iu dëgjohet zëri. Ideja është që serbët në veri të Kosovës të jenë më pak të varur nga Beogradi dhe [Asociacioni] të fokusohet në edukim, shëndetësi dhe zhvillim lokal ekonomik, e gjëra të ngjashme. Kemi qenë shumë të qartë, ne nuk do të pranojmë e as mbështesim diçka që sadopak do t’i ngjasonte Republikës Sërpska. Siç thatë, BE-ja ka dhjetëra shembuj brenda BE-së struktura të ngjashme me Asociacionin, si në veri të Italisë, në Zvicër, në Finlandë, ku ka minoritete, ku ka një lloj shkalle të kontrollit lokal mbi pjesë të jetës së tyre”, tha Chollet.

Escobar: SHBA nuk duan një tjetër Republika Sërpska në Ballkan

This image has an empty alt attribute; its file name is Gabriel-Escobar-ne-senat.jpg

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të Senatorit Menendez dhe Senatorit Murphy, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë një lloj i “Republikës Sërpska”. Ai tha se SHBA-ja dëshiron që Kosova të formojë një Asociacion duke marrë për bazë ndonjë model evropian të trajtimit të komuniteteve pakicë, siç u shpreh, “që nuk shkel sovranitetin, funksionalitetin apo strukturën kushtetuese” të shtetit.

“Ne duam të shohim që Asociacioni të jetë strukturë kosovare, që ajo të kontrollohet nga Kosova”, u shpreh Escobar.

Ai tha se BE-ja tashme i ka ofruar disa modele të tilla që nuk e cenojnë rendin kushtetutues të shteteve.

Escobar tha se pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, presin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.

“Nga pala kosovare, njerëzit po presin zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk mund të shmanget Asociacioni që Kosova të lëvizë drejt integrimit evropian”, tha Escobar.

Një ditë para paraqitjes në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi biseda të ndara telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Chollet bisedoi me dy liderët për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe u bëri thirrje të vazhdojnë punën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe që t’i shmangin provokimet që mund të shtojnë tensionet midis dy shteteve.

(r.m.)