Chollet e mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit evropian

Uashington, 10 shkurt 2023 – Këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Chollet, në një njoftim në Twitter, ka treguar se këtë ia ka shprehur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë telefonike që e ka zhvilluar të premten.

Ai ka thënë se zbatimi i atij planit do të sigurojë përfitime të rëndësishme për Kosovën e Serbinë.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si “platformë solide për të ecur përpara””.

“Ne e pranojmë propozimin të Bashkimit Evropian si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara”,  ka thënë Kurti, pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më 6 shkurt.

(r.m.)