Chollet: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e deritashme

Uashington, 25 shkurt 2023 –  Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente pas një bisede me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në prag të takimit të planifikuar për të hënën me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Bruskel. “Shtetet e Bashkuara mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian”, shkroi zoti Chollet.

Kryeministri Kurti, shkroi se i ka konfirmuar zotit Chollet qëndrimin e tij për propozimin evropian “si bazë e mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Normalizimi i plotë kërkon njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes dhe respektim të të drejtave të pakicave në të dyja vendet”, shkroi ai.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë tashmë e kanë pranuar në parim propozimin evropian i cili nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që ata të pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht propozimin në takimin e së hënës.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe të hënën palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.

Një zyrtar i lartë evropian tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të shtunën gjatë mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, lëvizjes Vetëvendosje, se Kosova është treguar e përkushtuar në procesin e bisedimeve.

“Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, tha kryeministri Kurti.

Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.

(r.m.)