Uashington, 26 shtator 2023 – Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, njoftoi se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike lidhur me sulmin e grupit të armatosur serb ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit, të cilin ai e quajti të tmerrshëm.
Në një postim në Twitter, Chollet tregoi se kryeministrit Kurti i ka shprehur ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku, dhe se ka bërë thirrje që të dy palët të kthehen në dialog e të zbatojnë marrëveshjet me të cilat janë pajtuar.
“Biseduam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. E dënojmë ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit”, ka shkruar Chollet.
Spoke with PM @albinkurti of the heinous attack Sunday in Kosovo. Strongly condemned violence against Kosovo Police; expressed condolences on the loss of Sergeant Afrim Bunjaku. Both sides must return to the EU-facilitated Dialogue and implement Ohrid commitments.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023
(r.m.)