Chollet: Tani Kosova është më afër se kurrë drejt të ardhmes së saj në BE

Uashington, 23 mars 2023 – Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar për bisedën telefonike që ka zhvilluar të  enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter, Chollet ka treguar se Kryeministrin Kurti e ka përgëzuar për marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai ka thënë se tani Kosova është më afër se kurrë të ardhmes së saj drejt BE-së.

“Kam uruar sot kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kosova tani është më afër se kurrë të ardhmes së saj drejt BE-së”, ka shkruar Chollet.

Kryeministri është kritikuar ashpër nga opozita në Kuvendin e Kosovës për pranimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Deputetët opozitarë e kanë kritikuar Kurtin sidomos për nenin e marrëveshjes që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Marrëveshjen Bazë dhe në Aneksin e saj nuk përmendet shprehimisht Asociacioni, por përdoret shprehja “vetëmenaxhim” për komunitetin serb në Kosovë. Sipas opozitës, kjo shprehje në thelb do të thotë “vetëqeverisje”, gjë që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Zyrtarët dhe diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar në disa raste se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

(r.m.)