Uashington, 18 maj 2023 – Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar të enjten për bisedën telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Chollet, në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ka shkruar se Serbia dhe Kosova duhet të shmangin veprimet provokuese në pjesën veriore të Kosovës. Njëkohësisht ka theksuar se zbatimi i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë “do të hapë dyert për Kosovën, duke përfshirë njohjen eventuale reciproke.
“Bisedë e mirë me kryeministrin Albin Kurti pas takimit të negociatorëve. Theksoi se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimi i Asociacionit të Komunave Serbe do t’i hapë dyert për Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen eventuale reciproke”, ka shkruar Chollet.
Good talk with PM @albinkurti after negotiators' meeting. Emphasized all parties should avoid provocative actions in north. Normalizing relations with Serbia via the EU-facilitated Dialogue & implementing the ASM will open doors for Kosovo, including eventual mutual recognition.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) May 18, 2023
Derek Chollet ka biseduar me telefon edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit i ka kërkuar gjithashtu që të shmangen çfarëdo veprimesh që provokojnë tensione në pjesën veriore të Kosovës.
Chollet ka folur në telefon me liderët e të dy vendeve dy ditë para dhënies së betimit të kryetarëve të rinj të katër komunave veriore dhe konstituimit të asambleve të reja të dy komunave veriore. Kryetarët dhe anëtarët e asambleve komunale u zgjodhën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët, pas thirrjes së Beogradit zyrtar për bojkot.
(r.m.)