Chorba: Pres që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s në një të ardhme të afërt

Prishtinë, 14 maj 2023 – Një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë vizitoi Kosovën javën që shkoi.

Presidenti i këtij këshilli, ish ambasadori Timothy Chorba, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se qëllim i vizitës ishte njoftimi me situatën dhe aktuale në Kosovë dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Ai ka thënë se gjatë vizitës ka parë se Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm vitet e fundit.

“Unë isha këtu para katër vitesh dhe nuk kam qenë më për shkak të COVID-19, por është i jashtëzakonshëm zhvillimi fizik, ndërtimi, modernizimi. Por, më e rëndësishmja është një shtet i ri që po ndërtohet dhe zhvillohet sipas parimeve demokratike, kështu që kur ta mendosh ka qenë një investim shumë i mirë i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Zoti Chorba ka thënë se delgacioni që e ka udhëhequr ka mësuar se vullneti i Kosovës në rrugën e integrimeve është i qartë. Ai ka thënë se pret ta shohë Kosovën të bëhet anëtare në organizata shumëpalëshe, në një të ardhme jo shumë të largët.

“Pres që të jetë në interesin e NATO-s ta bëjë Kosovën anëtare të saj në një të ardhme jo shumë të largët, kur NATO-ja vlerëson se është e përshtatshme. Kosova ka vullnet dhe dëshirë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera shumëpalëshe. Një fjalë e urtë amerikane thotë: ‘kur ka një vullnet – ka dhe një rrugë”, ka thënë Zoti Chorba.

Ai e ka vlerësuar lart partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka shprehur mirënjohje të veçanta për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i ambasadorëve amerikanë u prit nga udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore, përfaqësuesit e partive politike opozitare dhe përfaqësuesit e komunitetit serb.

(r.m.)