Presidenti amerikan Barack Obama ka emëruar ish senatorin republikan Chuck Hagel si sekretarin e ardhshëm të mbrojtjes. Presidenti e quajti zotin Hagel “udhëheqësit për të cilin trupat tona kanë nevojë.” Ai tha gjithashtu se ish senatori nga Nebraska përfaqëson “traditën dypartiake për të cilën ka nevojë Uashingtoni” dhe se ai ka fituar respekt për vullnetin e mirë për të thënë të vërtetën edhe për çështje që nuk kanë shumë mbështetje. Disa republikanë të njohur njoftuan dje se 68-vjeçari Hagel mund të përballet me një proces të vështirë konfirmimi në Senat, lidhur me qëndrimet e tij për Izraelin dhe Iranin.
Zoti Hagel është shprehur kundër sanksioneve të njëanshme kundër Iranit dhe disa ligjvënës kanë ngritur pikëpyetje rreth nivelit të mbështetjes së tij ndaj Izraelit.
“Ky është një emërim që Presidenti Obama po na e bën fakt të kryer të gjithë neve që përkrahim Izraelin,” tha senatori Lindsey Graham, i cili shpalli se nuk do ta mbështesë emërimin e zotit Hagel.
Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se kandidatura e zoti Hagel do të shqyrtohet me drejtësi nga Senati, i cili bën konfirmimin e emërimeve të presidentit për postet qeveritare.
Zoti Hagel është një veteran i Luftës së Vietnamit dhe e ka kritikuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak. Ai u largua nga Senati në vitin 2009 dhe i ka deklaruar medias se Pentagoni është fryrë së tepërmi prandaj ka nevojë për shkurtime.
Nëse konfirmohet, zoti Hagel do të bëhej sekretari i tretë i mbrojtjes nën Presidentin Obama, pas zotit Robert Gates dhe sekretarit të tanishëm të mbrojtjes, Leon Panetta. (VOA)