Nga Rafael Floqi
Duke qenë një fisnik i rangut jo të lartë më i pari i familjes Kastrioti, Kostandin Kastrioti, stërgjyshi ishte një pronar i një zone në Dibër-Peshkopi, por edhe Kephale i Kaninës rreth vitit 1362, kohë kur Arbëri dhe Epiri ishin në sundimin e Mbretërimit serb, i cili ishte në fundin e tij. Për këtë arsye sipas Linjës së Theodosit, kjo pjesë e pronave të Kastriotëve, por edhe e princërve të tjerë, ishin nën juridiksionin religjioz të Kostandinopojës, kryeqytet i Perandorisë së Bizantit. Feja zyrtare e kësaj Perandorie të lindjes, pra, edhe e popujve nën zotërimin e kësaj Perandorie, ishte ajo Ortodokse Bizantine, që në vetvete përbëhej nga nën religjionet Sllavo-Ortodokse-Bizantine dhe Ortodokse Bizantine. Ashtu si e kishte dhe mbiemrin kjo familje ishte tërësisht ortodokse, por për arsye politike dhe të detyrimeve për shkak të humbjeve në luftë apo dështimeve në biznes, Gjon Kastrioti nipi i Konstandin Kastriotit, dhe biri i Pal Kastriotit- Gjon (Jovan apo Ivan sipas gjuhë) e ndërroi sa për sy e faqe fenë: Përpara vitit 1407, pra që nga viti 1368 që njihen Kastriotët, familja Kastrioti ishte me origjinë Ortodokse bizantine, nga vitit 1407—1410, ai personalisht u bë roman-katolik, nga halli për shkak të problemeve tregtare me Venedikun. Nga viti 1419-1426 Gjon Kastrioti i u rikthye origjinës ortodokse për shkak të një aleance me Despotin serb Stefan Lazareviç. Nga viti 1431- u kthye në islam, nga halli, sepse Sulltani i mori të bijtë peng. Në vitin 1437 ai vdiq dhe u varros në Hilandar, në Malin Athos në Kishën e Shën Gjergjit në një varr afër të birit, Reposh Kastriotit, i cili vdiq si murg po aty në Hilandar, në Malin e Shenjtë, në vendin, që quhet Pirgu Arbanas, sepse aty Gjon Kastrioti mori me qira atë tokë dhe ndërtoi kullën e Shën Gjergjit në Hilandar dhe pronën përreth në 1426 dhe në 1430 kjo vërtetohet në dy dokumente, pasi i kishte dhuruar dy fshatra të pronës së tij: Radostusha dhe Trebishti, duke nënshkruar në prani të murgut Anastas, së bashku me firmën e tre bijve të tij meshkuj. Këtu mungon firma e Stanishës, i cili aso kohe ishte konvertuar në mysliman.
I ati i Gjergjit, Gjoni, shfaqet në dokumente si katolik në vitin 1410, kur i shkruante Republikës së Venedikut dhe nëpërmjet saj Papës, për t’iu ankuar për juridiksionin e peshkopatës së vet; por si ortodoks në 1419, kur lidhte një aleancë me carin e Serbisë. Më vonë, në 1430, Gjoni do t’u nënshtrohej osmanëve dhe do të shndërrohej në mysliman, duke marrë emrin Hamza (Kamusa). Në një dokument të analeve të Raguzës, Gjergji do të paraqitet si: “… i lindur prej Kamusa Kastriotit, zot i Krujës”.
Edhe emrat e vëllezërve dhe motrave të Gjergjit nuk lënë shumë shteg për dyshime: Stanish, Reposh, Konstandin (vëllezërit) dhe Maria, Jella, Angjelina, Vllajka, Mamica (motrat). Disa prej këtyre nuk mund të jenë emra katolikësh, por vetëm të krishterësh ortodoksë. Më pas Stanisha do të bëhej mysliman, do të merrte emrin Karagus dhe do të kishte një djalë, Hamzanë, i cili do të luftonte përkrah Skënderbeut dhe më pas do ta tradhtonte.
Gjon Kastrioti në vitin 1407 përmendet në arkivat e Venecias si “dominus satis potens in partibus Albaniae”. Për të përballuar turqit, princi pranon të bëhet një vasal i Serenissimas dhe të kishte mbrojtjen e tij, si i vetmi vend katolik që kufizohet me të. Sidoqoftë, ai refuzon të pajtohet me kërkesën që dymbëdhjetë kisha të dioqezave shqiptare, të gjitha të përqendruara në Arbërinë qendrore, e cila në periudhën e ekzaminuar nga ne ishte, në të vërtetë, e Kastriotëve, pra ortodokse të binin nën juridiksionin e peshkopit të Lezhës, duke përmendur anëtarësimin e tyre qysh nga vitet 800 në peshkopatat e Arbërisë. Në arkivat e Venedikut ne lexojmë duke iu referuar synimeve të këtij peshkopi: ” Këto dymbëdhjetë kisha të episkopatës së Arbërisë kishin ekzistuar që nga koha e Justinianit (i cili kishte lindur pikërisht në ato troje) dhe ishin themeluar prej tij në shekullin e gjashtë, të paktën kjo është ajo që Noli pohon për këtë, ndryshe nga pothuajse gjithçka tjetër, nuk specifikon burimet, mbase i merr si të mirëqena. [1]
Pra, feja e Gjon Kastriotit dhe e Vojsavës bashkëshortes së tij ishte ortodokse, por në momente delikate marrëveshjeje politike vetëm Gjoni e ndërroi fenë sa për sy e faqe, në islam apo në katolik, por u varros si një ortodoks i mirë në Manastirin Hilandar se bashku me njërin nga djemtë e tij Reposh Kastriotin. [2]
Analet e historisë i kanë shënuar në mjaft raste kontributet e tyre. Por fisnikëria arbërore me gjithë rezistencën e tyre, nga përçarja e pafuqia u thyen e për rrjedhojë ranë në vasalitetin e sulltanëve e shumë prej tyre të detyruar braktisën edhe besimin e krishterë e përqafuan Islamin. Nën shembullin e tyre, edhe masa arbërore e ndodhur nën presion e për mbijetesë u konvertua në fenë islame.
Më anë tjetër, një vëlla i Gjergjit, Reposhi, është varrosur në narteksin e kishës së Hilandarit, në Malin e Shenjtë, jo si “murg”, siç është thënë shpesh, por si “dukë ilir”, sikurse shkruhet në mbishkrimin serbisht të varrit. Ka spekulime që Gjon Kastrioti vetë mund të jetë varrosur në Malin e Shenjtë, diku pranë të birit.
Ka edhe të dhëna të tjera, që duket se e mbështetin ortodoksinë e Gjergjit. Kështu, Plasari shënon se ambasadori që dërgoi ai tek Alfonsi i Napolit, peshkopi Stefan i Krujës, e nënshkroi traktatin e Gaetës “me shkronja greqishte”, për t’u vënë re edhe se ky peshkop Stefan i Krujës, sipas Plasarit, nuk përmendet gjëkundi në dokumentet katolike të kohës, kështu që nuk do të ketë qenë i asaj hierarkie. Ekziston edhe një dokument aragonez i vitit 1453, ku dikush ankohet se në Krujë “nuk kishte as prift, as xhakon latin…”.
Më tej akoma, historianët vërejnë praninë, përkrah Skënderbeut, të një murgu athonit (ortodoks) të quajtur Zaharia, të cilin Skënderbeu e paskësh bërë “at shpirtëror të vetin” (Plasari e thekson këtë, duke u mbështetur te Jorga dhe Beduli); edhe Nifoni, patriarku i mëvonshëm i Kostandinopojës dhe shenjtori i ardhshëm i Kishës ortodokse, “u hirotonis prift me bekimin e arkiereut të qytetit të Krujës.
Ducellier‑i nuk ka nguruar ta pohojë se Kastriotët “janë me siguri ende ortodoksë në shek. XV. Prania në Oborrin e Skënderbeut e (Shën) Nifonit dhe Zaharias përforcon edhe dëshminë e Mauro Orbinit sa përket ortodoksizmin e Skënderbeut. Në Mbretëria e sllavëve sot gabimisht të quajtur skiavonë (1601) Orbini tregon episodin në të cilin Giovanni di Capistrano‑ja, legat i Papës për organizimin e kryqëzatës, përpiqej t’i mbushte mendjen Skënderbeut që të bëhej katolik. Kastrioti i përgjigjej kështu: “Unë kam jetuar nëntëdhjetë vjet [sic] me këtë mendje, që prej më të mëdhenjve qysh fëmijë në shpirtin tim m’u pat mbresuar; dhe populli im, ndonëse kam qenë fatkeq, më ka mbajtur gjithnjë për të dijshëm; tani ti do të doje që, kur të më shohin të ndërruar, të pandehin se unë, i rënduar nga vitet, e paskam humbur mendjen dhe, si thuhet në gjuhë popullore, qenkam bërë matuf; unë më parë lë jetën time, se të ndahem nga traditat e paraardhësve të mi”[3]
I njëjti studiues arrin pastaj në përfundimin se lidhjet e intensifikuara të Gjergj Kastriotit me Vatikanin dhe katolikët anembanë Evropës kishin natyrë më shumë politike se shpirtërore dhe se vetëm katolikët ishin në gjendje, në atë kohë, të jepnin ndonjë ndihmë domethënëse me para, armatime dhe ushtarë, për Skënderbeun dhe përpjekjet e tij kundër osmanëve.
Në rrethanat kritike të përballjes me superfuqinë më të madhe të kohës, diferencat mes dy kishave – të Perëndimit dhe të Lindjes – do t’i jenë dukur këtij arbri krejt të parëndësishme, aq më tepër që ai vetë ishte mësuar me dinamikat e kalimit nga njëra fe te tjetra, për arsye politike madhore. Shto këtu, më në fund, që në ato vite dramatike për Evropën bashkimi i kishave po merrej seriozisht në shqyrtim nga të dyja krahët (Koncili i Ferrara-s, më pas i Firenze-s etj., që gjithsesi nuk dha ndonjë rezultat).
“Jo të gjithë e dinë se ky proces kishte nisur rreth 100 vite më parë se Skënderbeu të mbyllte sytë. Jo të gjithë gjithashtu e dinë se thuajse e gjithë fisnikëria dhe popullsia arbërore e islamizuar nuk iu gjet në krah Skënderbeut, kur ai filloi kryengritjen kundër-osmane në 1443 dhe as edhe në Kuvendin e Lezhës disa muaj më vonë. Po ashtu edhe popullsitë bregdetare, që ndodheshin nën zotërimin e Venedikut, apo edhe popullsi ortodokse në jug të Arbërisë”, shkruan Paskal Milo. [4]
Që këtej kuptohet se lufta epokale arbërore e shekullit të XV, përpos motivit të lartë të lirisë e të çlirimit kombëtar kishte edhe një fuqi tjetër të madhe morale, aleancën e brendshme të arbërorëve të krishterë. Në studimet historike rreth Skënderbeut dhe epokës së tij kjo veçori ose është anashkaluar ose është mohuar fare. Nga ana tjetër, Skënderbeu duke i parë osmanët si “armiqtë tanë e të besimit të krishterë” identifikonte mbrojtjen e sundimit të tij me atë të krishterimit ”. [5]
Kjo vërteton dhe tezën se Gjon Kastrioti dhe bijtë e tij dhe Gjergji para se të dërgoheshin në Turqi kishin qenë të besimit ortodoks. Ka mundësi që Gjergji, ashtu si Gjoni më parë u konvertua më vonë në besimin latin katolik, madje jo vetëm ai, por dhe Hamzai nga Pal Engjëlli më 1443, kjo dukuri konvertimi në trojet shqiptare ishte e zakonshme për fisnikërinë dhe për fshatarësinë dhe njihet historikisht. Por sipas Sufflay “Illyrische-Albanische Forschungen”, fq. 238 “…., ashtu që ne shohim nën katolikun Gjergj Kastrioti (Skënderbeun), i cili pati qenë përkohësisht edhe mysliman, edhe të paret e të cilit, prej greqizmit e deri tek katolicizmi shqiptar, patën kaluar nëpër një destilim sllav-ortodoks, si edhe dukuria e veçantë, që i dërguari i tij ne oborr te mbretit të Aragonit, Stefani, episkop i Krujës, nënshkruan një dokument të rëndësishëm, të hartuar në latinisht, por me germa greke….”[6]
Pyetjes së religjionit të Skënderbeut i përgjigjet historiani i famshëm amerikan, Edwin Jacques: “Në kuadrin e kundërthënieve mbi te, është e dobishme te shqyrtojmë nëse Skënderbeu ishte vërtet i shtyrë nga bindjet fetare apo, siç pretendojnë disa, e përdori besimin thjesht si një mjet për arritjen e pavarësisë se Shqipërisë. Fetish Pasha, një ish-ministër i Turqisë në Beograd, ka pohuar se ne kohën kur Skënderbeu komandonte një force ushtarake ne Anadoll (Azi e Vogël), arkivat dëshmojnë se ai ishte një mysliman i mirë. Mirëpo, pas vdekjes se te atit, ne 1432-in, sulltani ia dha Principatën e Krujës një tjetri, ne vend qe t’ia ofronte atij vendin e te atit. Qysh prej asaj kohe, ai u bashkua me kishën romane, me shpresë që të gjente mjete për realizimin e qëllimeve të veta. Një mendim të tillë e kanë shprehur edhe shume autoritete të kohës, madje njeri prej tyre e ka quajtur Skënderbeun me tallje Gjenerali i Kryqit” duke deklaruar se Skënderbeu nuk luftoi kurrë për kryqin, por për atdheun e tij; ai nuk luftoi kundër fesë islame, por kundër turqve”[7]
Për masat e krishtera të Evropës, islami dhe krishterimi, ashtu si ortodoksia dhe katolicizmi, apo më vonë katolicizmi dhe protestantizmi, ishin me shumë dy sisteme të ndryshme të riteve religjioze. Prandaj në Evropën e krishterë mesjetare, ndërrimi i fesë nuk ishte ndonjë problem i madh teologjik për shumicën e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk i kujtonin dhe nuk trajtonin islamin dhe krishterimin si dy religjione të kundërta në doktrina. Duke u nisur nga kjo, Fan Noli ka shkruar për babain e Skënderbeut se në çështjen e fesë, “Gjon Kastrioti ishte shqiptar i kulluar. Ai nuk ishte ithtar fanatik i ndonjë feje, por e ndërronte këtë sipas politikës si ditës. Ai ishte katolik roman, si aleat i Venedikut, me 1407, ortodoks grek, si aleat i Stefan Llazareviçit të Serbisë; prej 1419 deri me 1426 mysliman, si aleat i Muratit II, prej 1430 deri me 1438, përsëri katolik roman si aleat e qytetar nderi i Venedikut dhe i Raguzës…”[8]
Martesa e Skenderbeut ka te ngjarw të jetw mbajtur në ritin ortodoks . Që nga viti 1995 në shtypin e shkruar është folur gjerësisht për martesën e Skënderbeut, ku midis të tjerave është theksuar fakti se kurorëzimi i Skënderbeut me Donika Arianitin u bë në 23 prill 1451 në Manastirin e Ardenicës. Edhe në romanin e mirënjohur historik të autorit Sabri Godo, “Skënderbeu” thuhet se: “Më 23 prill 1451, Skënderbeu bëhej dhëndër i Gjergj Arianitit. Ai u martua me Donikën që kishte aq sa edhe këto ditë prilli, 23, ndërsa vetë ishte 46 vjeç”.[9] Por ndryshe nga ky fakt, të cilin shkrimtari, si njohës i mirë i historisë e ka marrë nga burimet zyrtare, gjenealogjia e mësipërme e Kastriotëve na jep një fakt të ri, sipas së cilës shohim të shkruar se martesa midis tyre u bë pikërisht në 26 prill 1451 dhe jo më në 23 prill të po këtij viti.[10]
Çifti mbërriti në këtë manastir pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ai shoqërohej nga princat shqiptarë, njerëz të familjeve, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i përgjithshëm i Venedikut në Arbëri. Shpura udhëtoi nëpërmjet rrugës së “Muzakies” në intinerarin Vlorë-Ardenicë, vetëm disa ditë pas dasmës në Kaninë. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga Peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apollonisë dhe i Ardenicës. Të nesërmen Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare.[11]
Legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në Rajonin e Vlorës. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit thotë se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë[12]. Ndërkohë që në Qishbardhë dhe Penkovë (Vlorë), ruhen katër toponime të tilla si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut; dëshmi të shekullit të XV. Kujtesa popullore çuditërisht hesht vetëm për Ardenicën…!
Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikës së Gjergj Arianitit, i cili pas kësaj ngjarjeje shpejtoi të nënshkruante në qershor 1451: “Traktatin e aleancës me Alfonsin e V-të të Napolit. Ja seç thuhet, në një pasazh të tij: “Gjithashtu të dy palët kanë rënë në ujdi që qysh nga Berati, duke përfshirë Greqi e Myzeqe deri tek një lumë që quhet Devoll (Seman), t’i jepen madhërisë së tij (Alfonsit) dhe vendi përtej Devollit t’i jepet Arianitit”, vend të cilin ai e kishte poseduar edhe herë të tjera.”[13]
Tre vjet pas martesës me Skënderbeun, Donika e gëzoi heroin me lindjen e djalit të vetëm të tyre, Gjonit të ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit.
Në gravurat e kohës del se ajo ishte një femër simpatike, me tipare të spikatura të një zonje. Sipas një gravurë të gjermanit Johann Theodor de Bry 1561–1623) të pikturuar gati një shekull më vonë.
Është interesant fakti, pasi thuhet që Skënderbeu qe konvertuar në katolik, pas marrjes se Krujës , por se martesa, u krye me ritin ortodoks, kjo edhe ose sipas studiuesit Pirro Prifti që “insiston se besimi i Skënderbeut ka qenë dhe ka mbetur ortodoks”.[14] Por si qëndron e vërteta mbi qëndrimin ndaj influencës së Romës, apo të Konstandinopojës, të katolizmit dhe ortodoksisë të fluide të feudalëve shqiptare?
Në lidhje me besimin e Skënderbeut. Noli hedh një ide tjetër, duke i bashkuar këto mundësi kur e quan Skënderbeun si një katolik i ritit bizantin. Sipas librit të Vatrës për Historinë e Skënderbeut me rastin 500 vjetorit te vdekjes, me nëntitull « Katolik apo ortodoks » Noli shkruan : « Nuk ka dyshim se Skënderbeu ishte katolik. Shumë papë shkruani për Skënderbeun në termat më të shkëlqyera dhe e quanin atë “një kampion i krishterimit”, (Athleta Christi). Shih Letrën e Papës Eugene IV, 1431-1447; Papa Nicholas V, 1447-1455; Papa Calixtus III, 1455-1458; Papa Pio II, 1458-1464; Papa Pali II, 1464-1471. Por pyetja është nëse ai ishte i ritit latin apo i ritit bizantin. Noli është i mendimit se “ duket se ka qenë i këtij të fundit. Sipas Nolit në një, dokumenti venecian të datës 17 gusht 1428, na dëshmon që i dërguari i Gjon Kastriotit së, At Dimitri, bëri një peticion për Senatin, në greqisht, gjë që tregon se ai ishte ortodoks, dhe jo katolik. Përsëri, i dërguari i Skënderbeut, Peshkopi Stefani i Krujës, nënshkruan emrin e tij në greqisht në 1451 në një traktat me mbretin Alfons V të Napolit. Një vit më vonë, at Ilia, kapelan i kontingjentit napolitan në Krujë, kryeqytetin e Skënderbeut, i bëri një kërkesë në Mbretërinë e Napolit për të dërguar aty një xhakon që mund ta ndihmonte atë në shërbim të tij, sepse ai nuk mund të gjente një xhakon që mund të lexonte në latinisht në Krujë. Kjo do të thotë se të tjerë Gjon Kastrioti dhe Skënderbej ishin katolikë të ritit bizantin. Përndryshe, vazhdojmë arsyetimin e Nolit, pse do t’i drejtohej një mbreti katolik për një xhakon që të dinte latinisht.“[15] Nuk ka asgjë për t’u habitur vijon Noli që këta ortodoksë dhe princat e tyre të Arbërisë i detyroheshin besnikëri Papës së Romës. Në të vërtetë, Arbëria ishte nën juridiksionin e Papëve të Romës deri në vitin 730 pas Krishtit. Kur Leoni II Isaurian u shkëput nga Papa i Romës dhe u lidh tek Patriarku i Kostandinopojës. Por dekreti i Leonit III Isaurian nuk e bëri Arbërinë Ortodokse Lindore. Arbëria i qëndroi besnike Papës deri në pushtimin e saj nga turqit, pas vdekjes së Skënderbeut.
Për më tepër, duhet të kihet parasysh se Ndarja e Kishës së Romës nga Kisha e Kostandinopojës nuk u zhvillua kurrë zyrtarisht. Ai u bë një fakt vetëm pas pushtimit të Kostandinopojës kur Mehmeti II i dha fund çdo kontakti në mes të dy Kishave.
Siç e ka vënë re Marinescu, cituar nga Aurel Plasari : “Do të ishte kjo edhe një provë më shumë se popullsia e qytetit [të Krujës], kryepeshkopi Stefan i përmendur më 1451 dhe Skënderbeu ndodheshin në dëgjesën e Kishës ortodokse”[16]. Tani nga “historia” e Zaharias dhe Nifonit kuptohet që Kruja ishte, ende në shek XV, episkopatë ortodokse me një episkop të sajin dhe se nuk ishte shufragane e Metropolisë së Durrësit, sikundër është pohuar shpesh, por varej nga Kryepiskopata e Ohrisë[17]. Jorga e ka shënuar shtjellimisht këtë duke folur për Nifonin: “Mandej ai vajti në Oborrin e të famshmit Skënderbe, mbrojtësi i krishterimit në Arbërinë e lirë, e cila varej [kishërisht, A.P.] po prej Ohrisë”[18].
Nga ana tjetër, nuk duhet të harrohet se katër vjet para rënies së Kostandinopojës, u mbajt Këshilli Ekumenik i Firences, në 1449, ku pothuajse unanimisht, vetëm me kundërshtimin e Markut të Efesit, u pohua bashkimi i të dy kishave; dhe së dyti, perandori i fundit i Kostandinopojës, Konstandinit XIII, vdiq si hero, duke ndër vepruar me Papën e Romës. Pra, është e natyrshme për Skënderbeun dhe princat e tjerë ortodoksë ashtu si babai i tij Gjoni të ishte në ndërveprimin me Romën dhe nën juridiksionin e Papës.
Ritit bizantin, Gjithashtu i njohur si grek ose Kostandinopolitane është në ritin liturgjik i përdorur nga Kisha Ortodokse Lindore, si dhe nga disa Kisha Lindore katolike; gjithashtu, pjesë të tij është, siç detajohet më poshtë, është pjesë e besimeve të tjera. Zhvillimi i saj filloi gjatë shekullit të katërt në Kostandinopojë dhe ajo tani është më e përhapura në krishterim, sipas ritit romak.
Ritet bizantine u zhvilluan fillimisht, duke përdorur në gjuhën greke dhe më vonë, me futjen e Ortodoksisë Lindore me grupet e tjera etnike, u përkthyen në gjuhët lokale dhe të zhvillimit të vijuar më tej. Historikisht, variante më të rëndësishme jo-greke e ritit bizantin ka: bizantine-sllave dhe bizantine-gjeorgjian. Riti përbëhet nga liturgjive hyjnore, orë kanonike, formularët për administrimin e mistereve të shenjta (sakramentet) dhe lutjet e shumta, bekimet dhe yshtjet të zhvilluara nga Kisha e Kostandinopojës.
Historianët, që janë marrë me studimin e historisë së Skënderbeut, shqiptarë e të huaj, kanë nënvizuar në shumicë karakterin çlirimtar të luftës dhe të mbrojtjes së lirisë, për ato zona që ishin të lira nga pushtimi osman. Një historian i madh anglez, siç është Eduard Gibon (Edward Gibbon) i shekullit të XVIII, rebelimin e Skënderbeut ndaj osmanëve, ndër shkaqe të tjera, e sheh edhe nga shkaku “i skllavërimi të vendit të tij”.
Për J. Ph. Fallmerayer, shqiptarët ishin të etur për liri dhe kjo ndjenjë i ka vënë ata përherë në lëvizje e në luftë të pandërprerë “për të siguruar pavarësinë nga çdo ndikim i huaj”. Çështja e lirisë bashkoi në një front të vetëm jo vetëm malësorët e fusharakët që donin të shpëtonin nga taksat e privacionet e tjera, që u impononte sundimi osman, por edhe një pjesë të mirë të fisnikërisë arbërore.
E përmendëm këtë digresion, për të dalë edhe tek feja e Donika Kastriotit, e të birit Gjonit. Vetë Donika dhe pse kishte lindur ortodokse, dhe u prit në Napoli, jo vetëm si gruaja e Skënderbeut, por edhe si trashëgimtare e dinastisë së Komnenëve, të perandorëve të Bizantit, e rriti të birin Gjonin si katolik, po ashtu dhe fëmijët e Gjonit, si Konstandini që u bë dhe peshkop katolik dhe Gjergji i ri, që i shërbeu Mbretërisë së Napolit dhe luftoi edhe në Shqipëri, po ashtu si i dërguar i Venedikut qe katolik.
Çfarë mund të nxjerrim nga të gjitha këto? Edhe po të mënjanojmë me kujdes interpretimet e historianëve, faktet flasin qartë: Arbëria nga ku rridhte Skënderbeu dhe ku vepronte ai, i përkiste, në thelb, Kishës ortodokse; në një kohë që katolikët ishin fort të pranishëm në vijën bregdetare, ose në Arbërinë Venedikase. Vetë familja e Kastriotëve, si familje feudale, e përdorte përkatësinë në këtë apo në atë fe, duke përfshirë këtu edhe fenë islame, si instrument politik për të mbijetuar dhe/ose përfituar sipas rrethanave.
Skënderbeu lindi pas gjase në fenë ortodokse dhe u rrit dhe u edukua në fenë islame, por erdhi duke u afruar me katolicizmin, meqë kjo i hynte në punë edhe për arsye politike. Nëse afrimi i Skënderbeut me Vatikanin ishte edhe pasojë e zgjedhjeve të tij mirëfilli këtë nuk e gjejmë dot. Po ashtu, që Vatikani vetë kishte interes ta paraqiste dhe ta propagandonte Gjergj Kastriotin si “atlet të Krishtit” dhe komandant të asaj kryqëzate që nuk u krye kurrë, kjo nuk do të thotë, automatikisht, se Skënderbeu luftonte për Vatikanin dhe interesat e tij në Ballkan. Nuk duhet harruar se në kohën kur ka jetuar dhe vepruar Gjergj Kastriot Skënderbeu çështja fetare ishte çështje thelbësore e jetës së përditshme qoftë asaj shoqërore, qoftë asaj familjare, qoftë asaj individuale.
“Në mesjetë perandoritë, mbretëritë, principatat, popujt, fiset, familjet janë identifikuar me një gjuhë, me një territor, me lidhjen e gjakut dhe me një fe. T’i përkasësh një feje nuk ishte një element dytësor apo i parëndësishëm, por në të vërtetë tregonte edhe përkatësinë dhe identitetin e një shoqërie dhe një personi. E dimë mirë se shumë herë njerëzit është dashur të ndryshojnë fenë e tyre për t’u bërë pjesë e një perandorie, mbretërie apo principate. Në këtë periudhë kohore mbizotëronte shumë parimi ‘Cuius regio, eius religio’ – I atij që është pushteti, i atij është edhe feja’. Andaj të thuash se në mesjetë elementi fetar ishte i parëndësishëm për një gjeneral, princ apo mbret, siç ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu , është një e padrejtë, sa themelore aq qesharake, që i bëhet epokës në të cilën ai ka jetuar, popullit, tokës dhe kulturës që ka mbrojtur.” [19]
Dhe natyrisht duke jetuar Sipas qëndrimit osman ndaj çështjes fetare në jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeu ai shihej si: ‘Iskenderi sojkeq’ (siç e quan atë kronisti osman Hoxha Sadeddini); ai që “i verbuar nga krenaria e gaboi rrugën e tij”; “armiku i përbetuar i Allahut”, “bukëshkali”, apostazi – femohuesi dhe epitete tjera, përmes së cilave theksohej mosmirënjohja dhe tradhtia që Skënderbeu kishte bërë pushtetit të sulltanit, perandorisë osmane dhe fesë së vetme të vërtetë, siç ishte sipas tyre feja islame. Se si ishte parë Skënderbeu nga osmanët më së miri na e ilustron historiani Kinross në shkrimin e tij sipas të cilit Sulltan Mehmeti II, me të marrë vesh se Skënderbeu kishte vdekur shpreh kështu mendimin e tij: “Më në fund Evropa e Azia janë të miat tani. I mjerë krishterimi! Sot ka humbur shpatën dhe mburojën e tij!” Andaj nuk ka asnjë mëdyshje se Skënderbeu nga ana e osmanëve, të shihej njëkohësisht si mbrojtës i Evropës dhe krishtërimit, në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të pandashme.
Sipas historianit ushtarak Michael Antonucci dhe historianëve ekonomikë Glenn Hubbard dhe Tim Kane, administratorët turq krihnin rajonet e pushtuara prej të tyre (por veçanërisht Ballkanin) një në çdo pesë vjet, për djem më të fortë të subjekteve të krishtera për t’u çuar pranë të sulltanit. Këta djem (zakonisht midis moshës 6 dhe 14 vjeç) u morën nga prindërit e tyre dhe u ishin dhënë familjeve turke në krahina për të mësuar gjuhën dhe zakonet turke, dhe rregullat e Islamit. Rekrutët indoktrinoheshin në Islam, detyroheshin te bëheshin synet dhe mbikëqyreshin 24 orë në ditë nga eunukët. Ata i nënshtruan një disipline të ashpër, duke u ndaluar të mbanin mjekër, të merrnin një zanat tjetër përveç ushtrimeve ushtarake dhe të martoheshin. Si rezultat, jeniçerët ishin trupa jashtëzakonisht të disiplinuar dhe u bënë anëtarë të klasës së asqerëve, qytetarë të klasit të parë të klasës ushtarake. Shumica ishin jomyslimane, sepse nuk lejohej marrja skllav e një myslimani.[20]
Formimi i trupave të jeniçerëve ka nisur në periudhën e sundimit të Muratit I (r.1362-1389), sundimtari i tretë i Perandorisë Osmane. Otomanët vendosën një taksë prej një të pestës për të gjithë skllevërit e kapur në luftë, dhe ishte nga ky grup që sulltanët ndërtuan trupat e Jeniçerëve si një ushtri personale besnike vetëm e sulltanit. Nga vitet 1380 deri në 1648, jeniçerët u mblodhën përmes sistemit devshirme, i cili u shfuqizua në vitin 1638.
Sipas Enciklopedisë Britannica, “në ditët e para, të gjithë të krishterët regjistroheshin pa dallim.” Më vonë, ata nga Shqipëria, Bosnja dhe Bullgaria parapëlqeheshin. Jeniçerët kaluan më pak kohë në stërvitje si acemi oğlans, si mosha mesatare të rekrutimit nga 13.5 vjeç në vitet 1490.
Për të gjitha qëllimet praktike, jeniçerët i përkisnin Sulltanit dhe ata konsideroheshin si mbrojtës të fronit dhe Sulltanit. Jeniçerët mësoheshin t’i konsideronin korpusin e tyre si shtëpinë apo familjen e tyre, dhe Sulltanin si babanë e tyre. Vetëm ata që u tregoheshin mjaft të fortë fitonin gradën e Jenicerit të vërtetë në moshën 24 ose 25 vjeçare. Ocak trashëgonin pronën e jeniçerëve të vdekur, duke fituar kështu pasuri. Jeniçerët mësoheshin të ndiqnin edhe urdhrat e shenjtit dervish Haji Bektash Veliut, dishepuj të të cilëve kishin bekuar edhe trupat e para të jeniçerëve. Një dervish bektashi shërbente si një lloj kapelani për jeniçerët. Në këtë mënyrë dhe me jetën e tyre të izoluar, Jeniçerët ngjasonin me urdhrat ushtarake të krishtera si Kalorësit-Mikpritës. Por Skënderbeu gjatë kësaj periudhe a duhet të ishte konvertuar në mysliman , ai kishte pranuar ai tarikatin Bektashi? Misionarët islamë si Sari Salltiku, nuk ishin të panjohur për të, pasi qysh në mesin e shekulli të 13-të në Krujë ekzistonte një turbe e tij, për të cilin mendohet se ka jetuar në gjysmën e fundit të shekullit të 13-të, Sari Saltiku është një figurë magjepsëse – aq shumë legjendare popullore dhe akte plot nderim rrethojnë historinë e jetës së tij si Bektashi. Ekziston dyshimi, nëse Skënderbeu është konvertuar në mysliman ai duhet të jetë konvertuar si bektashi.
Kryegjyshi botëror i bektashizmit, Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi), në një intervistë për Gazetën Shqiptare, thotë se Skënderbeu ka qenë misionari i parë i bektashizmit. Sipas parimit të tij, ky lider fetar ka të drejtë. Misionari i parë bektashian ishte Skënderbeu, i cili u shkëput nga Turqia për të treguar se luftonte me parullën “Pa atdhe nuk ka fe”. Skënderbeu ishte misionar i sulltanit dhe për t’u bërë kryetar i ushtrisë, duhej të merrte dorën e të bëhej bektashi. Babai që i dha uratën dhe e bëri bektashi Skënderbeun, sulltan kërkoi ta kthente atë në Turqi. Por ai refuzoi të kthehej, duke i thënë se Skënderbeu po luftonte për kombin e tij me parullën “Pa atdhe nuk ka fe”. Për këtë arsye sulltan Murati e dogji në zjarr, dhe Skënderbeu vazhdoi luftën. Kjo është e vërteta, jo ajo që thonë historianët, shkruan ai.[21]
“Atëherë s’është për t’u çuditur sesi idetë e Bektashinjve e ndërkallën Skënderbeun edhe në kontekstin e tyre fetar. Kruja, e lidhur ngushtë jo vetëm me simbolin e luftës së Skënderbeut, por më vonë edhe si një kështjellë myslimane e lidhur me kultin e Sari Saltikut, ishte në thelb të interpretimeve të bektashinjve. Në teqenë e Krujës ruheshin kujtime për Skënderbeun, ndërsa bektashinjtë theksonin se Skënderbeu, i rritur ne Oborrin e Sulltanit dhe i lidhur me trupat e jeniçerëve, përpara se të kalonte në besimin katolik, duhet te ketë qenë mysliman bektashi.”[22] Njëri ndër udhëheqësit e njohur të bektashinjve shqiptarë, Baba Ali Tomorri, në librin e tij “Historia e bektashinjve”, e sheh luftën e Skënderbeut si pjesë të betejës së parë të bektashinjve kundër sulltanëve osmanë. Por të gjitha këto opinione janë aposteriori dhe pa mbështetje historike.
Nga ana tjetër, bota e krishterë, qoftë ajo e Kishës Perëndimore me qendër në Romë, qoftë ajo e Kishës lindore e pranishme, veçanërisht te popujt sllavë dhe grekë, por me qendër në Kostandinopojë (edhe për disa vite) e shihnin Skënderbeu, jetën dhe veprimtarinë e tij si një “Atleta Christi – atlet i Krishtit” (ushtar, mbrojtës, luftëtar i Krishtit), “gjeneral i guximshëm”, mbrojtës i Evropës, mbrojtës i fesë së krishterë dhe i qytetërimit evropian në të njëjtën kohë, që në atë kohë do të thoshte qytetërim i krishterë e katolik.
Edhe në këtë pikë mendoj se disa citate na ndihmojnë të qartësojmë më shumë këtë çështje: Më 12 korrik 1447, papa Nikolla V, dërgoi Antonio de Oliveton, si nunc apostolik bashkë me bulën papnore në të cilën porosiste që të përpiqej për të bindur besnikët e krishterë që t’i jepnin “birit të dashur, burrit fisnik, Gjergj Kastriotit, zot në Shqipëri përkrahje dhe ndihmë kundër turqve.” Në letrën e tij të shkruar më 28 dhjetor 1457, papa Kalisti III e quan kështu Skënderbeu “Mbrojtësi i krishterimit dhe kapiten i përgjithshëm i Selisë së shenjtë!” Ndërkohë që pasardhësi i Kalistit II, Piu II kështu shpreh bindjen e tij për Skënderbeu: “Georgius Scanderbechius… qui aetatem paene omnem in armis pro Christi nomine consumpsit… – Ai, (Skënderbeu) konsumoi gjithë jetën e vet duke luftuar për kauzën e krishterë!”[23] Në vazhdë të këtyre fakteve, në librin Skënderbeu 1468 – 1968, nga Edward Licho, në kuadër të 500 vjetorit të të vdekjes, botuar nga Vatra në SHBA, në pjesën që përmban shënimet e Fan Nolit, në lidhje me fenë e Skënderbeut, ai na thotë për dilemën, “Katolik apo ortodoks? Ai duket sikur kërkon një zgjidhje që t’i kënaqte të dyja palët, dhe t’i qëndrojë më afër bibliografisë dhe traditës perëndimore.
“S’ka aspak dyshim se Skënderbeu ishte katolik. Papët shkrojtën për Skenderbenë me shprehjet më të zjarrta edhe e quajtën “Mbrojtës të krishtërimit”. Shihni letrat e papes Eugjeni i Katërt (1431 – 1447); Nikolla i pestë (1447-1455); Kalisti i Tretë (1455-1458); Piu i Dytë (1458-1464); Pavli i Dytë (1464-1471). Pyetja këtu është në se ai ishte i Ritit Latin apo i Ritit Bizantin. Duket se ai ka qenë i Ritit Bizantin. Një dokument Venecian me datë 17 Gusht 1424, na tregon shkruan ai se përfaqësonjësi i Gjon Kastriotit, At Dhimitri, i paraqit një kërkesë Senatit në gjuhen greke, gjë që dëfton se ai ishte ortodoks oriental edhe jo katolik e latinNë vazhdë të këtyre fakteve, në librin Skënderbeu 1468 – 1968, nga Edward Licho, në kuadër të 500 vjetorit të të vdekjes, botuar nga Vatra në SHBA, në pjesën që përmban shënimet e Fan Nolit, në lidhje me fenë e Skënderbeut, ai na thotë për dilemën, “Katolik apo ortodoks? Ai duket sikur kërkon një zgjidhje që t’i kënaqte të dyja palët, dhe t’i qendrojë më afër bibliografisë dhe traditës perëndimore.
“S’ka aspak dyshim se Skënderbeu ishte katolik. Papët shkrojtën për Skenderbenë me shprehjet më të zjarrta edhe e quajtën “Mbrojtës të krishtërimit”. Shihni letrat e papes Eugjeni i Katërt (1431 – 1447); Nikolla i pestë (1447-1455); Kalisti i Tretë (1455-1458); Piu i Dytë (1458-1464); Pavli i Dytë (1464-1471). Pyetja këtu është në se ai ishte i Ritit Latin apo i Ritit Bizantin. Duket se ai ka qenë i Ritit Bizantin. Një dokument venecjan me datë 17 Gusht 1424, na tregon shkruan ai se përfaqësonjësi i Gjon Kastriotit, At Dhimitri, i paraqit një kërkesë Senatit në gjuhen greke, gjë që dëfton se ai ishte ortodoks oriental edhe jo katolik e latin”.[24]
Mendoj se në atë kohë ishte krejtësisht e natyrshme që mbretëritë Evropiane të identifikoheshin në mënyrë të natyrshme me Krishterimin, sepse të tillë ishin, dhe ishte krejtësisht e natyrshme të identifikoje Perandorinë osmane me islamin, sepse e tillë ishte: edhe njëra edhe tjetra kishin ndërtuar botëkuptimin e organizmit shtetëror, shoqëror, familjar dhe individual të mbështetur njëra në parimet e krishtërimit e tjetër në parimet e islamit.
Andaj të luftosh një mbretëri evropiane do të thoshte të luftosh një mbretëri të krishterë dhe anasjelltas, të luftosh perandorinë osmane do të thoshte të luftosh një perandori islame. Duke kujtuar se perandoritë dhe mbretëritë e asaj kohe nuk mbështeteshin vetëm në elementin etnik – e aq më pak kombëtar, meqë çështja kombëtare ende nuk kishte lindur – dhe se perandoritë, mbretëritë dhe principatat e asaj kohe shumë herë përbëheshin nga popuj me gjuhë, racë dhe etni shumë të ndryshme nga njëra tjetër (mjafton të kujtojmë këtu konglomeratin e etnive dhe popujve të panumërt që përbënin perandorinë osmane). Elementi fetar, bashkë me atë ekonomik, territorial dhe fisnor ishin elementet më të forta unifikuese asaj perandorie, mbretëri apo principate.
Kështu jo si qëllim por si fakt real kontradiktën dhe zgjidhjen e këtij rebusi të besimit të Skënderbeut që e kishte gjetur Noli e jep në një formë të përafërt edhe T. J. Winnifrith, tek Badlands and Borderlands.
“Në veri të zonës të shënuar nga defterët, familjet të fuqishme si Kastriotët dhe Dukagjinët, kishin pranuar suzeranitetin, dhe Gjon Kastrioti e kishte dërguar djalin e tij për të luftuar për turqit. Ai gjithashtu kishte mbajtur lidhjet e tij me Venecian dhe Ortodoksinë, duke dërguar dhurata në malin Athos. Skënderbeu, djali i tij më i vogël, u rrit si musliman, por luftoi kundër turqve si një katolik, megjithëse, duke respektuar ritet e Kishës Lindore”.[25]
Prandaj si konkluzion mund të thuhet se Skënderbeu, “lindi ortodoks, u rrit si mysliman me jeniçerët dhe vdiq si katolik”.
[1] Gennaro Francione “Scanderbeg, un eroe moderno” (Multimedial hero) “Occupare duodecim de ecclesiis episcopatus Albaniae et illas nititur se movere ab ipsu episcopatu Albaniae et unire atque educere sub episcopatu suo”.
[2] https: //www. flickr. com/photos/ben_bellaja/6877308414
[3] “Io son vissuto novanta anni in questa opinione, che dalli miei maggiori da fanciullo nell’animo mio fu impressa; & appresso de’ miei popoli, benché mal fortunato, sono sempre stato reputato savio; al presente tu vorresti che, vedutomi essi mutato, credessero che io aggravato dagli anni havessi perduto l’intelletto, & (come da volgari si dice) fossi rimbambito; & io farei prima per abbandonare la vita, che partirmi dalle tradizioni de’ miei predecessori”. ORBINI: Il regno, 339.
[4] Paskal Milo, http://www.panorama.com.al/milo-konvertimi-ne-fene-islame-100-vjet-para-vdekjes-se-skenderbeut/
[5] Paskal Milo, po aty
[6] Sufflay, Illyrische-Albanische Forschungen , fq 238″ ……so dass wir unter dem Katholiken Georg Kastriota (Skenderbeg), der auch zeitweise Mohammedaner war und dessen Vorfahren vom reinen Griechentum bis zum albanischen Katholizismus eine slawisch-orthodoxe Retorte passirten, die eigentuemliche Erscheinung sehen, dass sein Gesandte am Hofe des Koenigs von Aragonien, Stephan Bishof von Kroja, im Jahre 1451 einen wichtingen lateinisch verfassten Vertrag in griechischen Lettern unterschreibt….”
[7] Edwin Jacques The Albanians: Ethnic History from pre Historic Times to the present.
[8] F. S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, po aty
[9] Sabri Godo, Skënderbeu Roman, 1988, fq. 171.
[10] Gazeta Shqiptare, Ilirian Gjika, “Skënderbeu kishte një vajzë, quhej Vojsava?”, më 12 korrik, 2011
[11] https://shqiptarja.com/lajm/martesa-e-skenderbeut-deshmite-br-e-rralla-te-marin-barletit?r=pop5s
[12] Akademia e Shkencave. Epika Historike, 1 Tirane 1983.fq.133
[13] Martesa e Skënderbeut, dëshmitë e rralla të Marin Barletit, Shqiptarja.com (print) 17.08.2013
[14] Pirro Prifti, Gjergj Kastriot ishte greko-orthodoks jokatolik, http: //epavarura. com/gjergj-kastriot-ishte-greko-orthodoks-jo-katolik/
[15] F.S.Noli Skenderbeu qe ortodoks i ritit katolik
[16] MARINESCO: Alphonse, fq. 64.
[17] Sa përket listat në Hierarchia Latina Orientis, në to Kisha e Krujës jepet me dy statuse, si “kishë greke [ortodokse] shufragane e Durrësit”, simbas Notitiae 3 dhe 4 nga PARTHEY: Synecdemus, 124, 220, por edhe si “kishë latine shufragane e Durrësit” për “periudhën perëndimore”, mbështetur në dokumente të ASVat., nga FEDALTO: La Chiesa, III, 109 zëri “Croiensis”. Do mbajtur parasysh se listat e kësaj Hierarkie përmbajnë emra titullarësh kishtarë që qëndronin, ose mund të qëndronin në Lindje, në varësi të rrethanave politike të atyshme. Zakonisht kur mungonte prania ushtarake “latine”, me përjashtime të pakta, as prelatët latinë nuk kishin mundësi të qëndronin në selitë e veta. Ata shënoheshin shpesh si titullarë selish “in partibus infidelium” ose “in partibus schismaticorum” ndërsa vijonin të rrinin në Perëndim duke gëzuar emërimin formal.
[18] JORGA, N.: Histoire des États balcaniques jusqu’à 1924, Paris 1925 ,fq 121
[19] https://www.vaticannews.va/sq/bota/news/2018-07/domink-qerimi-gjergj-kastrioti-ceshtja-fetare.html
[20] Hubbard, Glenn and Tim Kane. (2013) (2013). Balance: The Economics of Great Powers From Ancient Rome to Modern America. Simon & Schuster. pp. 152–154. ISBN 978-1-4767-0025-0.
[21] Baba Mondi: Skënderbeu ka qenë misionari i parë i bektashizmit Gazeta Dita. Gusht 1, 2013 09:24, http://www.gazetadita.al/baba-mondi-skenderbeu-ka-qene-misionari-i-pare-i-bektashizmit/
[22] Hasan Kaleshi, “Albanische Legenden um Sari Saltuk,” in Actes du premier Congrès international des études sud-est européennes (Sofia: 1971);Kiel, “A note on the date of the establishment of the Bektashi order in Albania: the cult of Sari Saltik Dede in Kruja attested in 1567-1568.”
[23] Noli , po aty
[24] “Probleme biografike mbi Skenderbeun”, fq 87, Noli,
[25] Badlands~Borderlands. A history of southern Albania: T. J. Winnifrith, fq 99