Çitaku e konteston raportin e “Freedom House” që e lidh Thaçin me korrupsionin në Kosovë

Prishtinë, 20 prill 2022 – Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar të pasaktë raportin e fundit të “Freedom House” për Kosovën, në të cilën ish-presidenti Hashim Thaçi cilësohet përsëri si figurë e lartë politike e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në një postim në Facebook, Çitaku kujton se Thaçi gjendet në paraburgim qe “pothuajse dy vjet”, kështu që nuk është as fizikisht në Kosovë dhe aq  më pak politikisht .

“Raporti i fundit i ‘Freedom House’, ku përmendet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i pasaktë. Presidenti Thaçi pothuajse dy vjet po mbahet padrejtësisht në Qendren e Paraburgimit në Hagë, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje në liri. Duke mos qenë as fizikisht në Kosovë, e aq më pak politikisht aktiv, do të doja ta di formulën magjike që sipas raportit në fjalë, z.Thaçi e paska përdorur për të zgjedhur e emëruar njerëz në Kosovë. Për më tepër, çdo vizitë dhe çdo telefonatë e zotit Thaçi është e monitoruar. Këto lloj raportesh, po të mos ishin edhe të dëmshme, do të ishin thjeshtë qesharake”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj,  raporti i Freedom House mund të keqpërdoret nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.  

“Janë pikërisht raporte të tilla, pa burim informacioni dhe pa asnjë fakt të vetëm, që Prokuroria në Hagë mezi pret t’i keqpërdorë për t’i lënë krerët e UÇK-së edhe më tutje në paraburgim”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka treguar se ajo e ka vizituar Thaçin në Hagë, të martën. Ajo ka theksuar se as Thaçi dhe as bashkëluftëtarët e tij qëgjenden në paraburgim në Hagë nuk bëjnë aspërpjekjen më të vogël që të kenë ndonjë ndikim politik në Kosovë.

“E kam vizituar ish Presidentin në Hagë. Së fundi dje. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij e kanë para vetës një betejë të rëndësishme për historinë e luftës sonë çlirimtare. Sigurisht, edhe nga burgu, i gëzohen çdo suksesi të Kosovës, por as përpjekjen më të vogël nuk e bëjnë për të pasur çfarëdo lloj ndikimi politik”, ka thënë ajo.

Pos Thaçit, “Freedom House” në raportin e vitit 2022, e cilëson figurë të lidhur me korrupsionin dhe me krimin e organizuar edhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

(r.m.)