Prishtinë, 29 qershor 2023 – Qeveria e Kosovës i shpalli “organizata terroriste” dy struktura të sigurisë që veprojnë jashtë sistemit të sigurisë së Kosovës.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe,u shpallën “organizata terroriste” pasi u vlerësua se ato përbëjnë “kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe për sigurinë në Kosovë”.
“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”, tha kryeministri Albin Kurti, gjatë arsyetimit të vendimit.
Radio Evropa e Lirë bëri një prezantim të veprimtarisë së këtyre strukturave, të cilat kanë në përbërjen e tyre qindra pjesëtarë të komunitetit serb dhe shpjegoi se si trajtohen nga ligjet aktuale në Kosovë organizatat që shpallen terroriste.
Çka bën “Mbrojtja Civile”?
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.
Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.
Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civilna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.
Në nëntor të vitit 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
Një vit më vonë, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” janë parë edhe para qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, por janë larguar nga Policia e Kosovës.
“Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.
Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.
Ani pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto të fundit kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.
Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.
Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri.
Çka bën “Brigada e Veriut”?
“Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”
Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.
Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.
Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.
Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.
Për këtë formacion, në gusht të vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.
“Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq.
Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.
Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.
Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.
Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.
Si i trajton ligji i Kosovës organizatat terroriste?
Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.
Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.
Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim.
Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.
Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste.
Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet.
(r.m.)