Çmimi ndërkombëtar në letërsi, “Atjon V. Zhiti”, këtë vit kthehet në Europë, në Itali, dhe i jepet poetes Claudia Piccinno. Në edicionin e parë kishte shkuar në Amerikë, në Argjentinë, për poeten habreje Susana Robert dhe më pas në Azi për poeten japoneze Kae Morii.
Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “IWA BOGDANI”, me qendrat në Bruksel/ Belgjikë dhe Prishtinë/ Kosovë, në fund të nëntorit merr vendimin, sipas një komisioni ndërkombëtar, “Për pasionin dhe sinqeritetin në art dhe krijimtari” dheZonjës Claudia Piccinno, në Itali, iu dha “si autore që ka arritur nivele të larta të të shkruarit….”. (Presidenti, Akademik Prof. Dr. Jeton Kelmendi – Bruksel, Belgjikë/ Prishtinë, Kosovë).
Poetja italiane Claudia Piccinno, pasi pranoi çmimin, shkruajti:
“Kur fjala poetike i tejkalon kufijtë realë dhe metaforikë, fizikë dhe jo vetëm, ndodh që të shpërblehet bashkë me emra të mëdhenj të peizazhit ndërkombëtar. Sot në Kosovë është dhënë një çmim… Faleminderit..”.
MEDIA ITALIANE
“NotizieNazionali.it ”, ndër të tjera shkruan:
Për poeten italiane Claudia Piccino vjen çmimi tjetër ndërkombëtar nga “Bogdani”, titulluar “Atjon Zhiti”, emri i studentit të talentuar të Filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos… Djali i poetit dhe prozatorit Visar, njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë (ka qenë dhe minister kulture). Atjoni bashkëpunonte me disa gazeta shqiptare dhe me revistën e PEN Clubit Italian…
IWA “Pjetër Bogdani” ka gjithashtu një shtëpi botuese për botime ndërkombëtare dhe për promovimin e letërsisë shqipe jashtë vendit dhe të letërsisë ndërkombëtare në guhën shqipe… Mes atyre që kanë marrë çmime janë dhe italianët Dante Maffia dhe shqiptaro-italiania Anila Dahriu në seksione të tjera prestigjioze. Shoqata nderon figurën e Pjetër Bogdanit (L. 1630 – dhjetor 1689), shkrimtarit më origjinal i letërsisë së hershme shqipe. Është autori i “Çetës së Profetëve”, 1685, vepra e parë në prozë, e shkruar gegërisht.
POETJA FITUESE CLAUDIA PICCINNO
“Poezia e Claudia Piccinno-s është një sublimim i dimensionit njerëzor në të cilin gëzimi dhe dhimbja, paqja dhe qetësia perceptohen si interferime në rrënjët lirike të shekullit njëzetenjë, në të cilin po humbasim humanizmin dhe po zhytemi në shurdhimet e tjetërsimit në të gjitha drejtimet, në rënien e civilizimit. Poezia e Piccinno-s ka guximin të na bëjë të përballemi me frikën tonë, na thërret të pranojmë dhe kapërcejmë gabimet tona, të qëndrojmë pas mburojës së pastërtisë sonë si qenie njerëzore, të risjellim në apogje guximin tone, në mënyrë që të ndjejmë ‘adrenalinën nën gjuhën tonë edhe një herë, të mund të jemi të gjallë, madje të përdorim dhe zemërimin, nëse është e nevojshme, dhe të lidhim harkun e jetës sonë njerëzore në Tokë, me thelbin tonë në Parajsë” citohet nga “NotizieNazionali.It” që të ketë thënë poeti dhe profesori Borçe Panov.
Claudia Piccinno është docente në arsim, e diplomuar për gjuhë të huaja dhe letërsi, përkthyese, autore e shumë librave me poezi, e parathënieve dhe eseve kritike. E lindur në Lecce në vitin 1970, ajo u shpërngul shumë e re në Lombardi dhe më pas në Emilia Romagna, ku jeton aktualisht.
E pranishme në mbi 100 antologji, brenda edhe jashtë vendit të saj, (Indi, Malesia, Singapor, Turqi, SHBA, Poloni, Kinë), ajo është anëtare e jurisë në çmime të ndryshme letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga maji 2016 ajo punon për të promovuar poezinë e bazuar në respektimin dhe vlerësimin e dallimeve, ajo lufton për të parandaluar paragjykimet gjinore.
Drejtoreshë për Europën në Festivalin Botëror të Poezisë për vitin 2021, me medalje ari nga “Frate Ilaro 2017”, fituese e çmimit “Ossi di Seppia” 2020, ambasadore për Italinë në Institutin Botëror për Paqen dhe “Sanat Art” të Stambollit, këshilltare e Bashkisë “Castel Maggiore” për vlerat kulturore, etj..
Ndër çmimet ndërkombëtare me të cilët ajo është vlerësuar, përmenden: “Rosetta Stone” – Stamboll në 2016, “Naji Naaman” 2018 në Liban dhe në 2021 “Light of Galatas” përsëri në Turqi, çmimin ndërkombëtar të Jurisë “Sahitto” në Bangladesh, çmimin “Aazad” për poezi në Indi. Së fundmi ka marrë medaljen e artë për poezi në Lunigiana Center of Study për Dante Alighieri. Drejtues e rubrikës së poezisë për “La Gazzetta di Istambul”, redaktore për Evropën e revistës turke “Papirus”, edituar nga Artshop, bashkëpuntore me blog-e të ndryshme, e-magazine dhe revista në letër, duke përfshirë Menabò, Verbum Press, Italine, CiaoMag, Poetry Land dhe Il Porticcoiolo, etj.
ATJONI I ÇMIMIT
Kush është Atjoni? “19 vjeçari i përhershëm” – e quan gjenerata e tij studentin shqiptar të filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano (Itali), që dinte të jepte shumë dashuri e vrull ndër shokët e shoqet e miqtë, që pëlqente artet, filozofinë dhe sportet, gjuhët e huaja dhe shkencat politike dhe “buzëqeshte çiltërsisht”, gjë që ata që e kanë njohur, ia quajnë “vepër”, duke e patur Atjonin kështu dhe idealin shpirtëror të tyre.
– Lindi në qytetin e Vlorës në 30 gusht 1995 dhe u rrit mes ngjyrave, muzikës dhe poezisë në Romë (Itali), ku prindërit punonin si diplomatë.
– Kur ishte 3 vjeç e gjysmë një viziatim i tij për “Nënë Teerzen” iu botua në një album me shkrime për Shenjten dhe shkruajtën gazeta në Vatikan dhe në Shqipëri. Hapi një “ekspozitë fëminore” në shtëpi e tij në Romë dhe më pas një tjetër në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve.
– Kthehen familjarisht në Tiranë dhe mësimet e para i nisi në shkollën katolike “Ylber”. – Arsimin 9 vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestren e shkollës deri dhe në Auditoriumin e Romës.
– Nisi studimet në Liceun e njohur Klasik të Romës “Giulio Cesare”, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i përvetësoi shkëlqyer, studio dhe greqishten e vjetër dhe latinishten. – Përfundoi gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë, ku dhe ishin kthyer sërisht dhe bëri disa kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frengjisht e gjermanisht.
– Merrej me sporte, me not, kanotazh, tenis dhe shah.
– Kishte pasion dhe muzeumet, i vizitoi më të rëndësishmit në atdhe, në Tiranë e Durrës, Vlorë, Korçë, Krujë, Shkodër, etj, edhe në Kosovë, të cilën e shëtiti të gjithë, pastaj dhe në Romë e Vatikan, dhe në qytete të tjera si Firence, Venecia, Paris, Vjenë, Pragë, Beograd, etj, e deri në Chicago, SHBA.
– Fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi në Itali.
– Është dhe anëtar i Parlamentit Europian Rinor (EYP), ka përfaqësuar Shqipërinë në disa Konferenca si në Spanjë, Letoni, etj.
– Pranohet në PEN Clubin Italian, ku është antari më i ri. Krahas shkrimtarëve që kishte njohur në Shqipëri dhe Kosovë, takohet dhe me poetë nga bota, Sebastiano Grasso, Mario Luzi, Adonis, Hermann Nitsch, Jevtushenko, nobelistin Derek Walcott, etj.
Përkthen në shqip për antologjinë “Lajmëtarët e Europës” poezi nga Zai Fundo, personalitet i persekutuar politik, që do të botoheshin për herë të parë.
Ndërkohë bën dhe piktura si një adoleshent, një pjesë e të cilave vendosen dhe në ballina librash të ndryshëm, të botuara në Shqipëri, Kosovë e Itali.
– Në vitin e dytë universitar nis botimet e eseve të para të tij filozofike në Shqipëri dhe Kosovë dhe në median shqiptare në diasporë, Itali, Zvicër, Angli, SHBA.
Është bashkëpërkthyes në librin me poezi të poetit të njohur në botë, Adonis, që botohet për herë të parë në shqip, në 2014…
* * *
– “Për atë që dua(m)”, del libri i parë i Atjon V. Zhitit në 2015 me ese e shkrime të tjera, të mbledhura nga prindërit, me jehonë në lexues dhe në media.
– Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xiëllonja”, në Universitetin “Polis”, Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, Gëzim Qendro.
– “Opera Atjon” – është albumi me vizatime dhe piktuara të fëminisë dhe adoleshencës, botohet në 2017 në shqip dhe italisht, përgatitur nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa, me pasthënie të tij dhe parathënie nga Gëzim Qendro. Albumi ka patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.
“Jam Atjoni” është libri që del ne Kosovë në 2020, botimet “Bogdani, Bruksel-Prishtinë.
Në Romë Koncert për Atjonin, me violinë dhe pianofort, “Jehonë dhe butësi – dialog mes tingujve dhe një ëngjëlli”, ku luan violinistja e njohur Anyla Kraja dhe recitohen shkrime të Atjonit.
Ndërkaq botohen librat me tregime “Valixhja e shqyer” dhe përmbledhjet me poezi “Të rritesh nga dashuria” dhe “Dove é la vita” në Itali me ilustrime të Atjonit si bashkautor me Visar Zhitin dhe me një parathënie nga Eda Zhiti.
Festali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku Atjoni bënte pjesë dhe u shqua.
– “IWA BOGDANI” themelon Çmimin Ndërkombëtar vjetor për poezi “Atjon V. Zhiti”.
– Një rruge në Tiranë i është vendosur nga Bashkia e Kryeqytetit emri: “RRUGA E ATJONIT”.
KANË THËNË PËR ATJONIN:
Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare
Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie , albanalog kanadezo-gjerman,
Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…
Sebastiano Grass, Poet, President i PEN Clubit, Itali
Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij.
Eugjen Merlika, studiues, kritik letrar, Itali.
Atjoni jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën… Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.
Jeton Kelmendi, President i International Writers Assosaciation “Pjetër Bogdani”
Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi…
Luan Topçiu, kritik arti, studiues, përkthyes,
Bukuresht, Rumani
Mendimet e Atjonit ishin të pakufizuara, qiellore. Ata nuk shfaqeshin asnjëherë brenda diçkaje, por kërkonin të dilnin jashtë për të gjetur të parrokshmen… Brendinë e ka prej të njëjtit material me atë të shpirtit. Atjoni nga njeri i përveçëm është kthyer në simbol të përgjithshëm, përmbledhës i një tërësie hiresh nga Ati.
Andreas Dushi
Shkrimtar
Biblioteka Kombëtare, Tiranë
Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.
Padre Marko I. Rupnik
Teolog, artist,
Universiteti Gregorian. Romë.
…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.
Kardinal Gianranco Ravasi
Biblist, kritik arti.
Ministër i Kulturës, Vatikan
M’u bë se ti, Atjon, ishte mes petaleve të melodive,/ vallëzues me format e natyrës./ Shpirti yt po më thoshte të mbroja rrjetin/ që lidh njerëzit… /Me mrekullinë e buzëqeshjes tënde,/ që s’e kisha parë në jetë,/e kuptova që njerëzit kurrë nuk vdesin…
Susana Roberts,
poete nga Argjentina,
fituese e Çmimit “Atjon V. Zhiti” 2018
Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.
Adonis
Poet, kandidat per “Nobel”
Paris, Francë
DO TË TRIUMFOJ ME VETEN TË PASQYRUAR NË GOTË
6 POEZI
nga Claudia Piccinno,
fituese e çmimit “Atjon Zhiti” 2021
SHQETËSIMI
Shqetësimi gjen paqe
në qiellin e dëshiruar
sipër jetës.
Shqetësimi gjen paqe
kur s’pret asgjë më shumë
nga ata që do.
Shqetësimi gjen paqe
në letargjinë e shqisave
dhe në harresën e detyruar.
Ndonjëherë gjen qetësi
në gjestet e thjeshta të dikujt
që bën një detyrë,
Gjen paqe në rrjedhën mekanike
të transportuesit të bagazheve
në aeroport.
Shqetësimi gjen paqe
në të vërtetat e qarta
dhe në një gjykim
pa nëse dhe por.
PËRMES NJË SHKALE TË SHTREMBËR
Përmes një shkalle të zhdrejtë
Kam përshkuar botën
teksa prekja barin në tokë
duke shprehur një dëshirë.
Retë vezulluese e ngatërrojnë ndjenjën
zbathur pengohem në limitet e njeriut.
Por dyshimi im është i fortë
dhe mëdyshem në është e vërtetë përherë
ajo që na vjen.
Unë do t’i drejtoj shkallët
dhe dua të kuptoj
si të bëj që erërat t’i kem në ndihmë
pa e kthyer boshtin.
DHIMBJA Që MBAJ BRENDA
Ndihesha si një foshnjë në atë djep.
Më ngjau në bregun e një plazhi të dlirë.
Më thirre nga rrënojat
- Nxito, eja, eja me ne!
Mbeta e zhytur dhe e trishtë
pa asnjë zgjidhje.
Jam ende ajo foshnja në plazhin e shpërfytyruar.
Trishtimi im nuk ka emër,
as zot e as ngjyrë.
e ndjej mbizotërues
kur e lexoj në mendjen time
dhe ulem prapë në breg
si një kërmill në guaskën time.
Kjo çantë shpine e rëndë
nuk ka emër as zot.
Nëse e lë
do të jem vetëm,
bosh brenda
sërish dhe sërish
HIPOTEZA PËR TY
Asnjë teoremë s’do të ishte hedhur poshtë,
hipoteza që e doja për ty.
Megjithatë inicialet e emrit tënd
s’ishin një ogur i mirë.
Koha ishte më e fortë se çdo mundësi.
S’e vë dot dashurinë kundër statistikave të paraqitjes.
Nga ato ditë ka mbetur një shkarkues premtimesh,
një grumbull ndryshe fjalësh,
bosh i humbur pa rimbursim.
Radhën në incenerator e njoh
inicialet e emrit tënd.
Doja të ktheja letrat,
Të ndryshoja perspektivën,
të bëja anagramën supersticioze
para se të braktisja të gjitha iluzionet
ku ti do të mbeteshe pa maturí,
hero kundër çdo logjike,
aksiomë e pakundërshtueshme
për çdo teoremë.
TUNEL
Tunel pa dalje
në mendje dhe në shpirt,
mbyllur nga heshtja
e betontë.
E humbur drita,
rrugë shpartalluar,
i rrënuar gëzimi.
besimi i pavendosur,
përforcohen shtigjet e errëta,
format strikte të vetmisë
dhe bëhen rrugë e gjerë
me kumbimet e shurdhëta
të talljes.
Një ditë ajo do të rilindë,
lule në tokën e gurtë,
që ferrave t’u vijë rëndë nga gjembat.
FJALA E PAKUJDESSHME
Fjala e pakujdesshme
që gudulis pakënaqësinë e fshehur keq,
dhe shpërthen me zemërimin
Aty ku kulloste rrëqebulli
mirësia e rremë e të tjerëve
gëlltiti pastërtinë
Se ç’dëgjova një të vërtetë të hidhët,
shurdhane dhe u shqetesova,
Do të doja të lutem: oh, Paqe!
Pyesja veten
në kërkim të së vërtetës,
unë aq elastike
Mes gënjeshtrave të të tjerëve.
Zbulova tufa gjembash
të mos jenë dorëzuar
nga gënjeshtari i çastit,
E shikova…
që ta spërkas me petale përreth
të martohesh me të vërtetën tënde
Për një pamje sa më të pastër, të mirë.
Unë nuk u përkula, koha bëri pjesën tjetër.
Madamë Plastik i zemëroi të gjithë
me atë mendim të rehatshëm,
buzëqeshjen mediatike
me ato përmirësimet e mundësive.
Vetëm verbi i pakujdesshëm
Ishte shoku im
Dhe një ditë do të triumfoj
me veten time të pasqyruar në gotë.
_________________________
Përktheu Dardan Shkreli
Skicat nga Atjon Zhiti