Radio Evropa e Lirë
Njëmbëdhjetë shkencëtarë janë bërë multimilionerë, pas fitores së Çmimit inaugurues për Arritje Shkencore.
Secili nga ta do të marrë nga 3 milionë dollarë – dy herë më shumë se shuma që ofron Çmimi Nobel.
Çmimi është themeluar nga disa manjatë të njohur të teknologjisë, përfshirë bashkëthemeluesin e kompanisë Google, Sergey Brin, themeluesin e rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, dhe kapitalistin rus, Yuri Milner.
Nga 11 fituesit, nëntë vijnë nga universitete dhe institucione të Shteteve të Bashkuara, ndërsa dy të tjerë nga Japonia dhe Holanda.
Me të holla, është menduar t’iu ndihmohet shkencëtarëve që të hulumtojnë kancerin, gjenetikën dhe qelizat burimore.
Në të ardhmen, Fondacioni i Çmimit për Arritje Shkencore planifikon të ndajë pesë çmime në vit – secili nga tre milionë dollarë.
Fondacioni ka thënë se do që të krijojë entuziazëm rreth shkencës dhe të shpërblejë hulumtuesit që punojnë për të zgjatur jetën e njerëzve.
“Mendoj se shoqëria jonë ka nevojë për më shumë heronj, të cilët janë shkencëtarë, studiues dhe inxhinierë”, ka thënë Mark Zuckerberg.
Sergey Brin, nga gjiganti Google, ka thënë se shkencëtarët duhet të shpërblehen më shumë se yjet e sportit, për shkak të “përfitimeve që mund t’i sjellin shëndetit të njeriut dhe jetëgjatësisë”.
Një tjetër drejtuese e Fondacionit, Anne Wojcicki, njëherësh themeluese e kompanisë gjenetike “23andMe” dhe bashkëshorte e Sergey Brinit, ka shfaqur shpresën për përparim në shërimin e sëmundjeve të tilla si Parkinsoni.
“Kërkesa për shërimin e Parkinsonit është shumë personale për ne, sepse vjehrra ime vuan nga ai dhe burri im është në rrezik të lartë. Mendoj se secili ka diçka në familje dhe secili do që të jetojë shëndetshëm dhe gjatë”, ka thënë Wojcicki.
Fondacioni i Çmimit për Arritje Shkencore thotë se është korporatë jofitimprurëse, e përkushtuar “për avancimin e hulumtimeve dhe vlerësimin e shkencëtarëve”.
Fondacioni po ashtu thotë se secili në botë do të jetë në gjendje të emërojë online kanidatë për çmimin. Sipas Fondacionit, një çmim mund t’iu ndahet dy ose më shumë shkencëtarëve dhe “ata nuk mund të nderohen më shumë se një herë”. Po ashtu bëhet e ditur se nuk ka kufizime për moshën e të nominuarve.
Njëmbëdhjetë fituesit e këtij viti përfshijnë: Cornelia Bargmann, nga Universitetit Rockefeller; David Botstein nga Universiteti Princeton; Lewis Cantley nga Kolegji Mjekësor Weill Cornell; Hans Clevers nga Instituti Hubrecht në Holandë; Napoleone Ferrara nga Universiteti i Kalifornisë; Titia de Lange nga Universiteti Rockefeller University; Eric Lander nga Universiteti Harvard; Charles Sawyers nga Qendra për Kancer Sloan-Kettering; Bert Vogelstein nga Universiteti Johns Hopkins; Robert Weinberg nga Instituti Massachusetts i Teknologjisë dhe Shinya Yamanaka nga Universiteti Kyoto në Japoni.(v.tela)