(Fjala e mbajtur në Akademinë Përkujtimore në kuadër të manifestimit tradicional “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, në Prishtinë, më 6 mars 2024)
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikjës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I ndëruari kryeministër i Republikës nsë Kosovës, z. Albin Kurti,
I dashur mixha Rifat,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Për këtë ngjarje të veçantë kombëtare ndjej përgjegjësi për atë që them, fillimisht ndaj të vërtetës dhe historisë, familjes dhe kombit, andaj në këtë kohë që kemi lirinë dhe paqen në tokën e të parëve tanë, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë brezat që kontribuan për tokën tonë të shenjtë.
Liria dhe paqja janë dy elemente bazë që sigurojnë rrethana normale për zhvillimin e jetës edhe në vendin tonë të begatë, Kosovën. E drejta me jetue të lirë dhe në paqe është veçse e drejtë themelore për secilën qenie njerëzore, andaj secili duhet ta llogarisë veten e vet si misionar që të promovojë paqen në secilin mjedis dhe nga secili pozicion që është.
Po e nis këtë fjalim me një thënie të Nënës Terezë: ”Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? E thjeshtë: duaje familjen”.
E frymëzuar nga dashuria për familjen, sot dua të flas pak për familjen, veçmas për gratë dhe vajzat. Dua të ndaj me ju pak copëza historie të familjes Jashari dhe fragmente nga përjetimet e mia gjatë tri ditëve të lavdisë kombëtare – 5,6 dhe 7 mars 1998.
Pashmangshëm po filloj me gjyshërit e mi: babën Shaban dhe nënën Zahide, pasi përkundër asaj që jeta i sprovoi me sfida të rënda – burgosje, diferencime, pengesa nga më të ndryshmet – në vend të dëshpërimit dhe dorëzimit, ata e zgjodhën shpresën dhe forcën. Ata arritën të gjejnë paqen vetëm me dashuri dhe mirëkuptim. Me këtë ata arritën të bëhen model edhe për fëmijët e vet dhe për të gjithë neve, pasardhësve.
Të frymëzuar nga edukata familjare për atdhedashuri, njësoj edhe mixha Rifat, Babushi dhe bali Adem ishin përcaktuar dhe dedikuar me tërë qenien për kauzën konbëtare, lirinë e vendit dhe bashkimin kombëtar. Kuptohet që ky dedikim kishte rreziqe dhe krijonte sfida të rënda për familjen, por lidhja, mirëkuptimi dhe dashuria brenda familjes mes tre vëllezërve ka bërë që ata të përballojnë secilën sfidë.
Më lejoni që pak fjalë t’i them për mixhën Rifat, që atëherë na ka munguar të gjithëve, pasi krahas aktivitetit të tij kombëtar, e kishte marrë përsipër edhe barrën e sigurimit të mirëqenies së familjes, duke jetuar në mërgim, larg familjes. Ai ka qenë shtylla e ekonomisë së familjes dhe e organizimit të parë të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Faleminderit, mixhë!
Krahas këtyre burrave ishin edhe gratë e tyre, të cilat gjitmonë kanë qenë përkrah burrave të tyre: nëna Zahidja, Zarifja, nëna Feride dhe Adilja. Këto edhe sot i kemi shembull për përkushtimin dhe sakrificën e tyre për familjen dhe për mbështetjen që u dhanë burrave të tyre.
Po i ndaj me ju disa fragmente nga përjetimet e mia përgjatë Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atëherë, pas sulmit të janarit, kati përdhes i shtëpisë ishte kthyer në strehë në rast të sulmit. Nga jashtë, te dritaret kishin vendosur thasë me rërë, duke e mbyllur pamjen dhe mundësitë e sulmit, ndërsa nga brenda i kishin mbyllur dritaret me orenditë e shtëpisë. Në dritaren nga e cila shihej Fabrika e Municioneve, i kishin lënë disa hapësira të vogla që do të përdoreshin për vetëmbrojtje. Selvetja kishte filluar ta merrte veten nga plagët e betejës së janarit…
5 mars 1998. Ditë e enjte. Ora 5 e 30 minuta. Në qetësinë e agut të mëngjesit po dëgjohej zhurma e mjeteve të armikut që po na rrethonin. Nëna Feride po gatuante bukët. Unë dola jashtë të marr dru për zjarrin, ku e takova për herë të fundit Babushin. Asgjë nuk dukej e zakonshme, përveç grave të familjes që merreshin me punët e zakonshme…
Beteja nisi pas rreth një ore, kur Besimi dhe Fitimi shkrepën armët, pasi vërejtën se forcat armike i kishin mësyrë shtëpitë tona, teksa bukët ishin duke u pjekur. Derisa lufta zhvillohej përreth shtëpive tona, buka u bë gati, por askush nuk kërkoi të hante. As Blerina që ishte më e vogla…
Nga luftimet, viktima e parë në familjen tonë ishte Adilja që në ato momente ishte përkrah burrit të saj, balit Adem.
Luftimet nuk ndaleshin. Bali Adem lëvizte duke luftuar. Herë pas here hynte brenda tek ne dha na pyeste: ‘A jeni mirë?’…
Pasi u vra Fitimi, edhe Besimi erdhi brenda tek ne dhe filloi të luftonte nga dritarja, së bashku me Kushtrimin, Igballin dhe Blerimin, ndërsa Selvetja, Afetja dhe Hidajetja ua mbushnin armët. Herë pas here dëgjohej edhe Babushi duke kënduar. Në një moment, Igballi që luftonte nga dritarja, që ishte në krahun tim të majtë, bërtiti: “O bali Hamzë, o të lumtë goja, bre!”…
Deri të nesërmen bukën nuk e kërkuam. Sikur prisnim që të mblidhshim të gjithë bashkë përsëri…
6 mars 1998. Ditë e premte, si sot para 26 viteve. Nëna, Feridja, e nxori bukën nga furra dhe filloi të na e ndante të gjithëve nga një copë. Mbaj mend që shumica ishin ende gjallë. Ishte koha e darkës dhe ishte hera e fundit që hëngrëm darkë në atë shtëpi. Këtë darkë nuk e di si e kemi ngrënë. Nuk e di çka kemi folë apo nëse kemi folë fare…
7 mars 1998. Ditë e shtunë. Nga baba Shaban dhe Babushi nuk kishin informacion, por këngën e Babushit nuk e dëgjoja më…
Dikur edhe bali Adem u vra dhe tanket e armikut iu afruan shtëpisë. Predhat e tankut i shpërthyen muret e dhomës ku ishim ne, duke krijuar dy vrima të mëdha dhe duke i lënë të plagosur Hidajeten, Kushtrimin dhe Blerinën, ndërsa unë nuk kisha asnjë plagë. Të gjithë të tjerët mbetën të vdekur. Hidajetja më kërkoi të dal përmes vrimës prapa shtëpisë dhe të gjeja mundësinë të dilnim tek fqinjët, poshtë. Fillimisht po e kërkoja armën e Blerimit, por nuk po e gjeja pasi pluhuri i gërmadhave kishte mbuluar gati çdo gjë. Pasi dola i pashë dy ushtarë armiq që filluan të gjuanin në drejtim timin. U ktheva nga hyrja e shtëpisë. Aty e pashë një tanks që digjej në flakë…
Kur mbërrita te Hidajetja dhe Blerina nuk e gjeta Kushtrimin, i cili, sipas Hidajetes, kishte ardhur pas meje dhe ishte vrarë duke luftuar. Blerina më kërkoi ujë dhe në momentin që shkova të marr ujë, armiqtë, përmes vrimës që ishin krijuar nga predhat e tankut, filluan të gjuanin bomba dore, duke vrarë edhe Hidajeten dhe Blerinën…
Pasi më morën nga shtëpia ecëm në drejtim të Fabrikës së Municioneve. Ata flisnin, por unë nuk i kuptoja, derisa erdhi edhe një ushtar armik që fliste shqip. Ata më pyesnin: “Ku janë Ademi e Hamza?”…
Sot e di se si duhej përgjigjur: “Ademi dhe Hamza janë dhe do të mbeten gjithmonë në zemrat e të gjithë shqiptarëve”…
Ju faleminderi shumë, të gjithëve!
Zoti i bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!
(Besarta Jashari është vajza e dëshmorit Hamzë Jashari dhe mbesa e komandantit të UÇKsë, Adem Jashari. Ajo është dëshmitarja e vetme e rezistencës heroike të familjes Jashari ndaj makinerisë luftarake të Serbisë, në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998).