Uashington, 31 korrik 2023 – Përfaqësuesi i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) për Evropë, Attila Mong, tha të hënën se kjo organizatë po e ndjek me vëmendje situatën në lidhje me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
“Jemi të shqetësuar sepse kjo është hera e parë në historinë e vendit që një certifikatë biznesi e një televizioni është në rrezik ose pezullohet në mënyrë të tillë. Ne mendojmë se heqja e certifikatës së biznesit për një media, gjë që mund të çojë në heqjen e licencës së transmetimit, është një masë ekstreme dhe duhet të merret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme”, tha zoti Mong, në një prononcim për Zërin e Amerikës.
Ai shtoi se ky është një hap që kërkon një vlerësim rigoroz nga autoritetet e Kosovës.
Zoti Mong tha se Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve shpreson që kjo çështje të zgjidhet pa rrezikuar pluralizmin e medias në Kosovë.
I pyetur lidhur me argumentin e qeverisë se ligji është njëlloj për të gjithë, ai tha se “kjo është e vërtetë, por këtu bëhet fjalë për një media të rëndësishme në Kosovë”.
“Çdo shkelje e rregullores lidhur me një media, jo vetëm në Kosovë, duhet të trajtohet në mënyrë proporcionale. Dhe revokimi ose heqja e licencës së organit të medias duhet të jetë hapi i fundit. Ka ende mjete ligjore që televizioni mund t’i përdorë dhe ky lloj kërcënimi (ndaj medias) duhet të shmanget. Heqja e licencës së një televizioni duhet të jetë realisht zgjidhja e fundit dhe duhet zbatuar në mënyrë proporcionale”, tha përfaqësuesi i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Attila Mong.
(Zëri i Amerikës)