Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi doli në një prononcim për mediat duke njoftuar edhe vendimet e marra.
I pyetur lidhur me afatin 100-ditor që kryeministri Rama i vendosi policisë, Çuçi theksoi se drejtori i ri i policisë e ka filluar punën pikërisht edhe me analizën e policisë.
Sipas tij, drejtori i policisë do të jetë në të gjitha qarqet e vendit në takime dhe më pas do të hartohet një raport me vlerësimet përkatëse.
Çuçi: Drejtori i ri i policisë e ka filluar punën pikërisht edhe me analizën e policisë. Ai do të jetë në qarqet e vendit në takime me policinë dhe do të ketë një raport që do të shërbejë për vlerësimin e gjithsekujt.
Kjo është një punë e vazhdueshme në mënyrë që të kemi një trupë sa më profesionale dhe integritet moral. Drejtori i ri pikërisht e ka filluar punën duke bërë një analizë në çdo qark të vendit. Edhe ministri do të ketë një raport me këtë gjë.
Fjala e Ministrit të Brendshëm Çuçi, pas mbledhjes së qeverisë
Përshëndetje,
Sot miratuam në qeveri vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë suedeze, e cila ka vite që asiston Policinë e Shtetit, kryesisht në forcimin e “Policimit në Komunitet”.
Në fazën e parë, kemi ndërtuar në gjithë Shqipërinë zyrat për marrëdhënie me publikun, duke tentuar ta kthejmë Policinë në një zyrë shërbimi dhe sa më pranë qytetarëve.
Kemi forcuar strukturat e inspektorëve të “Policimit në Komunitet”, ndërsa tani faza e dytë të këtij bashkëpunimi, dhe kësaj ndihme, do t’ia fokusojmë sigurisë rrugore. Duke vazhduar sigurisht dhe gjithë këto struktura që kemi ngritur në marrëdhëniet e Policisë së Shtetit në raport me qytetarët apo dhe bashkëpunimin me qeverisjen vendore. Qëllimi kryesor është që të forcojmë forcën ndëshkuese në lidhje me të gjithë shkelësit në qarkullimin rrugor, një nga prioritetet tona dhe fokusi është shkëputja apo mënjanimi i çdo subjektivizmi, që vjen nga marrëdhënia e punonjësit të Policisë me shkelësin, duke futur teknologjinë.
Me këtë projekt do të marrim rreth 110 smartphone, që do të jenë në duart e punonjësve të Policisë së Qarkullimit, të cilat janë çift me printin përkatës dhe menjëherë, kur evidentohet shkelja, do të emetohet edhe gjoba, duke ia dhënë në prezencë, shkelësit, apo blerjen e 6 radarëve, të cilët punojnë dhe evidentojnë çdo shkelje që lidhet kryesisht me shpejtësinë në qarkullim, ditën, natën, pa diskutim, dhe që automatikisht, për çdo shkelje e çon informacionin dhe rrjedhimisht edhe gjobën, në Qendrën Operative, pa pasur nevojë që të ‘negociojë’ , shkelësi me punonjësin e policisë.
Pjesë e këtij programi do të jetë sigurisht edhe harmonizimi i database-ve në mënyrë që “e-gjoba”, pra sistemi i gjenerimit të gjobës në mënyrë elektronike, të funksionojë sa më mirë për të gjithë llojet e shkeljeve.
Pyetje: Po investohet në infrastrukturë, por a do të ketë një investim te Policia e Shtetit edhe te vetë punonjësit? A ka në plan qeveria për rritje të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit?
Ministri Çuçi: Ne gjithmonë kemi pasur vëmendje për trajtimin sa më të mirë të punonjësve të shtetit nga pikëpamja financiare. Policia e Shtetit ka qenë sektori që ka përfituar më së shumti prej rritjes së pagave. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do ta rishohim prapë dhe padiskutim që jemi duke menduar edhe këtë gjë. Por ajo që dua të them është që ne kemi një projekt, i cili do krijojë mundësi për Policinë e Shtetit, të marrë të ardhura me shërbimet që bën, në mënyrë që të shpërblejë vetë trupën e saj.
Kështu që po i shohim këto mekanizma, pra pa cenuar edhe buxhetin e shtetit, të gjitha janë mekanizma që po i diskutojmë, por pa diskutim që ka qenë në vëmendjen tonë dhe mbetet në vëmendjen tonë një gjë e tillë.
Pyetje: Z. Ministër, Kryeministri para pak kohësh i vuri Policisë së Shtetit një afat 100 ditor. Jemi drejt fundit të këtij afati 100 ditor për Policinë e Shtetit, jo vetëm për të luftuar krimin, por edhe korrupsionin brenda vetë Policisë së Shtetit. Do të ketë një raport përfundimtar se çfarë ndodhi me këtë afat 100 ditor, apo do të presim reformat apo platformën që do të marrë drejtori i ri?
Ministri Çuçi: Drejtori i ri e ka filluar punën pikërisht edhe me këtë analizë. Ai do të jetë në të gjithë Shqipërinë, në qarqe të ndryshme të vendit, në takime me Policinë e Shtetit. Pa diskutim që ky raport do të shërbejë edhe si një dokument i rëndësishëm për vlerësimin e gjithsekujt në mënyrë që të vazhdojmë. Dua të theksoj që është një punë e vazhdueshme, nuk është një veprim i shkëputur, por është një punë e vazhdueshme, në mënyrë që të kemi një trupë sa më profesionale dhe me integritet të lartë edhe moral, që Policia e Shtetit të jetë në lartësinë e duhur. Kështu që Drejtori i ri Policisë, pikërisht punën e ka filluar duke bërë analiza në çdo qark të Shqipërisë. Pa diskutim që edhe Ministri do të ketë një raport përmbledhës lidhur me këtë gjë. Faleminderit.