Nga Marsida T Naideni
Me një zemër të thyher dhe një meditim të thellë mbi jetën po ulem po i shkruaj disa rreshta. E di, s’jam personi i duhur të shkruaj për Zamir Koçiaj, as isha shoqja më e ngushtë e tij, as njeriu më i afërt i tij dhe me moshë kishim diferencë. Por, ai ishte Zamiri, i cili dinte t’i bënte të gjithë për vete. Në 18 muajt e luftës së tij dinjitoze dhe kurajoze me sëmundjen e tmerrshme ALS, na u formua dhe më shumë shoqëria jonë. I jepshim zemër njeri-tjetrit, saqë ndonjëherë mua më dukej se i hyja në hak Zamirit me gjithë atë sëmundje që po përballonte, por e bënte të ndjehej mirë kur më jepte kurajo mua me sikletet e mia të shtyllëz kurizore, edhe pse as i afrohen për asnjë sekond vuajtieve të Mirit tonë. Kur e shikoja që ndjehej mirë duke më dhënë zemër e këshilla mua, unë e pranoja me “egoizëm” si një motër merakosjen e tij.
Dilte ndonjë artikull i ri, direkte ma dërgonte në telefon. “Merr e lexoje Marso se mos të bo dermon.” Shifte ndonjë video mjeksore në internet, direkte Miri ma niste në telefon. “Hudhi nji sy Marso se mu duk me vlera.” Pale kur më pyeste për dietat mjeksore. “Marso, mos ha sheqer se ndikon tek nervat.” “Marso, provoje të pastrohesh na ca ditë veç me fruta, pa mish fare.” E kështu ato muajt e sëmundjes së tij, ai luftonte për veten dhe familjen e tij, por s’harronte dhe miqt. I provoi të gjitha kurat, madje dhe ato medikamente ende në stazh eksperimental. Mos të shkruaj pastaj për eksperimentet tona me vajin medicinal të marjuanës, kur shkruanim njëri-tjetrit përçart. Histori më vete me plot të qeshura. Nuk e humbi për asnjë moment pozitivitetin, por mbi gjithçka ai nuk humbi besimin në Zot. Madje, kam një ide, se atij iu shtua besimi kohët e fundit. “Marso, e kom shpin plot dhe zemrën plot.” I referohej gruas së tij të mrekullueshme, fëmive që i la aq të vegjël, prindërve në moshë, vëllait të pandashëm etj.
Si e kisha njohur unë Mirin?
Ishte nga emrat që vëllai im s’ndante nga goja kur erdhi në Amerikë pas afro një dekade në Itali. “Eh, n’Firenze me Mirin dhe Ervinin kshu e ashtu.” Apo, “Eh, ç’kena bo iher me Mirin.” I shëndrinin sytë tim vëllai, Gertit, kur fliste për çunat e Firenzes, për çamarokllëqet e djemve të ri shqiptarë në Firenze. Ishin brezi i parë që u larguan nga Shqipëria ato fillim vitesh 90-të. Studenta të pa rrahur me jetën, nga një izolim mizor 45 vjeçarë, morën rrugët e emigrimit, e fati i mblodhi këta djem në Firenze. Një emigracion brutal, i rëndë, lodhje duke punuar jo vetëm për veten, por dhe familjet që kishin lënë pas. E megjithatë ata ia dolën. Zamir Koçiaj ia doli! Me ardhjen në Boston të Amerikës, me një virtyt të pashoq për punën e ndershme, me një vitalitet për t’ia patur zili, ai u kthye nga shefat e guzhinës më të dashur në Boston. E famshmja gazetë Boston Herald do ta paraqiste disa herë. Revista e artikuj të ndryshëm për djalin shqiptarë nga Firenzia, i cili gatuante guzhinën toskane aq tradicionalisht, sa e kishin zili dhe italianët. Bujaria, apo thënë popullorçe, xhymertlliku i Mirit dhe vëllait të tij Andit, jo vetëm që ta hanin zemrën nga brenda me dashuri, por kërkoje t’i zeje sa më shumë shokë. Para disa viteve bashk me Ervin Balilin shkuam në Boston. Ato ditë i kujtoj me nostalgji. Fjetëm tek çunat e Firenzes, ishin beqarë asokohe, hëngrëm e pimë për qef, por Miri e kishte merak. “O do t’ju çoj ke Kisha Naimit o s’keni me ik prej Bostoni.” Sa mirë bëri, se fill ca javë mbrapa Kisha e Naimit u dogj. Gjithë ditën si një ciceron s’pushoi duke na treguar çdo vrimë të Bostonit, çdo histori, a thua se ishte ndonjë bostonali puro vendali. Në darke vonë, na çoi tek bari më i vjetër i qytetit, aty ku mendohet se filloi idea për pavarsinë e Amerikës. “Këtu çdo ëndërr realizohet!” – na tha Miri për Amerikën. Kjo ishte kultura e tij, botkuptimi i tij, nuk e harroi kurrë Tironën, por diti të bëhet qytetar i botës. E donte jetën aq shumë, e jetoi me gjithë nuancat. Diti ta shijoi çdo moment. Veçse kishe kohë ende Miri, kishe kohë të rrije me ato fëmi, vajza 4 e djali 6 muajsh, madje kishe kohë të bëheshe dhe gjysh. Ardhja në jetë e djalit përgjatë sëmundjes së Mirit, i dha një qetësi shpirtërore, që rrallë veta dinë ta gjenë.
Faleminderit, o Mir, që dhe në ditët e tua më të vështira na dhe një mësim mbi jetën. Faleminderit se na tregove ç’është vërtetë të jesh njerëzor. Sa nevojë kemi për njerëz si ty. Vetëm para 10 ditëve folëm shumë shkurt, nga fjalitë e fundit që më ke shkruar në telefon… “Të kem mirë fmit’ e familjen!” Prandaj, familjarve të Zamirit, mundem vetëm t’iu them, të gjejnë kurajo tek emri i mirë që la, është çuar i madh dhe i vogël në këmb për Zamir Kociaj. Të jeni krenarë për një Zamir, që i nxorri goja veç zë të mirë në 49 vite jetë. Qofsh i parajsës, danoç!
Erilda Muco & Andi Kociaj – ju përqafoj!