Daçiq: Me sanksione kundër Rusisë, Serbia do ta dëmtonte veten

Beograd, 14 mars 2022 – Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se sikur Serbia t’i vendoste sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, ajo “nuk do ta dëmtonte Moskën, por interesat e veta”.

Daçiq tha se Rusia po ndihmon në “mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”, sepse, sipas tij, ajo nuk po e lejon Kosovën që të “kalojë” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Rusia është i vetmi vend që do të vendosë veto ndaj njohjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, ndërsa vendet perëndimore nuk do ta tërheqin njohjen, por do të vazhdojnë ta shtyjnë tutje. A ia vlen që ne t’i vendosim sanksione Rusisë? Me to nuk do ta dëmtonim Rusinë, por veten”, tha Daçiq për Televizionin Prva të Serbisë.

Ai tha se në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka marrë përsipër që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në, por shtoi se Beogradi “do të harmonizohet menjëherë” nëse bëhet nesër anëtar i BE-së.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e kanë harmonizuar politikën e sanksioneve kundër Rusisë me Bashkimin Evropian.

Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.

(REL)